U thinjëm dyerve të gjykatave

redaktor

Edhe sot e fillova ditën me “Ditën”, ose më saktë me xhevahiret e Gjinit. E çfarë mund të presësh me këto lloj e soj gjyqtarësh e dashur “Dita”? Ata e matin veten me hijen e mëngjesit, u duket vetja gjigant e të paprekshëm. Njerëzit i shohin si miza, apo mushkonja xanxare që i bezdisin rrugëve fshehur pas xhamave të errëta të makinave luksoze. Për fat, e di dhe e njoh problemin e dosjes famëkeqe firmuar nga treshja famoze Xhin-Fluturak-Karabushi.

Por çështja duhet parë më shtruar e më thellë, ku njerëzit thinjen, plaken dhe vdesin duke u kacavjerrë dyerve të gjykatave për të drejtën që në vend që ta marrin, e blejnë, dhe kur themi e blejnë, është fjala për aq sa kur bëjnë llogaritë në fund, kanë humbur në vend që të fitojnë… Teksa rrufisja kafen e mëngjesit me një mikun tim të zgjuar nga Ceraga e Lushjës, i them se do ta mbështes artikull-shkruesin, se e njoh me themel çështjen… Duke thithur thellë e tymosur cigaren e radhës, ma kthen: “Eh, unë u plaka dhe kam frikë se do vdes dhe e drejta s’po duket.

I kam dosjet pirg, gati po shuhen germat e viteve ‘30-‘40 e deri në ditët e sotme dhe asgjë s’kam marrë. Ku s’kam vajtur unë i ngrati. S’kam lënë derë pa trokitur, të gjithë më thonë të takon dhe prapë më kthejnë me duar në xhepa.” Janë shumë, shumë gjinara që sillen si shushunja dhe pinë gjakun e këtij populli fukara… Janë shumë flutura të hazdisura që madje janë bërë korba e skifterë duke kërkuar kërma. Janë shumë karabusha të majmur gjer në plasje, që sytë u kanë zënë dhjamë e nuk shohin gjë tjetër, vetëm të gjelbrat euro e dollarë. Kështu do shkojë kjo punë.

Duro o popull derisa të zgjohet e kujtohet kjo qeveri të bëjë atë që duhet, derisa baballarët e kombit e parlamentarët tanë të kujtohen e t’u shkojë mendja se ju i çuat aty ku janë. Me respekt nga Mane Rusi, Bërxull.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *