Kohët e fundit korit të stonuar të kolaboracionistëve ballisto-zogistë dhe pinjollëve të tyre për të përbaltur e deformuar epopenë më të lavdishme të popullit tonë, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, i është bashkuar edhe zëri i çjerrë i kryetarit të Partisë Çame (PDIU) Shpëtim Idrizi. Shpëtimi në duet me deputeten Mesila Doda iu bashkuan këtij kori të stonuar dhe kërkojnë të cënojnë lavdinë e veteranëve të LANÇ dhe të Komandantit të saj të Përgjithshëm e të lavdishëm Enver Hoxhës. “T’u hiqen gradat dhe titujt”, thonë kolaboracionistët ballisto-zogistë që bashkëpunuan dhe luftuan bashkë me nazifashistët kundër reparteve partizane që luftonin për çlirimin e vendit të pushtuar. “T’u hiqen…”, thotë edhe Idrizi me Dodën.
Mirë kolaboracionistët dhe pinjollët e tyre, po ti o Idriz ç’pate?! Me sa dimë ne familja jote nuk ka qënë kolaboracioniste dhe nuk ka bashkëpunuar me nazistët gjermanë, siç akuzojnë qarqet shoviniste greke dhe nuk ka patur ndonjë përndjekje pas çlirimit, përkundrazi, ajo ka qënë një nga familjet e shumta të Çamërisë që u masakruan nga Napolon Zerva me xhelatat e tij grekë. U detyruan 25.000 çamë të largoheshin nga vendlindja, të cilët kërkuan strehim në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, me Enver Hoxhën në krye, hapën kufirin, i mirëpritën, u dhanë shtetësinë shqiptare dhe i sistemuan në vendet më të mira, në Sarandë, Vlorë, Elbasan, Durrës, Tiranë etj. Ata u integruan në shoqërinë shqiptare totalisht dhe nuk patën asnjë dallim. Përkundrazi ju dhanë me preçedencë të gjitha përkrahjet, siguritë dhe garancitë, pronë, punë, arsim, shëndetësi dhe dinjitet, si gjithë popullsia tjetër shqiptare. Në saj të përkujdesjes se shtetit shqiptar numri i popullsisë çame nga 25 mijë ka arritur në 210 mijë.
Pati shumë luftëtarë çamë që u inkuadruan në repartet partizane, në Grupin e Katërt Çamëria, etj. pra, iu bashkuan Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar, luftuan me vendosmëri, pati prej tyre me dhjetëra që ranë dëshmorë, pati dhe figura të shquara si Heroi i Popullit Ali Demi, Ilmi Seiti, Rexhep Plaku etj. Dhe këta luftëtarë merituan tituj, ndere dhe grada të larta. Edhe këtyre doni që t’u hiqen titujt e gradat, o zoti Idrizi?!
Ne veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre nismën e Shpëtim Idrizit dhe të partisë që ai e drejton e quajmë një papjekuri politike, pasi ato simbole, tituj e grada u janë dhënë për çlirimin e Atdheut dhe si të tilla nuk mund të hiqen e të denigrohen as moralisht dhe as juridikisht.
Ti mund të kalosh nga një parti te tjetra sa herë të duash e kur të duash, por s’ke pse kalon në stanin e kolaboracionistëve që bie erë tradhti, zoti Idrizi. Në se të pëlqen kjo “erë” mund të kërkosh te ta “strehim politik”, por të jesh i bindur se do të pësosh fundin dhe turpin e tyre dhe populli shpejt a vonë do të hedhi, bashkë me ta, në koshin e plehrave.
Komiteti i Veteranëve të LANÇ
