Disa episode të jetës së këngëtares që la gjurmë të thella në brezin e vet: Nga thashethemet për të që nuk munguan kurrë, te revistat e modës dhe rebelimi i braktisjes së liceut për një fjalë goje
Sapo kishte kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi në shtëpinë tonë. Ne kishim hyrje-dalje me Zelët. Që në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte bërë e njohur në gjithë qytetin e Lushnjës. Xhaxhesha kërkoi që ajo të këndonte një këngë. Vaçja që e kishte këngën të gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që t’i thoshin për së dyti. – Bukur, bukur, – tha xhaxhesha, – po jo si në radio (altoparlant), jo si në skenë. Atje duket tjetër, këtu tjetër. – Eh, dhe ti moj Shahe, – i thotë nëna, – po kjo atje e ka vendin dhe jo këtu në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen bukët. Çdo gjë në vendin e vet.
Ndërkaq Vaçja e vogël çau dritaret e shtëpisë së bukës me zërin e saj të madh dhe kënga u përzie me erën e bukës së djersitur që avullonte në qoshe të hambarit dhe që ne fëmijët s’mund ta hanim pa u ftohur gjersa avulli i bukës të arrinte në arën më të largët. Zia e bukës ishte në vitin më të zi dhe buka duhej kursyer duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja na ngopte shpirtin me këngën e saj të ngrohtë që ne e përpinim ashtu të avullt.
Ora Gazmore jepej një herë në javë, çdo ditë të diel me altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin rreth shtyllës së drunjtë, në majë të së cilës ishte vendosur altoparlanti. Këndonte treshja e këngëtarëve pionierë. Vaçe Zela, Flora Mebelli dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit veçonin Vaçen mes treshes duke thënë: po këndon Vaçja dhe nxitonin drejt sheshit me kalldrëm të qytetit për të dëgjuar Vaçen dhe e dëgjonin gojëhapur duke u grumbulluar rreth shtyllës me altoparlant. Si ftesë kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte një treshe këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi i këtij trekëndëshi këngëtaresh ishte Vaçja që shumë shpejt do të bëhej kulmi i këngës së lehtë shqiptare të të gjitha kohërave.
Flora Mebelli ishte më e bukura, më e veshura nga të tria këngëtaret e vogla. Ajetja ishte më e bukur dhe më e veshur se Vaçja, por të gjithë, i madh e i vogël sytë dhe veshët i kishin ngulur vetëm te Vaçe Zela, te zëri i saj, te kënga e saj si Hirushe, si mis e vogël, si zanë e vogël mali. Kjo treshe këngëtarësh në vitet pesëdhjetë, ishte një pranverë me fllad evropian që përcillte blerim, lulëzim për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja e kësaj pranvere ishte Vaçja që po shpërthente në ngjyra dhe fëshfërima melodish. Ajo mori njerëzish rreth shtyllës së drunjtë, rreth shtyllash me altoparlant, ka mbetur kaq e gjallë, kaq e bukur në përfytyrimin tim sa s’e ka zbehur asnjë ekran televiziv gjer sot.
Dhe kur dikush në vitet nëntëdhjetë e dy tha për Vaçen, të mos e ngrinim në qiell duke caktuar dhënien e çmimit vjetor kombëtar «Vaçe Zela» për muzikën, sepse ajo, tha ai, i ka kënduar komandantit, diktatorit. Ata që e dëgjuan, s’e mbajtën dot veten; mbylle mor buçen i thanë, se zëri i Vaçes është më i madh se gjithë komandantët dhe diktatorët e kësaj bote. Në ndërgjegjen e popullit ka mbetur kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo ato që flak tej si bëzhdila uragani i zërit të Vaçes.
Ajo shtyllë me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit meritonte të ruhej në muze si obelisku i Vaçes. Por ne jemi ende pa kulturën e nevojshme të ruajtjes së relikave. Pas debutimit në orën gazmore që e organizonte popullori, elitari, pasionanti, aktori, piktori Ilia Shyti, Vaçja vazhdoi të këndonte e s’e pushoi më këngën. Kudo që ndodhej asaj s’i rrihej pa kënduar dhe këndonte me shpirt. Njerëzit e donin këngën e Vaçes dhe ajo s’ua kurseu atë, por e jepte me shpirt. Kujtdo që do t’i binte rasti të njihej me Vaçen do të kërkonte që ajo të këndonte të paktën një këngë ose një pjesë të këngës me të cilën ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej ta përshëndeste të saponjohurin me një këngë të re ose me një këngë për të cilën ajo kishte dobësi.
Qëlloi që erdhi në shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë i Komitetit të partisë Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai na përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve që ndiqnim rrethet dhe kurset në Shtëpinë e Pionerit. Udhëheqësja e pionierëve e prezantoi sekretarin me këngëtaren e vogël Vaçe Zela, me të vetmin fëmijë të njohur midis gjithë nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë e saj.
– Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretar i parë, – i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.
– Ti qenke Vaçja? – tha sekretari i habitur.
– Po, unë jam! Ta këndoj këngën O Azerbajxhan? – e pyeti Vaçja, e gëzuar ngaqë ai e njihte.
– Pa ta dëgjojmë një herë! – i tha sekretari…
Dhe Vaçja shpërtheu….Oborri i shtëpisë së pionierit, në çast u shndërrua në sallë koncerti. Vaçja krijonte kudo salla, koncerte të befta që në fillimin e karrierës së saj.
Në vitin 1956, e takoj Vaçen para bibliotekës së qytetit. Në këtë kohë Vaçja i kishte kaluar kufijtë e Lushnjës. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej shumë për të, bëheshin shumë thashetheme e cirkonin me baltë. Por cirkat e baltës nuk zinin në trupin e bukur, të pastër, të kulluar të këngëtares, sepse Vaçja dhe kënga ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos këngën që pastron shpirtrat dhe vetëpastrohet si uji i gurrës.
– Të keqen motra, – më thotë Vaçja, – futu pak në sallën e bibliotekës mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam lënë revistën italiane “Noi donne” e cila në brendësi të saj, ka faqet e modës. Unë po vij te dritarja, më tha dhe ti ma jep revistën. Më fal që po të mundoj!
Kur e mori revistën u gëzua shumë. I pëlqente moda. Vishej me copa të lira, por i priste dhe i qepte bukur, krijonte modele të reja. Kjo ishte e parakohshme për qytetin tonë, madje edhe për Shqipërinë e atëhershme që sapo kishte dalë nga zija e bukës. Vaçja me revistën në sqetull, unë me një fletore vizatimi në dorë, bisedonim në trotuar larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur një fund të kuq basmeje. Një gisht poshtë fundit të kuq, dukej një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh dy gra. Njëra i thotë shoqes: Qyqja shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën, dy pëllëmbë poshtë fundit. Është zhypon moj të plaçin sytë, nuk është këmishë, – iu shkreh Vaçja me indinjatë gruas injorante dhe cinike. S’ia përtonte askujt që i binte më qafë.
Pas lirimit nga ushtria fillova studimet në Liceun Artistik për pikturë. Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.
– E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që «ti Vaçe, çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».
– Po ti këngëtare je, – i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. – Janë në vete këto, apo flasin kuturu?! – E po ik dhe mbushu mendjen pa, – më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.
U largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që s’po shuhej. Vaçja ishte një artiste rebele. Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja Vaçja çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhej kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thënë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.
Me këtë thënie u spekulua shumë. Por kjo solli që Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.
Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa “semaforë e vija të bardha”. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.
Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.
– Mizerje, më thotë.
– Pse mizerje?
– Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret Sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: – Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi… – Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja, të merrja veten më qafë? Të shkretët…
Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë, kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.
– Të keqen motra, – thotë Vaçja. – Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.
Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.
Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të saj, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sido që ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja. Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje, prandaj të sëmurët e quanin ashtu.
Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar, por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?
Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu… – Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.
Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish-e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish-të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmijë. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. – Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?
– Çfarë?
– Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.
Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entusiazëm:
– Do të përgatis një recital që…
– Ashtu?
– Po!
– Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.
– Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa dhe jo Vaçja.
– Recitali moj gjyshe është…
– Hë? Si është, thuaja gjyshes…
– Është…, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena…
– E pse?
– Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….
– Po qe kështu, lëre lanetin…
Po Vaçja s’e la këngën.

E bukur kjo: Te kendoj ate kengen per Azerbajxhanin 🙂
Shyqyr qe nuk jetoi ne Shqiperi. Do ta ndoste Saliu me balte
Do ta ftonte ne ndonje koncert PD-je nga ata te hareshmit fare 🙂
Faleminderit Vace.
Neveri per televizionet qe ne kaq vite nuk transmetuan nje kenge te saj, kurse keto dite na bajatosen duke dhene programe nga 24 ore.
Si cdo gje ne katundin Shqiperi, seprapthi, nga ekstremi ne ekstrem
episode te bukura… ka qene rebele si cdo artiste
mirenjohje per ARTISTEN VACE ZELA qe do te jete e pazevendesueshme
Rekuiem per Vace Zelen
Shkurtan…shkurtan i lig qenke ti or muaji shkurt!Po si mund te pritet kaq shkurt ajo kenge pa mbarim,ai ngazellim i jetes sone…Jo or jo, ti mund t’i biesh shkurt por jeta e shqiptarit,shpirti i shqiptarit ngadhmon mbi ty dhe vdekjen,sepse ai eshte i fuqishem e i pafund si vete jeta njerezore,se rron mor rron ajo Vacja jone, rron ne gezimet e harete e rinise sone,ngrihet lart,lart plot hare ne qiell me kengen e laureshes sone qe ia kushtoi aq bukur Atdheut tone,pa percon e zjarrte e ne vezellime mes shtigjeve me tela,per te na hedhur ne lundrimin e larget ne krahet e valeve te valsit te lumturise dhe zbret aty mbi Atdheun tim,tek i kendon bariu vashes se tij ne malet me blerim mbuluar,aty ne malet e lumejt e Shqiperise me ato ujra te kulluar….Por nuk shuhet or jo dot ai ze i kembushem i bilbilit qe sjell hare nder mote e gezime,harene e rinise ne krahet e dashurise,qe nuk gjen dot qetesi nga lemza e kujtimit,edhe pse shiu fillon me ra… e na kujton dimrin e vetmise se madhe,pa Vacen tone te madhe para nesh por kurdohere ne shpirtin e pashuar te shqiptarit,ne kengen e tij qe nuk shuhet kurre…..!!!!
…Ti mbetesh e gjalle ne zemrat tona, oj Vacja jone e mire, o kenga jone pa mbarim…Tek kembet e pjedestalit tend te larte do te vij shpesh o Vacja ime,oj kenga pambarim e rinise sone,e Valsit te lumturise se rinise sone te perbashket ne mbremjet deri Naten Vone… te studenteve….,do te mbeshtes fort mbi ate gur te ftohte kete ballin e vyshkur te mikut ,shokut tend krenar qe ka jetuar ne epoken tende te madhe,te varfer por aq te pasur ne gezime,ne krahet e kenges tende…Oj Kenga jone,oj kenge rinore…o ma e larta… Vacja jone!
I pavdekshem kujtimi i saj, e paharruar kenga e bilbilit tone,Vace Zeles!
Bashkim Pitarka
Diplomat ne pension
Florida,SHBA
hahahaa, e bukur kjo. Me siguri qe kur Vacja e madhe te kendonte ne ndonje miting partie, aty do mbaronte dhe miti i saj
Sa keq qe qeveritaret, politikanet e ndershem,
e sharlanet,kujtohen per ato IKONA , te artit vetem kur ata nuk jetojne fizikisht.
vetem fizikisht pasi populli i shikon cdo dite veprat e tyre, i degjon kenget e tyre, te kenduar me mall per,
popullin,
jeten,
punen,
minatorin,
ushtarin,
mesuesin,
nenat,
femijet,
E tile eshte ne zemrat tona VACE ZELA.
Qofte kujtim i paharruar.
nuk besoj se do te kemi perseri nje dive si vaqja .u oprefte ne paqe.
VAÇJA JONE-mikja e gjimnazit
NGA ROZI THEOHARI/ Boston/
Kur familja ime u shpërngul nga qyteti i Korçës për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, gjatë paketimit të plaçkave, palosa me kujdes dhe kostumin e korit, bluzën e bardhë dhe fundin blu. Kostumi do të më duhej në gjimnazin “Qemal Stafa” të Tiranës, ku u regjistrova në të njëjtën klasë me Vaçe Zelën dhe këndova në të njëjtin kor bashkë me të.
Ishin ditët e “etheve” për përgatitjen e festës më të rëndësishme artistike të çdo viti në kryeqytet, ”Mbrëmja e miqësisë shqiptaro- sovietike.
“Dirigjenti i korit të gjimnazit (nuk ia mbaj mend emrin) ishte një anetari korit të Teatrit të Operes.
Ai punonte me zell, preokupim e këmbëngulje, për të përgatitur një kor me dinjitet artisitik, për t’i shërbyer si sfond e njëkohësisht për t’u shkrirë e bërë njësh me zërin melodioz të solistes sonë, Vaçe Zelës.
I pakënaqur nga kori ekzistues, shkoi me durim klasë më klasë, per te dëgjuar e provuar zërat e nxënësve. Midis të tjerëve u veçova dhe unë, mbasi kisha kohë që këndoja në korin e “Shtëpise së Pionierit”, në qytetin e lindjes.
Nuk do ta harroj ditën e parë të provave të korit. Aty e njoha Vaçen, para se ta njihja në klasë. Ajo hyri në sallë me të ecurin e saj të lehtë, e thjeshtë dhe gazmore. Ndërkaq ne ishim lodhur e ngjirur se përsërituri këngën, ndërsa dirigjentit i rridhnin djersët faqeve. Ai e ftonte Vaçen para korit vetëm kur ishte i bindur se kënga ishte përvetësuar mirë dhe ne këndonim të gjithë në një kohë e të përqendruar. Këngët zakonisht ishin zgjedhur të gjitha nga repertoret e republikave sovietike dhe ne, po ashtu, duhet t’i këndonim dhe interpretonim duke imituar koret e famshme ruse.
Kishin mbetur vetëm dy javë nga dita e koncertit të madh.
Si për dreq, atë javë ra një grip i rëndë në Tiranë, që përfshiu të madh e të vogël. Vaçja u sëmur si gjithë të tjerët, saqë nuk mund të nxirrte një tingull nga gryka. Preokupim i madh i dirigjentit, i nxënësve e mësuesve të gjimnazit, deri tek prindërit tanë.
Gjyshja ime, që thurte me shtiza një palë çorape të leshta, më tha: “Bija e nënës, shpjerja Vaçes t’i mbathë t’i rrinë këmbët ngrohtë. Ajo fle në konvikt, s’e ka familjen të kujdeset për të”.
Por për Vaçen kujdeseshin të gjithë. Mësuesit e këshilluan të rrinte brenda e të mos vinte në shkollë. Mësimet e mbetura, ia shpjegonin shoqet, të cilat nuk harronin ta mbështillnin me shallë e mbulesë, sa ia merrnin frymën. Çdo mëngjes, kur vinin konviktorët në shkollë, i pyesnim me shqetësim, “A i erdhi zeri Vaçes?” Së fundi, ato na sollën lajmin e gëzuar: “Vaçja është në formë!”
Ora tetë e një mbrëmjeje të ngrohtë prilli. Salla e madhe e Teatrit gumëzhinte nga zërat e të qeshurat e të ftuarve dhe tingujt e provave të orkestrantëve. Ne rrinim të ngrirë prapa perdes së kuqe, të kadifenjte. Në shkallëzat e skenës qëndronim gatitu, njëri pas tjetrit katër rreshta koristësh, dy të parat me vajza, dy të fundit me djem. Të veshur bardhë e blu e të ndarë në tri zëra. Unë isha në zërin e parë, në rreshtin e parë, nga ku e dëgjoja më pranë zëëmblen Vaçe. Ishte vendosur që kori i gjimnazit tonë të hapte mbrëmjen artistike. Sigurisht, merita ishte e zërit të Vaçes. Ne të tjerët ishim përfituesit, por edhe përgjegjësit, për të mos e turpëruar këngëtaren dhe shoqen tonë.
Në sallë ra përnjëherë qetësia. Sapo kishin ardhur përsonalitetet e larta të vendit, delegacionet e ftuara sovjetike dhe perfaqësitë e ambasadave të Tiranës. Zemra sa s’po na dilte nga kraharori, mbushur me emocione të forta. Përpara nesh, në qendër të gjysmërrethit të skenës qëndronte Vaçia, veshur me një bluzë ta bardhë e fund të zi, me trupin e hollë si llastar, me një buzëqeshje të lehtë nderur mbi fytyrë. Ishte e qetë dhe here pas here kthente kokën nga ne të na jepte zemër.
Kur u hap perdja, një kor duartrokitjesh sikur na solli në vehte e morëm frymë lirisht. Vaçia, bëri dy hapa para, bashkoi duart prapa dhe ia përkuli pak kokën publikut. Përsëri duartrokitje dhe më pas mbizotëroi një heshtje e thellë. Orkestra filloi melodinë e refrenit të këngës ukrainase “ Lumi i Dnieprit.”
Dirigjenti na i rrotulloi sytë përnjimend, pastaj me levizjen e dorës së tij të majtë i dha shenjë Vaçes të fillonte.
Një zë i butë, fluid, me intonacione të gjata, duke u ngritur lart note pas note, një gjerësi frymëmarrjeje. Mua më ka mbetur e fiksuar si një mrekulli, një marramenth, një hon dallgësh, që ta rrëmbente shpirtin e ta përplaste lehtë në brigjet e lumit. Ky ishte zëri i Vaçes atë mbrëmje dhe fjalët e këngës së saj:
Ja si buçet ky Dnjepr’ i gjerë/ Dafinen era e përkund/ Dhe dallgët i çon si mal i lartë/ I hedh përpjetë e prapë i ul.
Dy vargjet e fundit, refrenin, e përsërisnim ne, kori, duke lëkundur lehtë trupat tanë, të katër rrjeshtat e bluzave të bardha, në drejtime të kundërta, për të dhënë imazhin e dallgëve. Megjithëse këtë lumë nuk e kishim parë kurrë, oshëtimën, bukurinë dhe madhështinë e tij e ndienim dhe e përjetonim në vokalin e papërseritshëm të shoqes sonë të klasës.
Kur Vaçja filloi të këndonte strofën e dytë: Tej në katund të gjithë flenë/ Kudo qetësia mbretëron…/ Në sallë mbretëronte qetësia. Njerëzit rrinin të magjepsur dhe të hipnotizuar nga zëri i një vajze të talentuar 15-vjeçare. Në fytyrën e rusëve dallohej habia e adhurimi, ndërsa në atë të udhëheqësve, krenaria. Në sytë e prindërve tanë shkëlqenin lotët… lexohej gëzimi i papërmbajtur.
Së fundi, duartrokitjet e gjata e të merituara për Vaçen, na sollën përsëri në vete, në atë realitet të bukur, ku ndiheshim krenarë që ne ishim e do të mbeteshim shoqet e shokët e saj.
Dhe kjo është sa prekëse aq dhe e vërtetë. Ne ishim e mbetëm ndër shoqet e shokët më të mirë të saj. Me kalimin e viteve, ne u shkolluam, fituam nga një profesion dhe u bëmë dikush mjek, dikush fizikan, jurist, gazetar, shkrimtar, pedagog, inxhinier, studiues etj. Ishim një buqetë e këndshme shokësh e shoqesh, por Vaçja dallonte si një trëndafil i kuq i bukur në krye të kësaj buqete. Vaçja këndoi ne të gjitha skenat e Shqipërisë dhe jashtë saj, dashuroi shokun e jetës, u martua me të e lindi një vajzë të bukur (së cilës i këndoi këngën e femijës së parë), mori kudo qindra mijë duartrokitje dhe përgëzime, fitoi tituj e çmime. Ajo kthehej çdo vit, e thjeshtë dhe e dashur, në vatrën e ngrohtë të shoqërisë së gjimnazit. U krijua një rit, që vazhdoi gjatë, takimi vit për vit me ishgjimnazistët në mjediset familiare, në shtëpitë e njëri-tjetrit.
Merret vesh se sa lumturoheshim kur shihnim Vaçen të shfaqej në derë. Përqafime, shtrëngime duarsh, këngë e humor pa mbarim nga jeta e shkollës dhe jeta e mëvonshme e çdo njerit.
Vaçen e vinim në krye të tryezes, të degjonim zërin e saj në këngë e biseda të ngrohta miqësore. Ajo rrallë këndonte. “Më lini,- thoshte,- të çlodhem, këtu kam ardhur të çmallem e të argëtohem, jo të këndoj.” Ndërsa s’përtonte të imitonte, si dikur, zërin e disa mësueseve, gjatë spjegimit të mësimit dhe replikat, ndonjëherë jo te këndshme që këmbenin me nxënësit.
Kalonim kështu së bashku orë të gjata gazmore.
Më kujtohet, festonim dhjetëvjetorin e mbarimit te gjimnazit në familjen e doktoreshës Adelina Mazreku, një nga nxënëset e shkëlqyera të klasës sonë. Babai i saj, komentatori i njohur i futbollit Andon Mazreku, bashkë me të shoqen, gatuan një darkë të bollshme e të shijshme. Por ajo që nuk harrohet, ishte pritja e kujdesi i tyre prindëror që treguan për secilin, megjithëse shumë nga ne ishim bërë tashmë prindër.
Aty nga ora dy e natës gjithë grupi, me Vaçen përpara, dolëm në bulevard dhe u drejtuam nga ndërtesa e ish-gjimnazit “Qemal Stafa”, të kthyer në hotel. U rreshtuam para derës, sipas klasave paralele të dikurshme e filluam të këndonim këngët ruse të korit.
Në atë kohë, pushtetarët drejtues të shtetit i kishin prishur marrëdheniet me sovjetikët dhe këngët ruse ishin të ndaluara. Dritat u hapën në të gjitha dhomat e hotelit dhe bujtësit dolën në dritare duke bërtitur e sharë. Sikur ta dinin ata të varfër se aty poshtë tyre ndodhej e këndonte Vaçe Zela, do të kishin brohoritur e duartrokitur.
Kur ia tregoja gjyshes këto peripeci, ajo më lutej t’ia çoja Vaçen për vizitë në shtëpi, si dikur, kur vinim me shoqet e gjimnazit.
“Vaçen e kërkojnë gjithë shqiptarët për vizitë, -i thosha- s’do t’i mjaftonin një mijë vjet” “Po të kam rixha, – më lutej ajo,- kur të llafosesh me Vaçen, i thuaj se ato këngët e saj po ma shtojnë ymrin. I thuaj se atë zërin e ëmbël si bilbil ia ka dërguar perëndia në shpirt, jo sikur e ka të sajin!”
Muajt e vitet kalonin dhe Vaçen e shihnim më rrallë në takimet tona të shumëpritura. Shpesh, na dërgonte përshëndetje me telefon ose me shoqet që e vizitonin, duke na kërkuar të falur, se ndodhej nëpër turne brenda e jashtë vendit.
Nga fundi i viteve 80-të i shkova për vizitë në shtëpi. Me gjithë gëzimin që iu shfaq në fytyrë për takimin e papritur, mbas një kohe të gjatë, m’u duk se një hije trishtimi fshihej pas syve të saj kafe të çelur.
“Do të dal në pension”,- tha, pasi u ulëm në kolltukun e kuzhinës.
“Ti je në kulmin e lulëzimit!”- thirra unë.
“Ndoshta do të jetë më mirë për mua tani, që jam e sëmurë”,- foli ajo qetësisht duke vendosur në kasetofon një kasetë me këngë kosovare. “Ata i pëlqejnë këngët e mia dhe unë i pëlqej të tyret!”- buzëqeshi me ngrohtësinë që e karakterizon gjithmonë.
Kjo ishte hera e fundit, që u takova me Vaçen para se të nisesha për në Amerikë. Vite më vonë, mora vesh se dhe shumë shoqe e shokë të gjimnazit ndoqën rrugën pa kthim, larg vendlindjes. Vaçia, shoqja jonë shpirtëmbël, po ashtu ndodhet jashtë vendlindjes. Ajo buqeta e bukur e shoqërisë sonë, për t’u pasur zili, tashmë është shkartisur. Na kanë mbetur vetëm kujtimet.
Kujtime që shoqja jonë e gjimnazit Violeta Librazhdi i ka hedhur në librin e saj botuar kohët e fundit “E papërsëritshmja Vaçe Zela.”
“Të njohësh nga afër artistët e shquar të kombit tënd është një rastësi që nuk u ndodh të gjithëve, ndaj unë e ndiej si detyrim për t’u dëshmuar të tjerëve ato që di për rininë e artistes së shquar,”- thotë autorja.
Na kanë mbetur vetëm kujtimet dhe…urimet.
E dashur Vaçe! Nga Bostoni i largët i Nolit, i Konicës dhe i mijëra shqiptaro-amerikanëve, të dërgojmë përshëndetjet tona!
Rozi Thehoari -Boston USA
edhe une jam rritur duke degjuar kenget e te madhes Vace, iu prehte shpirti ne paqje,e tha bukur Anjeza, Shqiperise nuk i duhet nje e dyte, pasi ajo nuk zevendesohet!!
nje nga melhemet e shpirtit qe kam ne migracion nga atdheu im eshte nje CD e Vaces. Kur ndjehem keq, kur ndjehem mire, kur me merr malli degjoj gjithmone kete CD. Vace je nje pjese e atdheut tim, te falemnderit per sa na ke falur. Ti ke qene dhe do mbetesh, per mua pasuri e rralle e Shqiperise. Nuk ka gje me te bukur te kalosh neper mend bukurite e Shqiperise te shoqeruara nga zeri i kenges tende. Shpirti yt u prehte ne qiell.
mirenjohje per kengetaren, qe kujtimi dhe zeri i saj nuk do te vdesi kurre, sepse VACE ZELA eshte NJE dhe e VETMJA ne Shqiperi
Iu prehte shpirti ne page
me respek, mihali
Ikona e muzikes sone…..kemi me se te krenohemi.Vace..prej qiellit ku ke shkuar,i takon perjetesise.Ke bere aq shume per ne,sa je pjese jona.Faleminderit.
Vaces i fali perendia zerin,Faslli Halitit i fali talentin te shkruaje dy vargje per bishat e sigurimit dhe komitetit te partise atehere kur kishin dhembe e kafshonin.3 miljon shqiptare ishin gati ta shqyenin.Nder e respekt per Faslli Halitin,qe nuk ju zhurit burimi i miresise dhe flet dy fjale te mira per Vacen e feminise se tij.
I PA HARUAR QOFT KUJTIMI I VACE ZELES VAJZA DUHET TE JET SHUM KRENARE PER VACEN SE VDEKJEN E KEMI HAK TE GJITH POR VACJA RON DHE DOTE ROJ NE SHEKUJ POR SHTETI TELEVIZJONET DUHET NE VAZHDIMSI TA LARTSOJJN FIGUREN E VACES TA COJN NE LLARTSIN E DUHUR