Ky vend afrikan është shndërruar në “parajsë” për kompanitë që nxjerrin diamante. Megjithatë, edhe pse jetojnë mes këtyre gurëve të çmuar, popullsia vazhdon të jetojë në varfëri të skajshme
Minierat e mëdha të gurëve të çmuar në lindje të Zimbabve nuk e kanë përmirësuar aspak cilësinë e jetës së banorëve lokalë. “Shpresat tona për të përfituar nga diamantet janë shuar”, thotë Shylet Mutsago, 63 vjeç, i cili jeton në afërsi të minierave të diamantit të Maranges, një qytet ku ndodhet një nga minierat e diamanteve më të pasura në botë. “Dhe me këtë thatësirë të madhe, jeta jonë është në duart e Perëndisë.
Jetojmë afër këtyre minierave, megjithatë po vdesim urie”, pranon ai.
Populli i Maranges, rreth 80 mijë njerëz, shpresonte që industria e diamantit ta shpëtonte nga uria që ka pushtuar vendin për shkak të thatësirës, e cila nga ana e saj ka shkretuar prodhimet bujqësore. Kjo sepse ligji kombëtar kërkon që kompanitë e minierave të ndihmojnë komunitetet lokale. Fshatarët prisnin ringjalljen e sistemeve të ujitjes, të cilat për momentin nuk funksionojnë si duhet. Aktualisht ata nuk mund të sigurojnë as edhe një vakt në ditë, raporton Reuters.
Sipas ligjeve vendore, komunitetet të cilëve u shfrytëzohen burimet natyrore duhet të marrin një pjesë të fitimeve. Kur u krijua nga presidenti Robert Mugabe në 2012 komuniteti Zimunya-Marange, pesë kompanitë e diamanteve që operojnë në vend kanë premtuar se do të jepnin 10 milionë dollarë secila për të mbështetur banorët lokalë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Kanë kaluar katër vjet dhe gjithsej janë depozituar vetëm 400 mijë dollarë. Historia bëhet edhe më e komplikuar duke pasur parasysh se në vitin 2015 në një komision parlamentar kompanitë thanë se nuk kanë nënshkruar kurrë ndonjë marrëveshje me shkrim për të paguar 50 milionë dollarë, por ka pasur një marrëveshje verbale.
Sipas disa ekspertëve të cituar nga Reuters ka një problem me rregullat në Zimbabve për këtë çështje, një vakum ligjor nga i cili po përfitojnë kompanitë. Në sajë të këtij vakumi kompanitë mund të vendosin se sa duan të kontribuojnë. Në vitin 2014, qeveria njoftoi se të gjitha kompanitë e diamantit në Zimbabve do të shkrihen në vitin 2016 në një njësi të vetme, “Zimbabwe Consolidated Diamond Company”, në përpjekje për të përmirësuar transparencën. Qeveria do të ketë 50% të aksioneve në kompaninë e re.
Në një seancë pyetje -përgjigjesh në Parlament, Walter Chidhakwa, ministri i Minierave tha se njësia e re duhet të përmbushë premtimin për të ndihmuar komunitetet lokale. /DITA
