Po veteranët e Luftës NAÇL ku janë?

redaktor

Letër e nënshkruar
V.Hoxha, Gjirokastër
Gazeta “Dita”! Respekt për ju që na jepni mundësinë për të shprehur lirshëm opinionet tona për problemet që kemi. Si kudo në mbarë Shqipërinë, edhe këtu në Gjirokastër po zhvillohen aktivitete të shumta e të larmishme në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit të Atdheut. Qëllimi i tyre natyrisht që është i mirë, sepse evokohet një epokë e lavdishme e historisë së popullit tonë që u radhit në krah të fitimtarëve, edukon brezin e ri dhe fëmijët me epopenë e lavdishme të popullit shqiptar në luftën e tij kundër nazifashistëve dhe tradhtarëve të vendit, u largon mjegullën që kërkojnë të përhapin pinjollët e tradhtarëve, kolaboratoristëve dhe pseudo historianëve, rrit krenarinë e shton frymën patriotike e atdhetare në brezat e reja të popullsisë.
Por… Në aktivitetet që zhvillohen lind pyetja: ku janë veteranët e Luftës NAÇL, ata që bënë këtë luftë të lavdishme? Ata që janë akoma gjallë, që si kudo në Shqipëri, edhe në Gjirokastër numërohen me gishtat e dorës (sepse koha bën të vetën)?
Janë të rralla, shumë të rralla ftesat për ta. Mungojnë ata në eventet që zhvillohen me pretekstin se janë të moshuar e nuk munden. E pavërtetë! Nuk janë në podiume, në radhët e para të sallave të mbledhjeve, në drekat e darkat që organizohen për nder të ftesave, nuk janë në tribunat e parakalimeve, në ceremonitë e ngritjes së flamurit, në nderimet për dëshmorët e Luftës. Disa prej tyre vërtet nuk munden, por ata kanë djemtë e vajzat e tyre, kanë nipat e mbesat, të cilët me krenari e dinjitet mund t’i përfaqësojnë ata denjësisht në këto evente. Ftohen në këto aktivitete të tjerë njerëz, si kudo, miq e shokë, zyrtarë me kollare, pseudo veteranë, servilë e lëpirës, bile edhe njerëz e mohojnë dhe denigrojnë Luftën e lavdishme të NAÇL. Kulmi shkon deri atje sa edhe dekoratën e “70 vjetorit të çlirimit të Atdheut” që krijoi qeveria shqiptare për të gjithë veteranët e luftës NAÇL që janë gjallë, që në të gjithë Shqipërinë nuk bëhen as 1000 të tillë e në Gjirokastër janë fare pak, u dërgohet këtyre ikonave të gjalla të kësaj lufte me pagatorin e fshatit ose të lagjes ku jetojnë sikur po i çojnë çdo muaj pensionin mujor. Turp! Ku qëndron vlera e kësaj dekorate? Besoj se ky ishte dhe vlerësimi i fundit në jetën e tyre të gjatë të nderuar e plot sakrifica, të cilën me gjithë vlerat që ajo mbart, nuk e meritonin t’ju shpërblehej kështu!
Me respekt.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *