Trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino, ka replikuar me ton polemizues ndaj deklaratës së bërë nga trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, i cili i etiketoi spursat si një ekip i një futbollisti të vetëm, Harry Kane.
“One man team” ishte termi anglisht i përdorur nga Guardiola për ecurinë e golashënuesit anglez. “Skuadra Harry Kane” është pretendente për titullin sepse ai shënon gola në çdo ndeshje, tha spanjolli, duke “eklipsuar” Tottenham.
Pochettino, në konferencën për shtyp para ndeshjes kundër Bournemouth, u përgjigj: “Fjalët e Guardiola janë mungesë respekti për pjesën tjetër të Tottenham. Futbollistët e mi, ne si staf dhe tifozët mendojmë se jemi me fat që kemi Kane në skuadrën tonë, por ai nuk është i vetëm, si thotë Guardiola.
Unë nuk e kam thënë kurrë që Barcelona e Guardiola ishte vetëm Messi. E kanë thënë të tjerë, unë mund të kem qenë dakord, por për respekt të Pep dhe ambientit katalanas nuk mund ta thoja kurrë…”
