Podrimja përkujtohet në “Voix de la Mediterranée”

anazapta

Në Francë nisi edicioni i radhës i festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, ku që në hapje u përkujtua poeti Ali Podrimja, i cili një vit më parë humbi jetën pikërisht në këtë vend. Nuk u lanë pa përmendur dhe vargjet e tij si një testament poetik, ku poeti shprehte dëshirën të vdiste me sytë hapur duke parë nga qielli, ashtu siç ndodhi në realitet.

Poezia shqipe këtë vit përfaqësohej nga poetja Rita Petro (Filipi) nga Shqipëria dhe poeti i ri nga Kosova, Ndriçim Ademaj. Gjatë takimeve poetike iu bë një prezantim mjaft dinjitoz poezisë dhe kulturës shqipe, e veçanërisht vjetërsisë së gjuhës shqipe.

Për poetët e ftuar nga Shqipëria dhe Kosova ishin rezervuar disa takime poetike, ku leximet në gjuhën shqipe shoqëroheshin me leximet nga aktorë francezë.

Mjaft interesante ishin takimet poetike në lumin plot gjelbërim të Lodeves, ku njerëzit dëgjonin me këmbët e futura në ujë. Poezia e Rita Petros dhe e Ndriçim Ademaj u duartrokit dhe u prit me një interesim mjaft të madh nga studiuesit e poezisë, nga poetët e ftuar si dhe nga lexuesi francez.

Në Antologjinë e botuar prej Festivalit, Ndriçim Ademaj u përfshi me poezinë“Mon Amour”, ndërsa Rita Petro me vargjet e librit “Shija e instinktit”.

Pasioni dhe energjia femërore, zbulim aq hapur i nënvetëdijes, guximi i poeteshës shqiptare Rita Petro për të krijuar një komunikim aq intim me lexuesin, u vlerësuan nga auditori francez si surpriza të Festivalit poetik 2013. Vitin e shkuar, poeti nga Kosova, Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët, miqtë e familjarët e tij.

Autoritetet vendase zhvilluan kërkimet, derisa se gjeten trupin i tij të pajetë pranë lumit të qytetit. Autoritetet franceze patën deklaruar se vdekja e poetit kosovar dyshohej të jetë si pasojë e dehidratimit. Ali Podrimja u varros me 26.07.2012 në varrezat e Prishtinës.

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *