MOIKOM ZEQO
GALICIA, MITI I QEFINIT
Shtator 1995.
Udhëtimi im i parë në Ukrainë.
Ditari kaotik i udhëtimit.
Në skaj Galicia e harruar.
Miti i Galicisë.
Paradoks shpërthyes.
Në perëndim të Ukrainës Galicia as e gjallë dhe as e vdekur.
Miniatura e thekshme e gjeografisë.
Në enciklopeditë e vjetra për Galicinë ka vetëm pak rreshta. Ky është iluzioni përvëlues dhe helmues.
Atlantida u zhyt. Galicia jo.
Ah Galicia atlantidase!
Pamje në retina sysh të poetëve të famshëm, por që s’shohin më. Lvovi ishte kryeqyteti i pasur dhe plot gjallëri i Galicisë, provincë e Austro-Hungarisë.
Sot, ky qytet është harruar krejtësisht, është harruar aty, diku, midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai ndodhet nga ana e gabuar e kufirit të ri, të Bashkimit Europian, atje ku duhet të hysh me vizë.
E ndodhur në perëndim të Ukrainës, Galicia tashmë s’është më veçse një mit: nëpër enciklopeditë e vjetra, i kushtohen veçse disa rreshta. Megjithatë, vargjet e Paul Celanit (1920-1970) dhe të Rose Auslander (1901-1988) e kanë bërë këtë rajon të pavdekshëm: Rose u frymëzua nga fati tragjik i prozatorit Bruno Schulz (1892-1942), ashtu si dhe nga jetët e poetëve Zbigniev Herbert (1924-1988) dhe Adam Zagajevski (i lindur në vitin 1945). Dhe pikërisht këtu, kufijtë e kombeve janë ngatërruar me njëri tjetrin, për shekuj të tërë. Por, megjithatë, Europa mbaronte gjithmonë në këtë vend… ose në këtë vend fillonte për banorët e Lindjes. Shumica e ndërtesave ende e ruajnë stilin e perandorisë së Habsburgëve, të lyera me ngjyrë okër. Stacionet e trenit ngjajnë si copa keku të stërmëdha, të lyera me krem. Për sa u përket banorëve, gjithçka ndryshon. Galicia dhe provinca afër saj, Bukovina, deri në Luftën e Dytë Botërore, ishin dy qendra të mëdha kulturore. Banorët e saj u përzunë dhe u vranë, jo vetëm nga forcat e trupave SS, që brenda pak vitesh shfarosën të gjithë hebrenjtë e Lindjes, por edhe nga funksionarët komunistë, të cilët vazhduan punën e të parëve. “Zjarri bënte vrima në kohë”, shkruante Rose Auslander, në ekzil. Për të kaluar nga ana tjetër e kësaj “vrime në kohë”, për të gjetur në Lvovin e sotëm post-sovjetik, pak nga ai qyteti i dikurshëm austriak, i quajtur Lemberg (deri në 1918), apo nga Lvovi i periudhës midis dy luftërave botërore. Në Lvov është ende sot Statuja e Adam Miskieviçit, poetit kombëtar polak. Vargu i tij i skalitur: “O Lituani, atdheu im!” Në rrugën Tarkovski është “Vila 14”. Këtu ka jetuar disa vjet oficeri i SS-ve Feliks Landau, i cili e kalonte kohën e lirë duke shtënë me revolver nga ballkoni mbi kalimtarët.
Realiteti i dikurshëm tani është boshllëk këtu unë lëviz nëpër iluzion.
Lëvizje abstraksioni.
Ja dhe sinagoga, rrënojat e të cilës, tashmë shërbejnë si banjo publike për të rinjtë të veshur me të zeza. Ja dhe hyrja për në lagjen e varfër. Më parë aty jetonin rreth 120 mijë hebrenj, sot kanë ngelur 20 mijë.
Pak më larg ndodhet shtëpia ku ka lindur Zbigniev Herbert.
Ajo vazhdon të ekzistojë edhe sot, por qyteti ja ka shitur një shoqërie private që e ka mbushur me xhama të lyera me bojë.
Poeti polak, Adam Zagajevski shkruan për qytetin e tij të lindjes: “Të shkosh në Lvov. Por ku të ndalojë treni? Lvovi s’është veçse një ëndërr në agim, një pikë vese mbi valixhe, në kohën kur u krijuan trenat ekspres.”
Mbyllim sytë dhe mundohemi të imagjinojmë vendin ku erdhi poeti Alfred Doblin, në vitin 1924, gjatë udhëtimit të tij, në Poloninë e asaj kohe. Ndërsa shikon kudo gjurmët e progomit të vitit 1918, shtëpi të djegura, që ende nuk janë rindërtuar. Pyes se ç’bëhet me antisemitizmin sot në Lvov. Nuk bëhet fjalë më për antisemitizëm në këtë qytet, ka në Kiev, dhe sigurisht në Rusi, por jo këtu. Në mbrëmje në restorantin Amador. Kështu që më ulin në tavolinën më të mirë, nën portretin e perandorit Frans – Joseph. Rruga e jugut, që na çon në Bukovinë, është e mbushur plot me kryqe dhe fotografi të rinjsh, fati i të cilëve ka ndalur në këto vende.
Janë tokat e Joseph Roth, shkrimtari hebre, që shkruante në gjermanisht.
Pikërisht në këto vende, oficerët e rinj të romanit “Ecja” e Rodetzkyt, pinin alkol 90-gradësh, për të duruar klimën dhe mërzinë e rajonit.
Dhe pikërisht këtu, vdes, i shkatërruar nga vetmia mbytëse e rajonit, një funksionar mëse i zellshëm, Anselm Eibenschutz, personazh i romanit “Les Fausses Mesures” (“Masat e rreme”). Për sa i përket vetë Joseph Roth, ai vdiq, i alkolizuar, në moshën 45 vjeçare, në vitin 1939, në Paris.
Fare afër kufirit me Rumaninë, gjendet qyteti më mitik nga të gjithë të tjerët, Czernovitz-i, sot quhet Cernovtsy, një qytet për të cilin Paul Celani thoshte se “njerëzit dhe librat lindin bashkë”.
Një qytet që ka qenë, moldav, polak, austriak, rumun, sovjetik, ukrainas – por që mbi të gjitha është një qytet intelektual hebre, ku flitet gjermanisht.
Niveli i përgjithshëm i arsimimit ishte kaq i lartë saqë pretendohej, se dhe orkestrat më në zë, kishin frikë të luanin në këtë qytet, pasi publiku e ndiqte muzikën me partitura në duar. Edhe stonimi më i vogël, kapej pa pikën e mëshirës.
Sot, praktikisht asnjë njeri në Cernovtsy, nuk e di kush ishte Paul Celani, Rose Auslender apo Aharon Appelfeld. Influenca perëndimore duket vetëm tek qeset plstike që mbajnë firmën Hugo Boss dhe tek sirenat e policisë që kopjojnë Hollivudin.ù
Shpirti i qytetit, që poetët në ekzil, nuk kanë mundur ta harrojnë kurrë, është zhdukur.
Shpirti i qytetit ishin pikërisht kafenetë, tarracat, bisedat e zjarrta, bredharakët. Së shpejti do të vdesin edhe hebrenjtë që flasin gjermanisht dhe gurët e përmbysura të varreve do të jenë gjithçka që do të mbesë nga madhështia e qytetit të Cernovskit… Galicia.
Para luftës në këtë vend kishte më tepër librari se dyqane buke, më shumë poetë se sa specialistë bankash. Kafenetë më të mira të Lvovit,- njerëzit ndiheshin krenarë, kur nëpër rafte rendisnin më shumë se njëqind gazeta të ndryshme në tërë gjuhët e botës.
Shpirtin e Galicisë së tretur (sa shumë harresë e pamëshirshme!) e mbajnë gjallë vargjet e poetëve Paul Celane, Rose Auslander, Zbigniev Herbert e Adam Zagajevski.
Të gjithë kanë jetuar këtu.
Në vendin, ku kufijtë e kombeve dhe gjuhëve janë ngatërruar keqas me njëri-tjetrin.
Dy ditë në Galaci sa 200 vjet!
Shënime haluçinante.
Pikëlluese!
S’gënjej dot!
Galicinë s’e njoh.
Poetët e saj i njoh.
Gjatë kthimit nga Ukraina në Tiranë lexoja një libër me poezi të Adam Zagojevskit.
Një poezi e tij flet për një meditim përballë një kanavace. Kanavaca është ose bosh, ose një pikturë e errët.
Kanavaca mund të kishte qenë edhe mantel, flamur, ose thjesht këmishë festive.
Përballë kësaj pëlhure iluzive qenia elektrizohet, arti i pikturës mund të shfaqet, të dalë nga ditët e zbrazëta.
Imagjinata e poetit është si gjuha e një këmbane transcedentale e cila jeton (shpallet) vetëm kur lëkundet.
Kur godet atë që don.
Kur dashuron atë që godet.
Meditimi përballë kanavacës është fatal.
E kupton se është njëkohësisht edhe qefini hyjnor.
Ah, qefini i Galicisë!(shtator 1995)
SINAKSARI
Sinaksari apokrif i shën Kristoforit.
Ai ishte një gjigant. Delirant dhe i paturp për forcën e tij.
Muskuloz.
Po jo mendor.
I shërbeu perandorit romak.
Por perandori i trembej Satanait.
Satanai i trembej kryqëzimit të Krishtit.
Kristofori u arratis në shkretëtirë.
Ndenji buzë një lumi natë e ditë, vite të tëra.
Duke pritur.
Koha kishte ngecur.
Ju afrua një fëmije që ju lut ta mbartëte përtej lumit.
Një fëmijë.
Një vogëlush i brishtë.
Ishte muzg.
Kristofori me lehtësinë më të madhe e ngriti fëmijën peshë.
U fut në ujërat e lumit.
Por mbas çdo hapi të hedhur pesha e fëmijës bëhej përherë dhe më e rëndë.
Kur arriti në mes të lumit ju duk sikur mbante mbi supe tërë gjithësinë.
S’ecte dot.
S’kishte më fuqi.
Fëmija nisi të qeshë.
Në qiell ndodhi katrahura kozmike.
Koha lëvizi me shpejtësi të pabesueshme.
U bë natë, pastaj ditë, përsëri natë dhe përsëri ditë dhe kjo u përsërit mbi njëqind herë.
Lumi u bë i gjerë më shumë se oqeanet.
Gjymtyrët ju gurëzuan.
Me një përpjekje të parrëfyeshme dot lëvizi përsëri.
Tani e kuptoi se ishte duke mbajtur Krishtin.
Fytyrës së fëmijës i doli një mjekër e thinjur.
Kjo mjekër ishte vetë amshimi i pamatë.
Sytë e Krishtit shkrepëtinin.
Ai vizatonte me vështrim në horizontin përballë imazhet në lëvizje të njerëzimit dhe të së pafundmes.
Ah, shën Kristofor!
Ah, e vogla që rëndon më shumë se çdo e madhe! ( 1997)
ËNDËRRAT E CARL GUSTAV JUNGUT
Në Talmud thuhet “ëndërrat e shpjegojnë vetveten”.
Carl Gustav Jungu i pa dy ëndërra.
Ëndërra e parë:
“Në shtëpinë e tij shfaqen dhoma të panjohura.
Në këto dhoma që shumëfishonin vetveten banonin prindërit e vdekur vite më parë.
Për habinë e tij Jungu zbuloi se babai kishte një laborator, ku studionte anatominë krahasuese të peshqve, kurse nëna kishte sajuar një dhomë pritjeje ku i bënin vizitë personazhe historikë të antikitetit dhe fantazmat e kafshëve të zhdukura.
Në shtëpi kishin ndryshuar edhe mobiljet, tani kishte mobilje të lashta në vend të atyre të stilit barok, mobilje tepër të përdorura, disa prej tyre ishin të Egjiptit të faraonëve, ose tryeza kineze perandorake.
Në ëndërr Jungu e zbuloi në katin e sipërm (shtëpia i kishte shtuar katet) një bibliotekë të vjetër me libra të panjohur për të.
Filloi të shfletojë një libër dhe pa ilustrime të mahnitshme të pasura me simbole magjepse.”
Ëndërra e dytë:
“Jungu pa sikur ndodhej në shtëpinë e Zigmund Frojdit, ku s’kishte qenë asnjëherë, pikërisht në katin e dytë në kabinetin, një dhomë komode dhe e këndshme, mobiluar me stilin e shekullit XVIII.
U habit pamasë.
Zbriti me një kuriozitet gërryes në katin e parë.
Kur zbriti poshtë pa apartamente të zymta me mure të mbuluara me pllaka druri dhe gravura të Dyrerit, dhe me mobilje të shekullit XV.
Ndoshta edhe më të motshme.
Ju shtua kërshëria dhe habia.
Deshi të studionte tërë shtëpinë.
Zbriti në bodrum.
Aty qe një derë, pas saj qe një shkallë e gurtë, që çonin në një mjedis të madh të ngjashme me një kriptë monumentale.
Dyshemeja qe me pllaka guri të ashpër, muret qenë po prej guri.
Në rrëzë të mureve llaçi qe përzierë me thërrime tullash të kuqe sipas teknikës romake.
Ju shtua më tepër pasioni i vëzhgimit.
Një nga pllakat e kishte një unazë metalike.
E ngriti, pa në brendësi një rrallë shkalloresh të ngushta në formë eliptike që çonin në një shpellë të nëndheshme prehistorike.
Aty gjeti dy kafka, copëza eshtrash dhe amfora të thyera.”.
Jungu i ka botuar këto ëndërra.
Të dyja lidhen me shtëpi të ndryshme.
Arkitektura onirike. Të pazakonta.
Në fakt Jungu mund të ketë kompiluar dy parabola absurde.
Simbolikat janë përplasëse, kundërshtuese.
Në lartësi zbulon bibliotekën, me gjasa plot me kodikë të alkimistëve të Bizantit.
Dhomat që shtohen dhe katet që lartësohen janë si një organizëm i gjallë që rritet pa u ndalur.
Në thellësinë e shtëpisë tjetër zbulon shpellën prehistorike me kafkat.
Ç’qenë këto kafka?
Pse dy kafka?
Kodikët janë kthyer në kafka dhe lartësia e epërme në thellësi të poshtme.
Mos kafkat janë ato të vetë Jungut dhe Frojdit, por jo në të ardhmen, por në të shkuarën e largët?
Duke kthyer mbrapsh sensin e kohës?
Pse kështu?
Tekstet e ëndërrave gërshetohen, mpiksen, fosilizohen.
Pavetëdija i ashpërson, konkretizon elementet e dukshëm, rutinare dhe reale.
Kafkat prehistorike mund t’i kenë lexuar librat alkimike si dhe vetë librat e Jungut dhe Frojdit.
Duke zhdukur dhe kapërcyer distancat.
Komentet që bën Jungu për dy ëndërrat (që i mbiquan djallëzisht si të tijat) janë qesharake dhe dogmatike.
Unë që po i shkruaj këto rreshta po i profanoj.
Jo pa alegori dhe ironi përbuzëse.
Një mirosje e egër.
Simbolike është ajo fjalë ,apo figurë, kuptimi i të cilës del jashtë kuadrit të drejtpërdrejtë dhe nuk mund të përcaktohet, apo të shpjegohet saktësisht.
Kur arsyeja përpiqet të pranojë ndonjë simbol, pashmangërisht arrin tek idetë, që qëndrojnë jashtë caqeve të logjikës.
Duke quajtur diçka “hyjnore”, duke vepruar brenda caqeve të arsyes nuk besojmë gjë tjetër veçse japim një emërtim, duke u mbështetur në besimin, por kurrsesi në fakte.
Argumentum a simili valet in lege.
(Është i lejueshëm argumentimi në bazë të ngjashmërisë.) ( 2009)

Dita do ish shume atraktive,mendoj une,per lexuesin e gjere,qe here mbas here,te botoni ndonje tregim,apo ndonje poezi,nga elita boterore letrare,apo ajo shqiptare.
Do kontribonit sado pak keshtu,ne uljen e hormoneve te urrejtjes se verber ,qe cfaqen ketu,qe nga ndonje analist i juaj dhe ndonje lloj bashkebiseduesi,qe sapo ka zbritur nga pemet.