Xhahid Bushati
-Reflekse nga krijimtaria poetike e poetit nga Kosova, Gani Xhafolli-
Takimi i fundit me poetin nga Kosova Gani Xhafolli ishte, më 05.06.2015, në Panairin e 17-të të Librit në Prishtinë. U shmallëm si miq të vjetër, pa ditur se… ky ishte takimi e përqafimi i fundit. Në tavolinë ishin edhe poetët Ibrahim Kadriu, Xhevat Syla, si dhe studiuesi Mahmud Hysa (pak kohë më parë ka ndërruar jetë). Para se të merrja rrugën për në Shkodër, Ganiu më dhuroi librin e tij të fundit: “Gishtat me flutura”.
Gani Xhafolli, autori i 50 veprave të botuara dhe të ribotuara!.. E shfletoj librin e fundit me drithërimë, si një bisedë e lënë përgjysmë…, ku si “parathënie” në të shkruan: “Librin e kanë lexuar në dorëshkrim: 5 shkrimtarë, 5 pensionistë, 5 nëna, 5 vajza + 5 djem.” Edhe ky libër, ashtu si të tjerët, vizualiteti përbën mademin e çmueshëm rrezatues. Një veçori e rrallë në letrat tona shqipe për fëmijë e të rinj. Me ilustrime e me tekst poetik. Një ndërthurje që plotëson portretin e librit. E shfletoj… Dhe… më shfaqen gishtrinjtë e poetit të kthyera në flutura, të cilat zbukurojnë ditët e tij të diellta “diellin do ta fotografoj / çdo mëngjes”; netët e tij të kthjellta “thuaj HËNËS / çdo natë: të dua”; qiellin e përjetshëm të amshimit, dhe… “të mira janë vjershat / e Xhani Rodarit / dhe të Agim Devës / edhe hëna është e mirë / i përngjan nënës / kur e përkund djalin”… I përmenda disa nga këto ‘personazhe’, të cilat hijeshojnë poezinë e tij dhe mbeten sa mitikë aq dhe fantastikë në botën dhe në laboratorin të frymëzimit të tij.
Figura dhe krijimtaria e poetit Gani Xhafolli kanë qenë objekte shqyrtimi të punës sime hulumtuese e studimore. Natyra krijuese, formulimi i tekstit, shtresat kuptimore të nëntekstit, sistemi figurativ e metrik; veçanërisht mënyra e paraqitjes grafike e krijimit, e bëjnë Gani Xhafollin një model poetik, që në procesin krijues tenton gjithnjë t’u ik disa formateve të njohura që e kanë bashkëshoqëruar gjatë në rrugën e saj poezinë për fëmijë e të rinj. Gani Xhafolli: “…, si për kualitetet që sjell, tematikën dhe vlerat ideo-estetike, arrin që edhe njëherë ta vë në dyshim konceptin (tradicional, nënvizimi im, Xh. B.) “poezi për fëmijë”. (Musliu, Ramadan: “Ekskurs në Letërsinë për fëmijë”, kritikë letrare, TLS&FRIENDS, Kumanovë, 2011; shkrimi: Prirja për inovacion, f. 79.)
Gani Xhafolli, si poet i letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj, të fton për një “bashkëbisedim” të mëtejshëm për udhën e tij poetike që ka zgjedhur. Në udhën e këtij “bashkëbisedimi” tërheq vëmendjen së pari, akti i tij i krijimit. Këtë fenomen një studiues e ka shprehur në këtë mënyrë: “Janë të rrallë krijuesit si Gani Xhafolli, që e shohin krijimtarinë letrare si një akt i skajshëm individual, i cili dhe nuk do me thënë të ketë mbështetje në një paratekst a në një traditë shkrimore.” (Konushevci, Abdullah, Për poezinë, Artikuj & vështrime letrare, “Nositi”, Prishtinë, 2008; shkrimi: “Poezia pamore”, f. 191.)
Dhe shtysa tjetër e këtij “bashkëbisedimi” është se: “Studimi i imazhit poetik prek qendrën e krijimtarisë poetike dhe të veçanësisë së gjuhës poetike.” (Lëngu, Ilia, Vështrimi i Orfeut, Artikuj e studime), Argeta – LMG, Tiranë, 2007; shkrimi: II. Imazhi poetik , f. 15.)
Dhe më tej… po ky studiues vazhdon e thotë: “Kësisoj ajo (poezia e Gani Xhafollit, – nënvizimi im, Xh. B.) krijon lidhje, pranëvënie, bashkime të pazakonta, të befta, të habitshme, duke vënë në lëvizje imagjinatën tonë për t’i parë gjërat nën një dritë a këndvështrim të ri. Falë këtij procedimi, lindin apo krijohen imazhet poetike, pa të cilat nuk mund të përfytyrohet poezia si e tillë. (Lëngu, Ilia, Vështrimi i Orfeut, Artikuj e studime), Argeta – LMG, Tiranë, 2007; shkrimi: II. Imazhi poetik , f. 15.)
Vrojtimet, konstatimet dhe perceptimet tona arrijmë në përfundimin se, që në librin e parë talenti i tij ka vënë disa pika mbi i, të cilat kanë vijëzuar disa veçori në individualitetin e tij poetik. Librat e tjerë që botoi më pas poeti, si në fushën e poezisë, ashtu edhe të prozës së gjatë; kanë ardhur duke thelluar e pasuruar mëvetësinë poetike dhe theksuar më tej origjinalitetin e tij.
Të gjitha këto vlera autori i ka arritur sepse: “E para, ajo (poezia, – nënvizimi im Xh. B.) është e çliruar nga barra e stërmundishme e didaktizmit dhe nga moralizimet e këshillat kaherë të demoduara… E dyta, qasja nga një kënd krejt i veçantë botës së fëmijës dhe përpjekja për të shqiptuar e zbërthyer atë me një gjuhë specifike dhe e treta – është gjithsesi më i vëni re, shenja karakteristike e formës, që e shquan sidomos veprën e tij poetike – vula e mvetësisë. ( Ramabaja, Rushit: Rikëndimi i botës me gjuhë të re, gazeta Rilindja, 07.05.1994 (libri: “Lejlek i syrit”, autori: Gani Xhafolli, Flaka e Vllazërimit, Shkup, 1992)
Një dukuri e tillë të krijon bindje kur përballesh me konfiguracionin poetik që, në të shumtën e rasteve është sa i befasishëm aq i çuditshëm, edhe pse mund të lodh së menduari e të hutojë ndoca gjatë komunikimit me tekstin poetik, veçanërisht në aspektin formal e grafik.
Në vështrimin tipologjik të krijimtarisë poetike të Gani Xhafollit spikasin disa koncepte estetike e udhërrëfyese, tipare e cilësi, marrëdhënie me vetveten, letërsinë e më gjerë, për të arritur në një konklozion: për dhe me jetën që e jeton. Të gjitha këto autori i ka paraprirë dhe i ka pasqyruar dukshëm në një poezi kushtuar vetes edhe në një intervistë të dhënë para disa kohësh, për të cilat e shohim të udhës të flasim më gjerë në të ardhmen. (Xhafolli, Gani, Fluturat janë xheloze, Asdreni, Shkup, maj 2008; poezia: “Unë Jam gani xhafolli”, f. 5. Intervistë me krijuesin Gani Xhafolli, Kosova Sot, 26 prill 2009, Intervistoi: Isa Vatovci http:// ëëë.kosova-sot.info/?p=33696)
Autoportretin (poetik) e ndërton përmes enumeracionit, ku në themel ka vendosur zemrën e tij. Ajo flet me lexuesin, rreh për lexuesin dhe ëndërron me dhe për lexuesin . Unë do ta quaja: Univers. Por dhe vetë ndërtimi i enumeracionit që procedon në këtë poezi konfiguron në vetvete një Univers. Ata nuk janë të shkëputur, por marrin e japin me njëri-tjetrin. I dyti, ndonëse paraqitet me një shumanshmërinë autoriale merr “jetë” nga i pari.
Më konkretisht. Plani i parë i autoportretit është: Zemra me plot dritare, unaza, oqeane e ajër. Ndërsa plani i dytë i autoportretit është: Zemra plot diell, dete, zogj, rrugë, pemë, lule, dashuri, bletë, këngë. Këto dy plane duhen parë në vijimësi dhe në shkrirje harmonike të njëri-tjetrit, njëherazi duke i parë edhe si dukuri motivesh e ‘stacione frymëzimi” që i gjejmë të reflektuara në korpusin poetik të autorit.
Shkodër, shtator 2019
