Gazeta DITA
Notification Show More
Latest News
“Vila e denoncuar nga Bardhi është e Flamur Nokës, ndodhet në Gjirin e Lalzit pranë asaj të Berishës”
Kronike Lajmi i fundit
VIDEO: “Pse Rama nuk ka asnjë lidhje me Enver Hoxhën”, disa mendime mbi dhunën, socializmin e (pa)mundur dhe zaptimin e shtetit nëpërmjet partive
Kendi i Kryeredaktorit Kryesore Lajmi i fundit
“Një gazetar pasanik është një gazetar që qelbet erë, unë do ta pushkatoja”, leksioni i fundit i Montanellit, lista e pagave dhe historia e Senekës
Kendi i Kryeredaktorit
Ushqimi që u shpik shumë pranë Shqipërisë, sot është privilegj i të pasurve
Kryesore Lifestyle Shendetesi
Kush votoi nga opozita për Bajram Begajn?
Aktualitet Lajmi i fundit Politike
Aa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Botë
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Dita TV
  • Lifestyle
Reading: Poeti që platit zhurmat e jashtësisë
Share
Gazeta DITA
Aa
Kerko
Follow US
Gazeta DITA > Jeta ne cift > Poeti që platit zhurmat e jashtësisë
Jeta ne cift

Poeti që platit zhurmat e jashtësisë

anazapta
Published April 7, 2013
Share
SHARE

Nikola Madzirov, poeti shumë i talentuar dhe i suksseshëm, i përkthyer në mbi 30 gjuhë të ndryshme erdhi në gjuhën shqipe me “Gur i zhvendosur” përkthyer më mjeshtëri nga Milena Selimi dhe publikuar nga botimet “Poeteka”. Ai qëndroi një muaj në Tiranë  në shtëpinë e shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë, “Tirana in Between”. Një program ky i themeluar në Tiranë me nismën e Arian Lekës nga botimet “Poeteka” në bashkëpunim me Traduki-n, rrjetin europian për letërsinë dhe librat, ku marrin pjesë vende të ndryshme.

 A arrin ta shohë poezia përsosmërinë? A është ajo si kuptimësi, e parë dhe e dallueshmë veç prej shqisës së ndjeshme të artistit? Habia jonë perceptive kur ajo na zbulohet në një formë a tjetër është e pashmangshme. Ndjehesh si në faj që po të dhurohen do të vërteta që paskan qenë aq pranë teje, por që ti u kalon ndanë çdo ditë pa i vënë re. Ka një lloj pafuqie para artit të bukur, përballë të cilit gjëja më mirë që mund të bësh është t’i besohesh e ta lësh veten  të plotësohesh.

Përsosmëria lind

Për mesazhet e ujit në trupin

tonë dua të më flasë dikush,

për ajrin e djeshëm

në kabinat telefonike,

për fluturimet e anulluara nga

dukshmëri e dobët dhe përbri të gjithë

ëngjëjve të padukshëm nga kalendarët.

Për tharësen që qan në erërat tropikale,

për erën e mirë të temjanit ndërsa

zhduket, dua dikush të më tregojë.

 

Besoj: kur lind përsosmëria

të gjitha format dhe të vërtetat

si lëvore veze po plasin.

 

Vetëm psherëtima e ndarjeve të buta

mund ta heqë rrjetën e merimangës

dhe përsosmëria e tokave të përfytyruara

mund ta shtyjë mërgimin

e fshehtë të shpirtrave.

 

Po çfarë bëj unë me trupin tim të papërkryer:

shkoj dhe kthehem, shkoj dhe kthehem,

si sandalja plastike mbi valët

e bregut.

 

IMGTë takosh Nikolën është si të gjesh një hapësirë të shkëputur nga realiteti, hapësirë në të cilën ti përqasesh lehtësisht. Sa elegante është thjeshtësia! Tek e dëgjon të flasë vëren se ai dhe poezia e tij janë natyrshmërisht të njëri-tjetrit, krejt kuptueshmërisht të identifikueshëm bashkë, si një tërësi e papenguar që rrjedh paqtë e mbërrin te ty në kohën e masën e duhur. Nuk ka asgjë të tepërt në mënyrën si Nikola i komunikohet tjetrit, mendimet e tij mbi botën kanë lëmueshmëri, përcillen me një zë të shtruar e mirësjellje të hijshme. Vështrimi i tij i vëmendshëm e njëkohësisht i butë dëften për një njeri që nyjëtohet te tjetri në një mënyrë të tillë, sa si fillim heshton gjithë zhurmat, platit çdo gjë që ti të mund ta dëgjosh e kuptosh.

Heshtja na bën të gjallë…

Një ndër vargjet e Nikolës që të fton në një udhëtim poetik ndryshe, të cilin jo pa qëllim e zgjodha për ta cituar, duke shprehur kështu plotësisht mënyrën e perceptimit se si mund t’i avitesh kësaj poezie aq të veçantë. Poezi, klima më e qenësishme e së cilës, për ta lexuar, është më së pari qetësia. Duhet siguruar një heshtje personale, fashitëse për të pasur të njëmendtë mbërritjen në botën e fjalëve të Nikolës. Fjalëve zëulta që përcjellin një botë të vërtetash renditur e ndërtuar me një kujdes të pangjashëm dhe mençuri që nuk lë asnjë imtësi t’i shpëtojë. Një botë me ngjyra ndryshe, të cilën nuk mund të thuash se e kupton, pa u njehsuar me të, pa hapur mendjen e shpirtin posaçërisht për të.

“Gur i zhvendosur” të udhëton, të bart e të nxjerr në kahun matanë të ndijimeve me një hijeshi që ma do mendja rrallëherë haset e që kur ndodh të lë në vend të ngashëryer.

Plotësia ndijore është e paracaktuar. Brenda rrëfimit poetik ke ndjesinë se je marrë dhe vënë në një terren të panjohur, por njëkohësisht të qenësishëm për dijen tënde. Mbi të gjitha e mrekullueshme është ndjesia e të qenit i mbrojtur, i përkujdesur dhe afër, krejt afër. Duket se çdo imtësi ka kaluar në një sitë tejet përzgjedhëse para se të lejohet në shfaqjen e saj para botës. Çdo imazh, mënyra si rrjedh vargu, mendimi, tingullimi poetik e mbi të gjitha fjalët. Të pastra,të qëruara, të kthjellta e me ravijëzimet e duhura.

Leximi i poezisë së Nikolës të përfshin artistikisht me detajet delikate, dhënë në një gjuhë të tillë imazhesh, të cilat krijojnë një hapësirë familjare ndjenjash të ngjashme me shtëpinë. Shtëpi në të cilën ka ëndrra të buta,  ndjenja të përkora dhe të vërteta të nxjerra nga guacka me duar të paqta, të kujdesshme!

Poeti e vëzhgon botën me një shqisë të gjashtë dhe e risjell te ne në një formë mëkuese për të gjitha shqisat. Ky komunikim me tekstin, me gjithsej që kjo poezi si e tillë ofron, vazhdon kohë të gjatë pas leximit. Poezia lidhet me ty e vazhdon të të flasë…

Pasi mbyll librin e mban në duar gjatë me një buzëqeshje të dhembshur e me një trishtim të përkorë si të kesh udhëtuar në një qytet të dashur e të jesh duke u përshëndetur me të. Përshëndetesh e nuk i shpëton ngasjes për të thënë: “Do kthehem!” Sepse poezia e Nikolës do risoditur, do rishijuar, si një kënaqësi estetike e tillë që asnjë kohë s’mund ta zvetënojë.

 

Hijet po na ikin

Një ditë do të takohemi

si anije letre dhe

bostan që ftohet në lumë.

Shqetësimi i botës do të jetë

me ne. Me pëllëmbë diellin

do ta errësojmë dhe me fener

do të afrohemi.

 

Një ditë era

nuk do ta ndryshojë drejtimin.

Mështekna gjethe do të dërgojë

në këpucët tona tek pragu.

Ujqërit do të nisen

pas dlirësisë sonë.

Fluturat do të lenë pluhurin

në fytyrat tona.

 

Një plakë çdo mëngjes

do të rrëfejë për ne në sallën e pritjes.

Dhe kjo që po të them

tashmë është thënë: presim erën

si dy flamuj në kalim kufiri.

 

Një ditë të gjitha hijet

do të na ikin.

 

Jashtë kohës

Në qashtërsinë e qiellit

presim të vizatohen

negativët e shpirtrave tanë.

 

Larg kohës ne jemi.

 

Vështro, ndërtesat tashmë flenë

mbi farën e tharë

të bimëve njëvjeçare,

balonat qetësojnë

bishat mbi çatitë

e shtëpive tona dhe largohen.

 

Me vite jetojmë

në datat e shënuara, mes

grafikëve të gëzimeve të ftohta.

 

Paraardhësit tanë prej kohësh

janë statuja që kokën përkulin

drejt supit të çdo kalimtari,

por jashtë kohës ne jemi.

Marrim dhe kthejmë përjetësinë, e marrim

dhe e kthejmë…

 

anazapta April 7, 2013
Share this Article
Facebook Twitter Email Print
1 Comment
  • ante says:
    April 7, 2013 at 12:35 pm

    Bukur…Perkthimi a shqiperimi (?) ja pendojne pak rrjedhshmerine e brishtesise se vargut…

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

© Copyright Gazeta Dita 2022. Te gjithe te drejtat e rezervuara

Removed from reading list

Undo
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?