Viktor Hygo
Vargjet e mi ikën…
Vargjet e mi ikën, të ëmbël e të brishtë,
Drejt kopshtit tënd aq të bukur;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të zogut, moj flutur.
Fluturuan ata, si shkëndija,
Drejt kurmit tënd që shndrit;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të shpirtit, moj shpirt.
Pranë teje, të kthjellët dhe besnikë,
Vrapojnë ata natë e ditë;
Ah, vargjet e mi krahë të kishin,
Krahë si të dashurisë, moj dritë.
Kler P.
Kler, ti po fle. Mëma të është ulur përmbi varr e mërmërit:
-Rrenë është aromë e luleve dhe agimi rrenë me bisht,
Gënjen zogu nëpër drurë, edhe lejleku gënjen,
Ylli s’është i vërtetë lart në qiell kur shkëlqen,
Qielli nuk është qiell, atje sipër asgjë s’ndrin,
Përsa unë i klith sime bije:
Shpirti im!
Jam këtu. Ngrehu! Apo të pengon ndonjë?…
Nuk e zgjoj dot bijën nëna e dy fjalë s’i flet me të.
Nga fëmijëria
Fëmija këndonte bri shtratit ku nëna
Në agoni ballin e bukur perëndonte;
Vdekja vraponte mbi të si mbi re hëna,
Unë i ndjeja ato hapa, ndërsa fëmija këndonte.
Pesë vjeç ish fëmija dhe pranë dritares,
Gjithë ditën qeshte, luante, bënte zhurmë;
Bri kësaj qenieje të varfër, të pafajshme,
Nëna kollitej, e vuante, e ligej më shumë.
Nëna shkoi të flerë nën pllakën e një manastiri;
Dhe vogëlushi nisi sërish të këndojë…
Dhimbja është një frut, rritjen e të cilit
Zoti një krahu të dobët nuk deshi t’ia besojë.
Këngë
Nëse s’ke për të thënë gjë të re,
Përse mundohesh vallë gjer tek unë?
Përse ma dhuron ti atë buzëqeshje
Që edhe mbretin do ta linte pa gjumë?
Nëse s’ke për të thënë gjë të re,
Përse mundohesh vallë gjer tek unë?
Nëse s’ke ç’të më mësosh sërish,
Përse ma shtrëngon dorën kështu?
Për ëndrrën ëngjëllore e të brishtë,
Edhe unë mendoj në udhë gjithashtu.
Nëse s’ke ç’të më mësosh sërish,
Përse ma shtrëngon dorën kështu?
Nëse vërtet do që unë të vij aty
Përse atëherë kalon ti këndej?
Gëzoj e fërgëlloj kur t’i shoh ata sy,
Nuk di se ç’bëj e nuk e di se ç’ndjej.
Nëse vërtet do që unë të vij aty,
Përse atëherë kalon ti këndej?
Eja!
Eja! Një fyell i padukshëm
Psherëtin tej në pemishte. –
Nga të gjitha m’e bukur
Është këng’ e barinjve.
Era rrudh nën lisishte
Pasqyrën e ujërave. –
Nga të gjitha m’e hareshme
Është këng’ e zogjve.
Nëpër tinguj marramendës
Do të puth pafundësisht! –
Nga të gjitha më e ëmbël
Është këng’ e dashurisë.
Këngë e vjetër e rinisë
Unë s’ëndërroja fare për Rozën,
Megjithëse në pyll me të shkoja;
Flisnim për ca gjëra të zakonshme
Se nuk dija tjetër ç’t’i thoja.
I ftohtë isha unë, si statujë,
Dhe ecja me hapin tim hutaq;
I flisja për pemë dhe lule,
Po syri i saj më thosh: “Vetëm kaq?”
Ç’perla na ofronte vesa, ç’reflekse!
Dhe zabeli kaçubet si ombrella…
Roza nga bilbilat magjepsej,
Kurse unë mëllenjat pëlqeja.
Gjashtëmbëdhjetë vjeç isha, po sa serioz!
Ajo njëzet, me sytë që i shkëlqenin;
Bilbilat këndonin për të bukurën Rozë,
Mëllenjat mua më fishkëllenin.
Njëherë deshi një frut për të këputur
Roza me shtatin e hedhur si lastar;
U drodh… e zgjati në degë krahun e bukur,
Po unë s’e pashë llërën e bardhë…
Një pikëz uji rrodhi e kulluar
Mbi myshkun e butë si kadife;
Dhe natyra krejt e dashuruar
Nën drurët e mëdhenj sikur flinte.
Edhe një provë tjetër bëri Roza:
Këpucët hoqi si pa djallëzi pastaj
E këmbkat i futi në ujë për t’i freskuar,
Po unë s’i pashë këmbkat e saj.
Unë veçse i flisja pa ndërprerje,
Dhe e ndiqja në pyll shend e verë;
Ajo shpesh më buzëqeshte
E psherëtinte herë-herë…
Unë pashë se ajo qe e bukur sa s’ka
Vetëm kur dolëm nga pylli i pagojë.
“Për këtë të mos mendojmë më”, ajo tha.
Po unë që atëherë veç për të mendoj.
Burimi dhe deti
Nga shkëmbi rridhte një burim
Pikë-pikë në detin e paanë…
I thotë deti një ditë me oshëtimë:
– Ç’më duhesh ti, mor qaraman?
Unë jam stuhi, vetë lemeria!
Unë mbaroj atje ku qielli fillon…
S’më hyjnë në punë hiç disa pika
Që ti, vogëlush m’i lëshon.
Ia ktheu burimi hidhur menjëherë:
-Unë të jap pa bujë, pa falënderime,
Atë që të mungon ty, o det i gjerë!
Një pikë ujë që mund të pihet…
Alfred Dë Mysé
Perdja e fqinjës
Imitim nga Gëte
Te dritare e fqinjës sime
Ngrihet perdja lehtësisht.
Del ajo në shëtitje-
Mendoj unë, sigurisht.
Hapet kanati njëçikë,
Unë ndiej zemrën të gufojë.
Mos kërkon ajo të dijë
Nëse unë po e përgjoj?
Ah! Kjo është veç hamendje.
Fqinja do një trashaman.
Dhe është era që e ngre
Cepin e perdes së saj.
Marsel Prust
Kushtim Robert Bilit
Si lule vjeshte, shpirti yt hyjnor
Na dhemb madhërisht.
Një ditë ne do të ritregojmë
Dhimbjen e bukurisë.
Kohë me shi
Ndoshta ty të pëlqen më pak se mua ky rrebesh.
Mundet! Mendësitë ndryshojnë krejt midis nesh.
Dordrecht
Qielli yt pakëz blu
gjithnji
Mëgjesi shpesh
me pakëz shi
Dordrecht kaq i bukur
Varr
i iluzioneve të mia të shtrenjta
Kur përpiqem të vizatoj
Kanalet e tua, çatitë, kambanat
Ndiej se sa i dua
Vendet
…………….
Luizë Mishel
Epitaf
Lavdi zgjimit të njeriut!
Lavdi dhe për ata që, duke rënë,
Hapën me mundim
Portat e së ardhmes!
Përktheu nga origjinali Xhevdet Shehu
Zhak Prever
Stinë e bukur
E uritur, e humbur, e ngrirë,
Krejt e vetme, pa një grosh,
Statujë në këmbë
Një vajzë 16 vjeçare.
Te sheshi Konkordë kështu
Një mesditë 15 gushti.
Fjalim për paqen
Nga fundi i një fjalimi tej mase të rëndësishëm
burri i madh i shtetit duke u penguar
mbi një frazë të bukur, por boshe,
ra brenda
dhe i hutuar hapi gojën e madhe.
Duke gulçuar,
tregoi dhëmbët e prishur
nga arsyetimet paqësore,
ku iu ngjall nervi i luftës
për çështjen delikate të të hollave.
Tufa me lule
-Ç’ bën ti vogëlushe
Me këto lule të sapokëputura?
-Ç’bën ti vajzë e re
Me këto lule kaq të bukura?
-Ç’bën ti grua e lezeçme
Me këto lule të venitura?
-Ç’bën ti grua e moshuar
Me këto lule të thara?
-Pres fitimtarin!
Pariset e shtangur
Një Blez Paskal i sigurt
etj… etj…
Vjeshtë
Një kal rrëzohet në mes të udhës
Gjethe të verdha bien sipër tij.
U drodh dashuria jonë
Dhe dielli gjithsesi.
Paris at night *
Tri shkrepse të ndezura njëra pas tjetrës në errësirë:
E para për të parë fytyrën tënde të plotë
E dyta për të parë sytë e tu
E treta për të gjetur gojën tënde…
Dhe e gjithë nata për t’i kujtuar të gjitha këto
duke të shtrenguar në krahët e mi.
——-
* Parisi natën (angl.)
Kam parë shumë…
Kam parë dikë që që ishte ulur mbi kapelen e një tjetri
ishte i zbehtë
dridhej,
priste diçka… s’ka rëndësi se çfarë…
luftën… fundin e botës…
e kishte krejt të pamundur të bënte një gjest ose të fliste
dhe tjetri
tjetri që kërkonte kapelen e tij ishte edhe më i zbehtë
edhe ai dridhej
e përsëriste papushim
kapelja ime… kapelja ime…
e ishte gati të qante.
Kam parë dikë që lexonte gazetat
kam parë dikë që nderonte flamurin
kam parë dikë që ishte veshur me të zeza
kishte një orë
një zinxhir ore
një portofol
legjionin e nderit
dhe syze me kapëse.
Kam parë dikë që tërhiqte fëmijën për dore dhe bërtiste
kam parë dikë me një qen
kam parë dikë me një shkop si shpatë
kam parë dikë që qante
kam parë dikë që hynte në kishë
dhe një tjetër që dilte prej saj…
Për ty, dashuria ime
Shkova në pazarin e zogjve
Dhe zogj bleva
Për ty
dashuria ime.
Shkova në pazarin e luleve
Dhe lule bleva
Për ty
dashuria ime.
Shkova në pazarin e hekurishteve
Dhe zinxhirë bleva
Zinxhirë të rëndë
Për ty
dashuria ime.
Më vonë shkova në pazarin e skllevërve
Dhe të kërkova
Por nuk të gjeta
dashuria ime.
Kopshti
Mijëra e mijëra vjet
Nuk dihet në mjaftojnë
Për të thënë
Sekondën e vockël të amëshuar
Kur ti më përqafove
Dhe unë të përqafova
Një mëngjes në dritën e dimrit
Në parkun Monsuri në Paris
Në Paris
Mbi Tokë
Mbi Tokën që është një yll.
Këngë
Çfarë dite jemi
Ne jemi gjithë ditët
mikja ime
Ne jemi gjithë jeta
dashuria ime
Ne duhemi dhe jetojmë
Ne jetojmë dhe duhemi
Dhe nuk e dimë që kjo është jeta
Dhe nuk e dimë që kjo është dita
Dhe nuk e dimë që kjo është dashuria.
Mëngjesi
Ai hodhi kafen
në filxhan
qumështin
në filxhanin e kafes
sheqerin
në kafen me qumësht
me një lugë të vogël
pastaj e trazoi
e piu kafen me qumësht
dhe filxhanin e la
pa më folur
Ndezi një cigare
bëri disa rrathë
me tym
dhe shkundi hirin
në taketuke
pa më folur
pa më vështruar
U ngrit
vendosi
kapelen në kokë
veshi mushamanë
pasi binte shi
dhe u nis
nëpër shi
pa thënë një fjalë
pa më vështruar
Unë
mora kokën në duar
dhe qava.
Karroca e dorës
ose shpikjet e mëdha
Palloi me bishtin formoi rrotën
Rasti bëri ç’mbeti
Zoti u ul në të
Dhe njeriu e shtyu.
Nuk duhet…
Nuk duhen lënë intelektualët të luajnë
me shkrepse
Sepse zotërinj kur lihet vetëm
Bota mendore Zotërinj
Nuk është aspak e shkëlqyer
Dhe meqë mbetet vetëm
Punon arbitrarisht
Duke u mburrur me vetveten
Me gjoja bujarinë për nder të punëtorëve
të ndërtimit
Një vetë-monument
E përsërisim Zotërinj
Kur lihet vetëm
Bota mendore
Gënjen
Monumentalisht.
Koha e humbur
Para portës së uzinës
punëtori papritmas u ndal
koha e bukur e tërhoqi për xhakete
dhe si u kthye
e pa diellin
e kuq e të rrumbullaktë
duke buzëqeshur në qiellin e tij të plumbtë
i shkeli syrin
miqësisht
Më thuaj pra shoku Diell
nuk e gjykon
se është idiotësi
të japësh një ditë kaq të mirë
për padronin?
Eklips
Luigji XIV që thirrej edhe Mbreti Diell
ulej shpesh në një karrige të vjetër
nga fundi i mbretërimit të tij
Një natë pus të errët
Mbreti Diell u ngrit nga krevati
Shkoi të ulej në karrige
dhe mbaroi.
Për të bërë portretin e një zogu
Për Elsa Enrikezin
Vizato në fillim një kafaz
me derë të çelur
Vizato pastaj
diçka tërheqëse
diçka të thjeshtë
diçka të bukur
diçka të dobishme
për zogun
vendose pastaj pëlhurën pranë një peme
në një kopsht
në një pyll
a në një korije
dhe fshihu pas pemës
pa folur
pa lëvizur…
Ndonjëherë zogu mbërrin shpejt
por mund të vonojë edhe me vite
para se të vendosë
Ti mos u dekurajo
Prite
prite qoftë edhe me vite
shpejtësia ose ngadalësia e mbërritjes së zogut
nuk ka asnjë lidhje
me mbarimin e tablosë
Kur zogu vjen
nëse vjen
ruaj heshtjen më të thellë
prit që zogu të hyjë në kafaz
e pasi të ketë hyrë
mbyllja me kujdes derën me penel
pastaj
fshiji një nga një telat e kafazit
duke bërë kujdes mos prekësh ndonjë nga pendët e zogut
Pastaj bëj portretin e pemës
duke zgjedhur më të bukurën e degëve të saj
për zogun
vizato gjithashtu gjethen e blertë dhe flladin e freskët
polenin e diellit
dhe thashethemet e insekteve të barit në një ditë vere
pastaj prit që zogu të fillojë këngën
Nëse ai nuk këndon
është shenjë e keqe
shënjë që tobloja nuk është e mirë
Por nëse ai këndon
atëherë po
mund të nënshkruani
Atëherë shkulni me shumë kujdes
një nga pendët e zogut
e shkruani emrin tuaj në një cep të tablosë.
Zhan P. Manson
Shkruar në gjumë
Njëherë pashë në ëndërr
Se shkoja
të vidhja
Një puthje
E s’kisha guxim!
Por, ruaju: unë
ende po fle…

Tek poezia “Burimi dhe Deti,” strofen e fundit e kam lexuar ne nje perkethim ,
me te kendeshem , sic eshte ky me poshte
…Per te te sjelle ty,e lodha veten,
Foli Burimi me pikellim te thelle,
Nje grusht uje , qe te shuan etjen,
qe tz te mungon, Oqean i gjere …..
Si fillim do e pershendesja nji prurje te tille ,referuar
Poezise ,krijimetarise ne pergjithsi .
Tjeter do thoja se ky Llapushi lart ,qe pi cicen e Kafshesh esadiste te shpelles ,ktu larte ,
i njohur me
Nick Namen R.V – ka te drejte ne komentin e tij .
Perkthimi le shume per te deshiruar !
Hygp ,Prust etj poete te famshem te Letersise Franceze
duhet te ken vepra me te mira se kto te sjella ktu ,qe nuk
do krahasoheshin as me poezite jo te Cajupit e Naimit ,
por as atyre te barinjeve me dhene ne shqiperi .
Pra larg cdo niveli poezie edhe pse duhet then se s’mundet t’I afroshe sot ktij shekulli , poezi te ktij niveli
Mesjetare Frances ,nji nivel teper naive krijimtarie
Jacques Prevèrt
Të rinjtë që duhen
Të rinjtë që duhen, puthen në këmbë
karshi portave të natës.
Kalimtarët i tregojnë me gisht,
por të rinjtë që duhen
nuk janë për askënd.
E nëse diçka pëshpërin nëpër natë,
s’janë ata, por hija e tyre,
për të ngacmuar kalimtarët.
Për t’i ngacmuar, telendisur, përqeshur.
Të rinjtë që duhen nuk janë për askënd,
janë diku tjetër e larg,
më larg se nata, më lart sesa dita,
në dritën verbuese
të dashurisë së tyre të parë.
J. Prevert
– Pater noster –
…Mbi të gjitha mrekullitë e botës
që janë këtu, thjeshtësisht mbi tokë,
ofruar e shpërndarë të gjithëve.
Të mrekulluara dhe ato nga mrekullia e tyre
e pa kurajon të falenderojnë.
Si vajzë e bukur nude që s’ka kurajon të shfaqet.
Me fatkeqësintë e tmerrshme të tokës,
që janë legjione me legjionarë,
me torturuesit, me padronët e kësaj bote,
padronët me saqerdotët dhe tradhtarët e tyre
e me të tyret ushtarucë,
me stinët dhe me vitet,
me femrat e bukura dhe bastardët plakaruqë,
me një velëz shamie
që griset në çelikun e grykës së topave.
J. Prevert
– S’nevojitet –
S’nevojitet t’i lësh intelektualët të lozin
me fijet e shkrepses.
Sepse, zotërinjtë e mi, nëse lihet në të vetën,
bota e madhe mentale,
zotërinjtë e mi, s’është hiçfare e qeshur.
Do të ngrejë për veten me gjithshka,
sado me shumë llogje shpirtmëdha
mbi punën e minatorëve,
një Automonument.
E përsërisim sidoqoftë, zotërinjtë e mi!
Nëse lihet në të vetën,
bota mentale mashtron
monumentalisht.
J. Prevert
– Verës, si dimrit –
Verës, ashtu si dimrit,
brenda baltës e pluhurit
i përgjumur mbi gazetat e vjetra,
njeriu me këpucët që i fusin ujë
sheh varkat në largësi.
Pranë tij një burrë i poshtër,
një zotëri plot me para,
peshkon me grep i trishtuar
e s’e kupton pse e rrëmben nostalgjia
kur shikon një varkëz të vjetër.
Sigurisht që do të donte të nisej,
të ikte larg në fillin e ujit
e të bënte një tjetër jetë,
më pak të dhjamur në bark.
Verës, ashtu si dimrit,
brenda baltës e pluhurit,
i përgjumur mbi gazetat e vjetra,
njeriu me këpucët që i fusin ujë
sheh varkat në largësi.
Peshkatari i zot rikthehet pa peshk
në shtëpinë e tij,
hap një kuti sardelesh
e shpërthen në dënesë.
E di që kështu do të vdesë
e që kurrë nuk ka dashuruar.
E shoqja i hedh një shikim
dhe në distancë buzëqesh.
perkthim me ordiner nuk gjen !