Poezia e Ali Asllanit

anazapta

Ali Asllani lindi në Vajzë të Vlorës, më 28 nëntor të vitit1884. Studioi mjekësi, por pastaj vazhdoi institutin e lartë të shkencave politiko-shoqëroro-administrative në Stamboll. Punoi disa kohë në administratën turke. Pas shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali, i besoi atij detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës të Këshillit të Ministrave, ku qëndroi deri më 22 janar të vitit 1914. Më pas punoi si nënprefekt i Fierit, kajmekan i Ballshit, kryetar i Bashkisë së Vlorës, sekretar i përgjithshëm i kryeministrisë, konsull, ministër i akredituar në shtetin grek, përsëri kryetar i Bashkisë së Vlorës. Gjatë Luftës u largua nga jeta politike dhe vajti në fshatin Vajzë të Vlorës. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave, por kjo mundësi iu pre më vonë. Vdiq në Tiranë në 20 dhjetor 1966.

 

Vajza shqiptare

Kush të ka dërguar, hëna apo djelli?

Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli?

Nëpër ato pate, madhëri e artë,

Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

 

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,

Apo sjell melhemin zemrës së goditur?

Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,

Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

 

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,

Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!

Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,

Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

 

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,

Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!

Kush të paska rritur, kush të ka selitur?

Trupi i yt i bukur si flori i situr!

 

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,

Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?

Ku është ai pyll, ku është ai mur

ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

…………………………………………..

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?

Nga se xhevahiri rri në kuti futur?

Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?

Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

 

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,

fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!

Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,

Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

 

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,

Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;

Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,

Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

 

Zonja Lu

Tash poeti ra e fjeti. Ra e fjet’ për motë jete

Gjëmë e madhe që e gjeti…

Zonja Lu thërret bërtet me oi e me oi

Per atë që bënej fli, një minutë e dy vili!

Ç’më gjet mua, ç’më gjet mua

Ulurin e zeza grua, U plagos, u shkatërrua

U plagos e u gjakos me biçakun e fildishtë

Fije fije bëri floket, cope-copë i bëri mishtë.

 

Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh një bukurosh

E i thotë zonjës Lu: Ti shëndoshë e unë shëndoshë!

Ti e unë një çift i ëmbël, çift i bukur, çift me shije

Çift, o çift që s’ka të dytë, si dy kokërra qershije.

 

Mirpo zonja është besnike, ka dhenë fjalën ka berë be

Sa të thahet varri burrit doemos do rrijë e ve

Meqe varri është ifreskët, është i njomë e është i ri

Që të thahet shpejt e shpejt

Zonja Lu i bën veri!

 

Këngë sevdaje

 

Dallandyshet edhe vajzat,

Vijnë e rrjedhin nga një derë,

Në vjeshtë shkojnë këmbejnë unazat,

Kthehen çift në pranverë.

***

Të rinjtë e të rejat, janë si dritë prilli,

Rriten dita ditës dhe si trëndafili,

Herë i deh bilbili, herë i deh veriu,

Herë po kot së koti, dehen vetvetiu.

***

Po tani ky brezi i ri, s’ka nevojë për puthje hua,

Ka plot gusha farfuri, që i japin puthje hua,

Japin një e marrin dy, marrin dy e dymbëdhjetë,

Të na falë imadhi hy, është e ëmbël putje e shkretë…

 

 

Do t’i shtrydh të dy sytë

Un’ jam un’, saksi e vjetër!

Lule gjirit që stolisa shkoi stolisi një gji tjetër

Un’ e nisa e stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa

dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

 

Nëpër vapëz i dhash’ hijem nëpër hije er’ e shije

i dhash’ shije poezie, gjith’ fuqit’ e një magjie

gjith ato, që fllad i ëmbël nëpër lule mbar e bije

ar’ e diellit me tallaze, ar’ e hënës fije-fije

dashuria me dollira dhe me thelp lajthije pije…

……………………………………………………….

Un’ e nisa i stolisa me ç’i jep e s’i jep sisa,

dhe me këngë ylyveri buz’ e gushë ja qëndisa

buz’ e gushë ja qëndisa, e ormisa mu në zëmër

plasi hëna ziliqare që shikonte me sy vëngër!

 

Më së fundi i dhash’ lotin, kryepajën time pajë

i dhash’ lotët që pikonin ku i shkelte këmbë e saj’

i dhash’ vjershën time valë, dy herë valë tri her’ zjarr

që buçet në maj të penës edhe bënet këng e marr’

këng’ e marr’ e mallit tim, që tani e paskëtaj

do t’i shtrydh të dy sytë nëpër gjurma të asaj!

Hanko Halla

Fragment

Halla do një nuse si edhe i biri,

Rrënjët prej argjëndi, degët prej floriri,

Me të folur Hahha, nusja të hap sytë,

“Lepe “, fjal’ e parë, “peqe”, fjalë e dytë

…………………………………………..

Gjithë pazarin nusja, mu në odë e futi,

Na u bë shtëpia, magazi çifuti.

…………………………………………….

Një ditë më thosh nusja, gjëra për të qeshur,

Sa më ra prej krahëve dhe këmishë e veshur.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *