Poezia lirike e Lirim Dedës

Leda Hysa

Moikom Zeqo

(Në 4 vjetorin e ndarjes nga jeta)

Çdo njeri është i vdekshëm.

Kjo është një e vërtetë e natyrës.

Prandaj Homeri i quante njerëzit “Vdekatarë”.

Nëse kemi një pohim që është në vetvete edhe mohues ” të gjithë njerëzit janë vdekatarë”, kjo lidhet padyshim edhe me poetët.

Unë e kam njohur njeriun Lirim Deda.

Kam ndenjur me të,- kam biseduar,- kam pirë edhe ndonjë gotë raki,- duke diskutuar për jetën dhe artin.

Një njeri i mrekullueshëm dhe krejt i veçantë.

Lidhjet miqësore të mijat me Lirimin ishin të thjeshta,  por thelbësisht të vërteta.

Kur ai vdiq, mua më dhembi shumë vdekja e tij.

Kam folur mbi varrin e tij, përpara se sa arkivolin me peshën e rëndë të trupit të mikut tim ta mbulonin në gjirin e tokës.

Kam thënë: -… Kemi ardhur këtu të varrosim Trupin e Lirimit, por jo Shpirtin e tij!

Por Lirimi ishte një poet tepër i ndjeshëm dhe origjinal.

Një poet i paharrueshëm dot.

Një poet që shkëlqen plot dritë në vargjet e tij.

Por, poetët në të gjitha kuptimet, qoftë të realitetit, qoftë të metafizikës nuk janë aspak “Vdekatarë”.

Poeti  është vërtetë i limituar dhe i përcaktuar në kronologjinë e jetës fizike.

Por, poezia nuk është jetë fizike.

Poezia është jetë shpirtërore.

Poezia e kapërcen çdo kufizim dhe limit të jetës.

Në kuptimin më të përgjithshëm, por edhe më sublim ne do të kemi përherë përpara sysh poetin Lirim Deda edhe kur nuk e shohim dot më siluetën e tij të varrosur.

Poezia e Lirimit ngrihet mbi siluetën.

Kjo poezi me një ndjeshmëri iluminuese përshkon kohën dhe hapësirën.

Kjo poezi ka lindur për të mos vdekur.

Ka kaluar një kohë, që Lirim Deda si njeri nuk është më pranë nesh, por ai gjithmonë si poet është brenda nesh.

Ky libër që po botohet me poezitë e Lirim Dedës është në një farë mënyre shpirti i poetit brenda strukturës librore.

Të gjitha poezitë janë të renditura, por dhe të lëvizshme si në një kaleidoskop të çuditshëm.

Përzgjedhja e këtyre poezive mund të ishte bërë edhe në një formë tjetër, ose sipas një koncepti më të ndryshëm antologjik.

Por,  në substancë poezia e Lirim Dedës është ajo që është, sepse është gjithashtu edhe ajo që do të jetë.

Lirim Deda është një poet me një profil krijues të përcaktuar qartë.

Ai është një nga personalitetet e poezisë shqipe në shekullin e XX.

Lirim Deda nisi të shquhej që në vitet 60-të.

Ai vinte nga një krahinë e tillë e famshme siç është Labëria.

Në Kurveleshin e tij, ai kaloi fëmijërinë,  por u formësua dhe u skalit si poet në metropolin e shqiptarëve, në Tiranë.

Studimet e tij të rinisë që lidheshin me disiplinat akademike dhe shkencën ushtarake, ndikuan dhe e ngjyrosën si dhe e vulosën identitetin e tij intelektual dhe letrar.

Ai vërtetë që punoi për shumë kohë në shtypin ushtarak, por ai shkroi në zhanrin universal të poezisë, që  kultivon intelektin dhe talentin e mirëfilltë.

Nga Labëria e tij, ai ruante në imagjinatë pikturën më të hershme prehistorike të Shpellës së Lepenicës, që është në të vërtetë jo vetëm një kompozim pikturik, por  edhe enigma metaforike   e  një poezie të fshehtë dhe të pashprehshme dot me fjalë.

Mund të thuhet me plot gojën se Labëria është vendi i traditave të mëdha poetike.

Le të kujtojmë këngët…!

Mos të harrojmë gjithashtu polifoninë e jashtëzakonshme Labe.

Polifonia është një çudi e vërtetë e shpirtit legjendar dhe poetik të shqiptarëve, në një mbijetesë të pashembullt me krejt Europën.

Polifonia është padyshim kënga shumëzërëshe e njerëzve që dashurojnë dhe kanë kultin tronditës të gjërave të përbashkëta, të unitetit të Mendjes dhe të Zemrës, të Vendit dhe të Historisë, të Vdekjes dhe të Përjetësisë.

Duke i rilexuar poezitë e kësaj përmbledhjeje honorifike,por edhe substanciale të Lirim Dedës e them i menduar, por edhe me gjithë shpirt, se poezia e kultivuar e këtij poeti nuk është aq lehtësisht e klasifikueshme sipas një formule përfundimtare, sepse shpirti i brendshëm i këtyre poezive është shpesh i pakapshëm, përherë në një lëvizje të pambarimtë, të pamberthyer dot nga çarqet e arsyetimit,- apo edhe të përcaktimeve formale dhe të lehta.

Poezia e Lirim Dedës hyn në shtratin madhor  te  traditës së poezisë shqipe,- padyshim më të mirës,- të letrave shqipe.

Lirim Deda nuk është aspak një poet i bërë, sepse është një poet i lindur.

Ai është një talent në të gjitha kuptimet në gjen, në frymë, në shtjellimin e motiveve, subjekteve, pra në gjithçka.

Poezia e Lirim Dedës lexohet me kënaqësi jo vetëm sot.

Poezia e Lirim Dedës do të lexohet akoma në mënyrën më fine dhe me kuptimshmëri të lartë edhe nesër.

Pra, përgjithmonë.

Kjo poezi është një Sintezë midis Lirikës dhe Epikës.

Në vështrim të parë, poezia e Lirim Dedës duket sikur i ka themelet dhe ftillëzimet e saj tek Epika.

Dihet se Epika buron nga Historia, por në ligjërimin e vargjeve, në delikatesën e metaforave dhe të shtjellimit të lëndës poetike, poezia e Lirim Dedës është më shumë esencialisht Lirike.

Ndërsa e kam përmendur Sintezën e Epikës me Lirikën, dua të nënvizoj, apo edhe të shtoj se kufijtë midis Epikës dhe Lirikës nuk ekzistojnë në të vërtetë.

Midis tyre nuk ka ndarje limitrofe.

Shkrirja është e tillë dhe ka një natyrshmëri të pafundë.

Por në fund të fundit mendoj se Lirimi është një poet i mrekullueshëm Lirik.

Shumë nga poezitë e tij, mua më kujtojnë strukturat e baladave popullore.

Tek baladat popullore, siç e ka vërejtur edhe një kritik i madh amerikan Harold Bloom, ekziston diçka profetike që mund të lidhet edhe me teknikat kinematografike, siç është montazhi,- që vërtetohet p.sh midis lidhjes së strofave,- apo edhe të vargjeve me njëri-tjetrin,- për të na dhënë diçka të papritur,  pra një kuptim të befasishëm,- që nuk mund ta harrojmë dot, që na zotëron vëmendjen.

Shumë poezi, por edhe poema të Lirim Dedës e mishërojnë  dhe përfaqësojnë frymën e baladave popullore,- madje disa prej tyre edhe urtësinë e brendshme shekullore të fabulave,- duke e bërë koleksionin jetësorë dhe poetik të Lirim Dedës  një koleksion ekzotikash dhe shekujsh të kujtesës kombëtare të shqiptarëve.

Jeta personale e Lirim Dedës ka nota tragjike.

Por jeta e tij si individ, apo dhe si familjar nuk ka ndikuar për të kaluar në një përcaktim fatal, për të reflektuar një lloj vetviktimizimi, nganjëherë dhe të përligjur, për ta parë jetën dhe botën nga optika e një fataliteti, shpesh të pashmangshëm.

E habitshme dhe mbresëlënës është fakti se poezia e Lirim Dedës jo vetëm nuk ta zbeh dhe nuk ta shuan gëzimin e Jetës, por përkundrazi të zgjon ndjesi jetike gati të infinitëshme.

Kështu, shpirti poetik i Lirim Dedës e sfidon dhe s’ka lidhje me Vdekjen.

Lirim Deda është një Poet i vërtetë, trim dhe i paepur i Jetës.

Lirim Deda,- Post Mortum,- qëndron në shoqëri midis Naim Frashërit dhe Dritëro Agollit.

Tiranë, më 10 dhjetor 2018

 

Share This Article
4 Comments
  • Moikom i respektuar! ti di te ndricosh dhe ne skuta. Nuk te heq e nuk te shtoj dot asnje presje. I mrekullueshmi Moikom merret sot me Malin e Kerndevices sic ishte i madhi Lirim. Ai ishte mal, lis degeshume. Kam kaluar mbase oret me te bukura me te pa harruarin Lirim… poetin brilant, liriko-epikun e perjetshem…

  • kur ishte anetar i PSD,u be byth e breke me PD dhe mbeshteti llumrat e hajdutet qe i sollen shume deme demokracise.Por pas vdekjes jane te gjithe te mire se as nuk flasin me dhe as nuk kundershtojne.

  • “naim dimashi”! Asnje dite nuk u be vegel e PD-se. E di pse? Nuk i pelqeu menyra sesi e filluan dhe vazhduan demokracine. Ti ose nuk e ke njohur, ose je keqberes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *