MOIKOM ZEQO
(POEZIA IME E VITIT 1970 )
Është për t’u shënuar që në kohë të këtilla,- që të kujtojnë Centaurët,- Poezia t’i rezistojë kohës. Unë mendoj, se Poezia është arti, që u kapërcen më shumë kohëve. Qofshin edhe Kohët-Centaur. Flasim për Poezinë e Vërtetë. Kjo ndodh se Poezia ka të bëjë me ndjenjat e njeriut dhe ndjenjat e shpirti i njeriut nuk ka ndryshuar shumë që nga koha e Homerit. Janë po ato ndjenja, në fakt. Bile unë do të thosha se te Homeri mund të gjesh vargje më moderne,- se ato të poetëve të sotëm. Po përmend vetëm një varg: “Anije të shpejta si mendimet…” Shpejtësia e mendimit është më e madhe se ajo e dritës. Imagjinojeni vlerën moderne të këtij krahasimi të poetit babazot. Unë për fat e njoh mirë poezinë dhe botën time moderne. Kjo e ka shpjegimin në atë që thotë Gëtja i madh se moderniteti është kthimi te klasikja. Poezia e ka shpejtësinë e mendimit si ato anijet e Homerit. Ti, fjala vjen lexon këngën e parë të Gilgameshit dhe të duket sikur po e jeton sot atë atmosferë. Kjo është shpejtësia e Poezisë që kapërcen kohët. Mbaj mend që poezitë e mia të para i kam shkruar kur kam qenë rreth dhjetë vjeç. I ruaj disa nga fletoret me vija të atyre poezive. Ato poezi janë me metrikë të rregullt përgjithësisht. Janë ndikime, sidomos të Lasgushit dhe të Omer Khajamit. Fillestari Moikom ende nuk e dinte sekretin e mirëfilltë të metaforës. Në moshën 13-vjeçare m’i lexon poezitë e para Kadareja, redaktor tek “Drita” atëherë. Atij i detyrohem për botimin e cikleve të para… Ndonëse, për paradoks, botimi im i parë ka qenë një shkrim me titull: “Notarët e rinj stërviten” në gazetën “Sporti”. Kjo lidhet me pasionin tim për notin. Isha pjesëmarrës i skuadrës durrsake me një nga stilet më të vështira “Baterflaj”, siç quhet. Deti ka luajtur një rol të madh në poezinë time. Fakti që jam marrë me not, ka qenë mbase dëshmia e parë se mund të bëhesha poet. Mbase hapësirat dhe thellësitë detare kishin të fshehur motive të vëllimit tim të dytë me poezi: “Qyteti Feniks” botuar më 1970-ën. Dhe ky qytet ishte Durrësi, të cilin herë e quajnë edhe Atlantida ILIRE, sepse atëherë mendoja se ka qenë i mbytur dy herë, gjë që më vonë e provova vetë duke u marrë me arkeologjinë nënujore, se nuk ishte e vërtetë. E vërtetë është se atë e kanë rrënuar tre tërmete, por asgjë e tij nuk është përmbytur nga deti. Qytetin e quaja Feniks,- duke patur parasysh atë shpendin e legjendës që ringjallet nga hiri i vet një herë në 500 vjet. Kjo sipas gojëdhënës egjiptiane falë vetive të eshtrave të tij prej diamanti. Di vetëm këtë që viti 1970 qe viti më cilësor i jetës sime poetike. Sapo kisha mbushur 20 vjeç. Shkruaja shumë. Kisha një tjetër kulturë. Kisha mësuar gjuhë të huaja. Gati në fshehtësi mbaja shënime, të cilat mendoja se do t’i botoja ndonjëherë. Mbase kjo periudhë më çoi tek një Laborator i pasur i Metaforës. Atje e ka zanafillën edhe libri im i botuar tani vonë: “Meduza e dashuruar mban syze Dielli”. Është një përmbledhje e çuditshme, një botë e tërë metaforash. Një eksperimentim interesant dhe i suksesshëm, të paktën për mua. Më vonë unë botova disa poezi të ndryshme nga ato të ’70-ës. Gjithnjë kam tentuar të bëj një poezi krejt ndryshe nga ajo që shkruhej zakonisht… Unë mendoj se Poezia Shqipe ka patur disa momente ndryshimesh cilësore. Disa nga ato çaste unë do të quaja Poezinë e Rilindjes Kombëtare me Naimin, Seremben, De Radën,… që bëjnë një ndryshim të madh se krijuan një poezi autonome, jo të pjesshme. Ka më parë në historinë e letërsisë sonë përpjekje për momente të tilla, siç janë Sibilat e Bogdanit, apo krijimet e Budit (shekulli XVII), që synojnë drejt epilemës, ose Eposit të shkurtuar, por poezia e vërtetë si gjini nisi në Rilindjen Kombëtare. Pastaj vijnë vitet ’60 me Kadarenë, Agollin, Arapin. Kadareja qe më i avancuar. Ai krijoi mjete të reja. Bëri një çudi në poezinë tonë.
Arkeologjia ka qenë jeta ime më e pasur. Ajo më ka dhënë atë që nuk ka mundur të ma japë absolutisht asnjë profesion tjetër. Jam shumë, shumë i lumtur që kam punuar në arkeologji. Rezultatet e punës në arkeologji më vijnë herë pas here në mënyrë të koncentruar. Më vonë jam marrë me punën kulturore, pastaj ministër i kulturës, deputet… Kjo është jeta ime .- Në udhëtim kam shkruar shpesh. Kur kam udhëtuar për herë të parë në Spanjë, shkruaja në avion. Në atë udhëtim kam patur shumë përshtypje dhe kam shkruar një cikël që më vonë u përkthye dhe u botua në revistën më autoritative të Spanjës “ABC”. Rrugës kam shkruar edhe kur kam udhëtuar nëpër Greqi. Greqia më ka bërë përshtypje më shumë si arkeolog. Pra më ka rrëmbyer Greqia antike,- jo aq ajo e sotmja. Përgjithësisht kur jam në udhëtime, mbaj shënime, mbase jo shumë poetike… Pjesën më të madhe të poezive i kam shkruar në Durrës. Zakonisht natën vonë, kur kam qenë i qetë. Më pëlqen të shkruaj sidomos duke dëgjuar muzikë. Sfondi i muzikës më bëhet horizont i domosdoshëm brenda hapësirës së vogël të studios. Mendoj se muzika është arti më i lartë i njeriut. Them që poezia është superiore po kur vjen puna te muzika… Ajo është më abstrakte deri diku dhe më e fshehtë e më misterioze se poezia.Më pëlqen shumë muzika mesjetare. Dëgjoj shpesh Jan Kukuzelin. Më pëlqen në mënyrë të veçantë Monteverdi. Muzika venedikase (“Stuhia “ e Vivaldit ) më rrëmben. Nga të mëdhenjtë nuk mund të le mënjanë Bramsin, Bahun, Mozartin, Pergoliezen, Hendelin, Stravinskin ( me “Zogun e tij të zjarrtë.-Fire Bird” ), Scriabinin, Ligettin etj. Muzikën moderne e dëgjoj, po nuk kam ndonjë preferencë të veçantë, por kam nderim ndaj Xhimi Hendriksit, Nina Simones,Eric Burtonit ej. Edhe Poezia, edhe Muzika janë arte të ndryshme të një arti tjetër më të madh njerëzor. Ato janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Mendoj që një poet duhet të jetë i papërsëritshëm nga të tjerët. Kam synuar të jem i tillë: më vete dhe të jap jetën time. Po t’i vesh re mirë ato elementë që has në poezi, do të përfundosh se janë jetësorë. Me to unë jetoj çdo ditë. Edhe kozmosi, edhe mitologjia edhe misteret janë përbërës të jetës sime. Pavarësisht nga koha kur jetojmë, ne kemi brenda vetes gjithësinë. Unë nuk shkruaj gjëra që nuk i përjetoj. Edhe kur shkruaj prozën them ato që kam biseduar me njerëzit. Sintezat janë fuqi mendore më tepër, po unë gjithçka e përjetoj.Unë nuk e di sa jam në veprën time, po di me siguri këtë që asnjëherë nuk kam gënjyer në atë që kam shkruar. Kam thënë atë që kam ndjerë. Madje me një naivitet të madh që herë-herë më ka dëmtuar. Nuk mund të shtiresh me poezinë, ndryshe do jesh fallso edhe në karakter.Në jetë kam qenë gjithnjë tepër i çiltër dhe i natyrshëm, gjë që shpesh më ka krijuar edhe telashe. Në thënien e gjërave nuk kam qenë shumë i kujdesshëm. I kam thënë ato ashtu siç i kam menduar.Cilët poetë botërorë kam më për zemër?Ja, aty në mur e studios time shihni Artur Rembonë. Është një vizatim i imi. Ai është një nga poetët, që më ka dhënë shumë. Në poetët klasikë më pëlqejnë mbi të gjithë Homeri, Pindari, Lykofroni,Safoja. Nga poetët modernë më habit e më step Wolt Whitmani, që mbase do ta quaja më të madhin e modernitetit poetik. Kam shkruar shpesh për të. Është i paimitueshëm. Është dhe një poet portugez që më ka tërhequr shumë. Fernando Pessoa. Kam patur fatin t’i jem te varri në manastirin e Shën Jeronimit në Lisbonë.Cili është roli i poezisë në shoqëri? Marrim vetëm shembullin e Lasgush Poradecit. Cili është roli i poezisë së tij në shoqërinë shqiptare? Gjithkush le t’ia bëjë këtë pyetje vetes dhe t’i japë po vetë përgjigje. Për ta ndihmuar unë po i përmend vetëm dy poezitë e këtij poeti të madh kombëtar që ia ka kushtuar Naim Frashërit. S’mendoj se i ka shkruar kot ato poezi!… Nuk mund të ketë letërsi vetëm pannjerëzore. Fakti që ajo shkruhet në gjuhë të ndryshme, që këtu ai është ngulitur në ndërgjegjen kombëtare të vendit të vet.Ndër të rinjtë e poezise do të përmendja talente të tillë si Ervin Hatibi, Azem Qazimi, Parid Teferiçi… Sot shkruhet një poezi që unë do ta quaja ekzistenciale. Dhe kjo poezi ka lindur me Migjenin në letërsinë shqipe. Nuk ka lindur sot në vitet ’90. Sot ajo ka marrë tipare të reja. Poezia duhet shkruar me një lloj tendence. Nuk e kam fjalën për atë politike, por për atë tendencë drejt së veçantës. Kjo e veçantë nuk ka të bëjë as me kozmopolitizmin, as me narcizmin. Kemi një poet si Frederik Rreshpen, i cili mendoj se do të mbetet në Poezi ,-më shumë se ata poetë të teknikave e eksperimenteve. Poezia e tij duket krejt e thjeshtë, por në vetvete ngërthen të veçantën. Poezia është e veçanta,- Prerja e Artë… ( “Koha Jonë”, 6.6.1999)
POEZI TE MIAT TE VITIT 1970:
VJESHTA SAMSON
Vjeshta pa flokët gjethe
E zbehur në zgrip
E humbet fuqinë
Si Samsoni biblik.
Po unë pa ty
Humbas çdo gjë ?
Ah, pa ty!
Pa ty!
1970
HARTA
U hap porta prej gjethesh e fikut
Hartë e çuditshme.
E shoh dhe rri.
Vallë në miniaturë a mund të zbuloj
Ndonjë kontinent,
A ishull të ri?
1970
ZOGU I PIKASOS
Pëllumba,
Pëllumba!
Sikur dilni
Nga vizatimet e Pikasos
Duart e tij
Janë krahët tuaj!
1970
FLOKET E AGIMEVE
Çdo mëngjes
Ndjej britmat detare të delfinëve.
Ç’pafundësi e ujërave!
Ç’lulëzim i shegëve!
Çdo ditë
Jam në pritje të çuditshme.
Pse ende s’vjen ti
Me flokët e purpurt të agimeve?
1970
ERST JUNGER
Erst Junger poet, në vitet e Rajhut të Tretë
E shkroi traktatin “Lavdi të zëshmëve”
A-ja tregon qartësi dhe gjerësi,
O-ja – lartësi dhe thellësi,
E-ja – zbrazësi dhe madhësi,
I-ja – jetë dhe kalbje.
Ndërmjet A-së bëhet thirrje për pushtet,
Ndërmjet O-së për dritë,
Ndërmjet I-së për turp,
Ndërmjet U-së për madhështinë e tokës.
Erst Junger kinse i gjeti
Disa çelësa të kuptimeve
Për një tjetër gjuhë.
Erst Junger poet, në vitet e katastrofës
E shkroi traktatin “Lavdi të zëshmëve”
Vdekja artikulonte zanoret e saj makabre
Po Erst Junger s’i dëgjonte
E bashkëtingëlloret rrëzoheshin
Si eshtrat e Aushvicit.
7 qershor 1970
VEZA BLU
Veza blu e liqenit të Ohrit,
Veza blu,
Veza blu!
A mund që prej saj
Të rilind përsëri
Si një shpend përrallor këtu?
Pogradec, 13 mars 197O
LEGJENDA E HËNËS
Dy virgjëresha ç’vishen lakuriq
Në lëmë. Rrotullohen trup me trup,
Duke takuar gjokset dhe kurrizin.
Rit i pakuptueshëm misterioz.
Hëna zbriti duke pëllitur si një lopë
Lema u bë qumështi i bardhë i saj
Virgjëreshat mblodhën qumështin e Hënës
Për magjitë e natyrës. Pastaj
Çdo gjë u zhduk për t’u dyfishuar
Peizazhet e ëndrrës!
7 maj 197O
LUNDRA
Ah, vikingët e vjetër,
Kur vdisnin i vinin mbi një lundër
Plot ushqime dhe i lëshonin në det.
Ah, vikingët e vjetër,
Vdekja qe një lundrim i ri
Në një tjetër jetë!
Ah, vikingët e vjetër,
Bëjeni gati një lundër për mua
Për vdekjen – oqeanin e rreptë!
197O
PA AKREPA
Shkruaj gjëra që s’thonë asgjë
Shkronjat s’formojnë
Fjalë, folje, emra.
Si fusha sahatesh pa numra
Pa akrepa!
1970
REFLEKTIM
Dritaret ja reflektojnë
Njëra tjetrës Diellin.
Ç’fëmijë,- që luajnë,
Duke e pasuar topin !
1970
DANTEN LEXOJ
Danten lexoj,
Ç’tercina të tmerrshme,
Peizazhe të Ferrit!
Ku Terri Demon kafshon Hënën,-
Si Kont Ugolini
Kafkën e Ruxherit !
1970
BEBËZAT
Kodra me misër
Në fushat e Lushnjës
Kodra me misër
Me eshtrat kallama.
Kodra me misër
Dhe erërat e arta.
Tani shoh gjithçka
Dhe përtej shikimit
Me miliona bebëza
Në kallinjtë e misrit.
Lushnjë, 197O
FEJESA
I fejuar me Poezinë
Në një ceremoni dasme
Bëjeni për mua një unazë
Me xixëllonjën me fillikate!
197O
MBI VUNO
Mbi majën e Mblerezës mbi Vuno
Gjej matrikullën e një ushtari italian
Dhe fjalët e stamposura :
« 1912 – 38949/76 C
Carlo Giuseppe, Di Angelo e Virginia,
Macheria – Milano”
Padyshim ka vdekur e varri s’i dihet.
Ç’jetë e panjohur! Veç matrikulla
Ka mbetur. Si një monetë e rënë
Nga xhepi i shpuar i vdekjes.
Vuno 23 qershor 197O
LARGIMI NGA VDEKJA
Të largohesh nga jeta
Është një zhvendosje e çuditshme,-
Ah t’i ngjash oqeanit që duke u tërhequr
Zbulon ishujt dhe kontinentet e thellësive!
197O
SHPENDËT E BALSAMOSUR
Hoteli i drunjtë.
Ç’pyll u pre dikur dhe u bë dhoma,
Dysheme, mure? Rreth e rrotull hapësirë
E kënetës që s’është. Saçmet e çifteve
Tani janë kthyer në lule të kujtesës.
Hoteli i drunjtë.
Dy lejlekë të bardhë, tri rosa të egra
Me sqepat në formë gjysmëhënash të kuqe,
Pesë fazanë – ylberë të balsamosur
O shpendë! Ku janë zërat tuaj?
Tonet u dilnin nga gjokset
Ku në zemra u kishin mbirë
Imazhe kallamash që lëkundeshin
Në ujërat e verdha plot muzg
Fluturimet tuaja si një lëmsh
Fijesh të kaltra – më kujtojnë fëmijët
Që me fije të tilla ngrinin balonat,
Balonat këputeshin – e fijet
E humbisnin kuptimin.
Kush ju balsamosi o shpendë?
Pse ajri s’u mbajti në duart e tij të tejdukshme,
Ajri që ju deshi
Siç ju dua dhe unë?
Të vrarë me çifte në ajër –
O ç’vdekje në ajër!
Pa fluturime më,
Me gjethet e thara të krahëve
Të mbushur me kashtë
(Nga e kënetës së dikurshme)
Dhe mua më duket se nga dërrasat
Do të dalin degët dhe kallamat
Çdo centimetër e dërrasës do të çlirojë
Cicërimat që mbanin të koncentruara,
Vetë qiellin, erërat, shkëlqimet
E metabolizmit të stinëve.
Në fakt asgjë nuk ndodh.
Peizazhi ujor i zhdukur
Pikon nga rubinetat.
Pika të vogla që shtojnë
Etjen e përfytyrimit.
Hoteli i Gjahtarëve Lezhë
21 korrik 197O
ora 6030’ e mëngjesit

Poezia eshte Dielli ne shpirtin e Artit …
“Legjenda e Henes”
i ngjan nji Lajthitje-je
nji Nate te Henes se plote :
(gjera qe ndodhin ,asgje kundra lopeve dhe ritualeve orientale nudo te femrave nen hijen e Henes mes Varreve ,duke perplasur bythme byth)
“Legjenda e Henes”
i ngjan nji Lajthitje-je
nji Nate te Henes se plote :
(gjera qe ndodhin ,asgje kundra lopeve dhe ritualeve orientale nudo te femrave nen hijen e Henes mes Varreve ,duke perplasur byth me byth)
Moikom Zeqo je vlere e shtuar per shqiptaret, por mullinjte e thashethemeve te tipit Demo me mendimet e tyre analitike ere haleje e kane pasion te godasin pemen qe ka kokrra.
A e ke bere pyetjen zoti Zeqo pse Asdreni,Lasgushi,Migjeni ishin me Psevdho Onoma (pseudonim) dhe jo me emrat apo mbiemrat e tyre?
Se ne Al-bani,Al Sulltani dhe Al-Terezani vazhdon akoma te sundoje Erdogani dhe ata qe e futen ne Nato,kur dihet se cfare I ka bere Greqise,Epirit dhe Identitetit tone kjo Perandori islamike.
A nuk do ishte me mire per Asdrenin te nderohej me emrin e Tij Aleksander?
Apo Lasgushi me emrin Llazar?
Apo Migjeni si Millosh?
Ashtu sic I nderoni Naimin,Samiun,Abdyllahun qe luftuan per Turqine dhe nuk donin lirine sic u ngriten Arvanitasit per clirimin e Epirit,Ilyrise dhe gjithe kombin Helene.