Pogba bën “gjelat” me krahë, Franca shkon në çerekfinale

anazapta

Paul Pogba, pas Juventusit edhe Franca i falet djaloshit të artë që i hapi rrugën kalimit të gjelave në çerekfinalet e Brazil 2014, me 21-vjeçarin qe zgjidhi një ndeshje shumë të komplikuar për djemtë e Deschamps përballë Nigerisë që pavarësisht disfatës finale i hapi shumë punë gjelave duke i futur drithërimat bluve që mundën të marrin frymë lirisht vetëm pak sekonda para vërshëllimës finale, kur vulosi rezultatin autogoli i Yobo, 2-0 dhe gjelat shikojnë çerekfinalen.

Fillim pa shumë shkëndija me dy skuadrat që shiheshin në pasqyrë duke studiuar lojën e njëra-tjetrës. Në minutën e 6-të një krosim nga e djathta i Ambrose nuk u shfrytëzua nga Odenwingwe që edhe pse në pozicion të volitshëm nuk arriti të godiste topin. Për të parë tentativën e parë të “gjelave” drejt portës së mbrojtur nga Eneyama duhej pritur minuta e 15-të megjithatë edhe në atë rast tentativa e Giroud ishte për t’u harruar. Në të 19-ën Emenike arriti ti shpëtonte mbrojtjes së Francës duke e dërguar topin në rrjetë, megjithatë vërshëllima e kryesorit amerikan Mark Geiger që sanksionoi një pozicion jashtë loje të sulmuesit të Fenerbahches ndali festën e “supershqiponjave” të Afrikës. Tre minuta më pas u regjistrua edhe rasti më pastër deri në atë moment të takimit. Një aksion i nisur nga Pogba u finalizua nga vetë ai, megjithatë goditjes fluturimthi të mesfushorit të Juventusit iu përgjigj po me një fluturim Eneyama dhe falë një pritje të jashtëzakonshme i mohoi 21-vjeçarit kënaqësinë e golit të tij të parë në një Kupë Bote. Për të parë një tjetër rast nga ana e formacionit të Deschamps duhej pritur minuta e 40-të.

Matheu Debuchy pasi u asistua saktë nga Valbuena goditi menjëherë, megjithatë fati nuk ishte me francezët, pasi topi i gjuajtur nga mbrojtësi i Newcastle përfundoi pak centimetra jashtë kuadratit të mbrojtur nga Eneyama. Në të 44-ën Emmanuel Emenike lëshoi një predhë nga distanca që drodhi edhe duart e Lloris gjithsesi kapiteni i gjelave arriti ta grushtonte topin. Pak sekonda më vonë Franca kishte një tjetër shans të mirë por një kundërsulm i shpejtë i Valbuena nuk u shfrytëzua nga Giroud teksa sulmuesi i Arsenalit nuk arriti të kuptohej me Benzema. Pjesa e dytë nisi me një Nigeri të mirëvendosur në fushë që nuk i lejonte aspak hapësira kombëtares së gjelave megjithatë në të 55-ën afrikanët humbën një nga pikat e tyre më të forta pasi mesfushori i Lacios, Onazi braktisi fushën me barelë pas një ndërhyrje të rëndë që mori nga Blaise Matuidi. Në minutën e 60-të Emenike provoi sërish nga distanca, por topi përfundoi paksa mbi traversë. Dy minuta më pas Deschamps kërkoi t’i jepte më shumë freski fazës sulmuese, duke hedhur në fushë Griezmann në vend të Giroud. Në të 64-ën ishte radha e Odenwingwes për të testuar cilësitë e Lloris me një tjetër goditje nga distanca, gjithsesi portieri i gjelave edhe këtë herë ishte në lartësinë e duhur. Me minutat që kalonin Franca e kuptoi shumë se për t’u kualifikuar në çerekfinale duhej të rriste ndjeshëm nivelin e lojës së saj. Në të 70-ën një kombinim i mrekullueshëm mes Griezmann dhe Benzema nxori këtë të fundit të vetëm përballë Eneyamës megjithatë fillimisht portieri e më pas Victor Moses shpëtuan Nigerinë nga disavantazhi. Shtatë minuta më pas kombëtarja e gjelave kishte një shans të dyfishtë për të realizuar. Goditja e Benzema u largua në vijën e portës nga Obi Mikel ndërkohë që edhe atëherë kur Eneyama ishte i mundur fati nuk ishte me Francën pasi goditja e Cabaye nga jashtë zone u stampua në traversë. Eneyama tejkaloi sërish vetveten në minutën e 78-të me devijimin e tentativës së Benzema, por si çdo njerëzor i thjeshtë dhe ai pati momentin e tij të gabimit një minutë më pas kur hodhi gjithçka poshtë me daljen e tij të pastudiuar që i dha mundësi Paul Pogba të kalonte në avantazh gjelat.

Goli shokoi Nigerinë që në minutën e 84 për pak sa nuk pësoi golin e dytë nga Grizemann, dhe u gjunjëzua përfundimisht në sekondat e fundit kur kapiteni Yobo dërgoi në rrjetën e tij një top të hedhur në zonë, për ti dhënë fund ëndrrës së shqiponjave afrikane, epitet që duket se nuk u shkon dhe aq të mposhtur nga gjelat e Francës që tani janë edhe më të karikuar për ta bërë këngën e tyre të dëgjohet fort në këtë Botëror.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *