Dy kushërinj rezultojnë të zhdukur në liqenin e Ohrit që nga mesdita e djeshme. Ardian Kosturi, 18 vjeç dhe Aleks Kula, 14 vjeç, të dy banues në fshatin Libonik të Korçës, u deklaruan nga policia vendore si të humbur, pasi varka me të cilën kishin dalë për vozitje u gjet bosh.
Adoleshentët kishin shkuar së bashku për disa ditë pushimi në Pogradec dhe dje kanë dalë me varkë në liqen. Një dëshmitar që ka parë ngjarjen i tha policisë se dalloi dy persona që notonin dhe kërkonin ndihmë duke bërë lëvizjet e personave që ishin në rrezik mbytje.
Ai njoftoi menjëherë autoritetet vendore dhe Komisariatin, ndërkohë që pasi varka u konstatua e boshatisur, nisën kërkimet. Nga Tirana mbërritën palombarët e RENEA-s, por deri në orët e vona të pasdites nuk u gjet asnjë prej trupave. Po dje u ndaluan edhe pronarët e varkave me qira, Ilia Shyta dhe Çelnik Zyferi, pasi nuk kanë verifikuar moshën e mitur të dy djemve.
Ngjarja
Dyshimi i parë i policisë është se dy të rinjtë janë mbytur në liqen gjatë notit. Nuk dihet nëse rënia ka qenë aksidentale nga varka, apo janë zhytur për t’u larë dhe më pas ka ardhur tragjedia. Por sipas rrëfimit të dëshmitarit në polici, mendohet se një prej tyre mund të ketë rrezikuar mbytjen dhe tjetri është zhytur për ta ndihmuar dhe gjithashtu është përpirë nga liqeni.
Policia po heton edhe pistën e një mbijetese të të rinjve me not, por nuk ka ende prova. Për ngjarjen janë njoftuar edhe familjarët, që deklaruan se djemtë kishin mbërritur në Pogradec për pushime verore. Pronari i varkës verore me pedale, që i lëshonte me qira për pushuesit, tha se dy të rinjtë kishin dalë për vozitje diku afër mesditës dhe më tej nuk i ka ndjekur më.
Policia nxori mjetin lundrues në bregun e liqenit dhe brenda gjeti vetëm dy celularët e të rinjve dhe portofolat. Burime zyrtare njoftuan se morën një telefonatë që i vinte në dijeni për një varkë të boshatisur dhe për persona të mbytur dhe nisën verifikimet e menjëhershme. “Për momentin i kemi persona të humbur, pasi nuk ka prova për mbytjen e tyre, pavarësisht se në varkë ishin celularët dhe portofolat. Po vijojmë kërkimet me palombarë deri në gjetjen e trupave në thellësi. Po kërkojmë edhe në breg nëse liqeni mund t’i nxjerrë trupat”, thanë autoritetet e policisë vendore.
Arrestimet
Po dje, policia ka shoqëruar dhe arrestuar dy person që jepnin varka me qira, pasi u kanë dhënë mjetin lundrues personave nën moshën 18 vjeç, pra të mitur.
Të arrestuarit janë Ilia Shyta, 63 vjeç, banues në lagje nr. 5 dhe Çelnik Zyferi, 65 vjeç, banues në lagjen nr. 2. “Ndalimi u bë pasi rreth orës 12:00 të së mërkurës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke punuar në bregun e liqenit të Pogradecit, ku lëshonin varka me qira në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave për lundrim me këto mjete, të moshave nën 18 vjeç, ju kanë dhënë një varkë me qira dy të miturve të cilët janë mbytur në liqen”, thanë burime të policisë.
Akuza ndaj tyre është “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Aksionin e palombarëve po e ndjekin nga afër dhe familjarët e dy të rinjve të zhdukur, të cilët thanë se kushërinjtë ishin larguar me shpejtësi nga banesat për pushime, pa u dhënë shumë sqarime.

Varke me PEDALE, o kungull. Jo me pedonale.
Ku e lexove ti pedonale??