Policia e Pogradecit njoftoi ditën e djeshme se ka marrë nën hetim në gjendje të lirë ish-drejtoreshën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në këtë rreth me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Hetimet nisën pas pretendimit të një banori se K. Sh., 35 vjeçe, banuese në Pogradec, dyshohet se për periudhën 2010-2012, ka bërë tjetërsimin e një sipërfaqe toke në persona të tretë, me qëllim përfitimin, dhe nga ana e saj e një sipërfaqe toke si shpërblim nga pala përfituese, për të cilën pronar i ligjshëm është denoncuesi Th. M., 59 vjeç, banues po në qytetin liqenor. “Materialet në ngarkim të ish-zyrtares së dyshuar i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, njoftoi policia vendore dje. Do të jetë organi i akuzës që do vendosë nëse ka vepër penale dhe nëse do të vijojë hetimet për këtë kallëzim ndaj ish-drejtoreshës dhe nëse pretendimet e qytetarit për tjetërsimin e pronës së tij qëndrojnë.
