Pogradec, ose bëje ëndërr

redaktor

Je penduar që nuk ndenje profesor i gjuhës shqipe në Graz? Kur kujtoj Poradecin tim të dashur, jo! Lasgushi ishte në vitin e parafundit të jetës kur e pyeta për herën e dytë, nuk mund ta pyesje më shumë se një herë, ndaj dhe herën e dytë pyetja ishte e ndryshuar: ke ndjerë pendesë në gjithë këto vite, që nuk ndenje në Graz? Përgjigjja sikurse e prisja ishte e shkurtër, e qartë: Kur kujtoj Poradecin tim të shtrenjtë, jo! S’është metaforë, ndoshta mund të kuptojmë koston e kësaj dashurie. Në pleqërinë e thellë ishte, megjithëse ai nuk ishte një plak, kur më shumë se gjithçka që mund ta kishte munduar, Poradeci e rinonte dhe për t’i mbetur besnik të vërtetës së këtij rrëfimi, kujtoj njërën nga fare të paktat herë kur ai mund të qeshej.

I gëzuar isha në një palë zgjedhje për dikë, që unë e shumë të tjerë mendonim të bënte punë të mira. Gjyshja ime e ndjerë, pasi dëgjoi më tha: Ky që po thua ti more bir, nuk është një shqiptar, me parà Kishe kanë ardhur në Pogradec, e di mirë nga im atë. Dhe po t’i bashkoj të dyja këto ngjarje, e thënë sikur Lasgushi, do thosha se lidhja me një qytet është spirituale, madje edhe atëherë kur mund të duket rastësore, prapë spirituale është, dhe për ta bërë më të qartë, po jo më të besueshme, është ajo, që u mësojnë kandidatëve të partive ta përsërisin dendur, se ata qenkeshin shpirtërisht të lidhur me këtë vend dhe meqë jemi në kohën kur Pogradeci do zgjedhë qytetarin e parë, dhunshëm më hyjnë “Gjethurinat” e Markezit.

Mbi njëzet e pesë vite të shkuara, me “Gjethurinat” e Markezit në duar, lexova për herë të parë për DYNDALLËN. Përshtypja e parë ishte e fortë, goditëse, pështjelluese, por s’pata fuqinë e duhur, që atë, që kishte ndodhur gati njëqind vite të shkuara në anën tjetër të botës, ta parashihja të realizuar këtu, të realizuar shkëlqyer, nga të fshehur të gjithfarëngjyrave e gjithfarëprirjeve, deri më sot, pas 25 vitesh dyndallëzim. Ndryshe, më të kujdesshmit, e thërrasin tranzicion, por ç’dobi sjell të fshihesh pas këtyre termave të sofistikuar e ndjellamirë kur në të vërtetë shqiptarët kanë provuar ferrin. S’mendoj se për qytetin tim ky proces degradimi ka qenë i pashembullt, thjesht dua t’ju them se ky vend prej vitesh është i braktisur dhe i uzurpuar. I braktisur prej të gjithë atyre, që kanë detyrimin qeverisës, s’hyjnë këtu bijtë e Pogradecit, që kanë bërë zgjedhjet e tyre, duke ikur e duke e lënë dhe i uzurpuar prej sojit që pret 4-vjet, por që pret edhe 8-vjet ndoshta edhe më shumë, derisa të vijë minuta për të shqyer kufomën. Dy janë lidhjet: braktisje-uzurpim ose uzurpim-braktisje.

Rasti i parë më karakteristik është për periudhën e parë të dyndallëzimit, që i frazuar është: Të gjithë braktisën gjithçka. Braktisën gjithçka që kishin dhe u lëshuan në delir të uzurponin edhe atë që deri një ditë më parë ishte e pakapshmja. Braktisja u bë guerile, qëndrore, periferike. Gjithkush që braktiste një vend, më parë e kthente në tokë të djegur dhe bëhej gati të kapte një zyrë, falë universiteteve të hapura nëpër çatitë e ndërtesave. Diplomat edhe sot vazhdojnë të ndahen me dron, mjafton të dish ku të paguash, dhe në ballkon të jesh duke rrufitur kafenë, mos u çudit kur një dron të sjell si me magji një diplomë. Gjithkush që braktisi fshatin, gjeti një qytet të braktisur, kështu që tani të organizuar deri në organizatat bazë të partive të çdo ngjyre, uzurpimi nga jashtë u bë tërësor, hermetik.

Uzurpimi nga jashtë u bë edhe më i frikshëm kur kujtdo nga qëndra, që i tekej për karrierë, ashtu i zemëruar me vendlindjen e vet nga e kishin përzënë, kthehej në provincën, që mirëpriste çdokënd dhe vidhte aq vota sa i duheshin për të ikur dhe nëse s’ikte menjëherë, për aq vite sa qëndronte ferr e shkatërrim mbillte dhe ata të sojit të tij, që mbeteshin pas ikjes së tij, nga qehallarë në zotërinj ktheheshin duke shkëlqyer me mënxyrën e radhës. Doni pamjen e tyre më qesharake në ardhje? Sillleshin si çlirimtarë, ndërsa në ikje të zemëruar, të zhgënjyer me Pogradecin dhe prej atij çasti shkatërrimin do ta mbillnin prej telefonave.

Rasti i dytë është i uzurpatorëve të nginjur, që e braktisnin. Sa prej deputetëve të Pogradecit në 25 vite i shpëtuan tundimit për të mos u bërë metropolitanë? Kush mundet të llogarisë faturën e mbi njëqind këshilltarëve të bashkisë në këto njëzet e pesë vite, që pasi nxitonin e kapnin kryet e listave të partive veç të shihje ç’rehat e gjumë iu vinte sapo shpalleshin këshilltarë. Me duart lart ndërtuan panteonin më të rremë të të gjitha kohërave. U gjuajt në çdo rrugicë e fis e u sajua nga një qytetar nderi vetëm e vetëm për trafik votash. Aq e vërtetë është sa duhet bërë edhe njëherë prej fillimit. Dy portave të gjalla të Pogradecit, Lasgushit e Mitrushit kush e çdokush po iu rri afër e ngjitur në ato lartësira vetëm prej zellit të mbrapshtë që, kafeneja do edhe kamarier edhe bufetier edhe këngëtar, ndoshta edhe ndonjë spiun. Përveç se i pavlerë, përveç se i panevojshëm, ndoshta kriminal gjithë ky zell. Përse janë titulluar njerëz që kanë hedhur gurin e mallkimin prapa në largim? Nëse pendesë është le të mjaftohen me freskun që Pogradeci ofron. Pogradeci askujt nuk i detyrohet. Pogradeci, qyteti i bijve dhe bijave të vet është i veshur i tëri me magji e mirësi. Me mirësi më shumë se çdo qytet tjetër. Kështu ka qënë. Kështu do të mbetet. Me magji si asnjë qytet tjetër. I kapur si asnjë qytet tjetër. Zot, çliro Pogradecin nëse edhe këtë herë njerëzit e mirë s’do të munden ta bëjnë.

Prej qendrave shihen e maten zhvillimet dhe fuqia e një qyteti. Sot, Pogradeci duhet ta kishte të vulosur qendrën historike, e thënë ndryshe, Pogradeci ka bërë aq histori. Përveç arsyetimit se vështirë të gjesh qytet në planet pa sheshin e lirisë, ajo e djemve kolonjarë që dhanë jetën në Pogradec për Shqipëri, si dhe ngritja e flamurit, janë mëse të mjaftueshme që, sheshi i lirisë të ishte prej graniti e bronzi. Në tridhjetë kilometra breg liqeni, Pogradeci sot duhet të kishte disa qendra gjeografike. Dy qendra-sheshe duhej të ishin dy portat hyrëse-dalëse, njëra në Plloçë e tjetra në Qafë Thanë dhe ky është moment që më ëndërrimtarët të shpallin gjithë bregun liqenor ekologjikisht të mbrojtur dhe po ëndërrimtarët pasi të shpallnin të gjithë bregun vijë rezidenciale, të ndalonin lëvizjen e çdo lloj automjeti jo ekologjik në këmbim të një tramvai elektrik me shërbime deri jashtë portave. Dy porta, dy tunele për më ëndërrimtarët, pse jo edhe të shpallet si qyteti i parë krejtësisht ekologjik.

Për më pak ëndërrimtarët: Si mundet të mos ketë Pogradeci sheshin e peshkatarëve, atyre që për qindra vite kanë siguruar mbijetesën. Ndoshta një varkë e stërmadhe druri a betoni në vendin e vet, por që sigurisht do të jetë zgjidhje artistësh. Ja dhe një qendër që lidh fort gjeografinë me historinë e Pogradecit. Liqeni, bregu me të gjitha fshatrat dhe Mokra janë pjesë e pandarë e të njëjtin ekosistem. Çdo përpjekje për ta ndarë përbën lajthitje që vetem sa vonon zhvillimet e natyrshme, te padiskutueshme të këtij territori. Mjafton të shohësh ballkonet pjellore natyrore të bëra shkëlqyer në çdo pesëdhjet, njëqind, dyqind deri në katërqind metra lartësi që lidhin Pogradecin me Mokrën. Për Mokrën s’do thoja as gjysma tjetër, por thjesht gjysma. Aq e vërtetë është sa, në Mokër më shpejt shkohet me këmbë se me makinë. Po kaq e fuqishme është edhe lidhja historike. Mjafton të kujtojmë që, në kohëra lufte Pogradeci dhe fshatrat e bregut strehë e ushqim gjenin në Mokër.

Sheshit të Mokrës i ndodhi ajo që i ndodhi muzeut të Pogradecit. Nuk e kuptoj pse u zgjodh ai trekendësh i fshehur për muzeun. Në rastin më të mirë mbetet të besoj se pushtetarëve nuk iu ka munguar. Pas dy pushtimeve barbare që iu bënë Pogradecit me divizionin ushtarak, i cili do luftonte dy superfuqitë, si dhe me minierën e fabrikën e pasurimit të hekur-nikelit, që përveç ngrehinave qindra milionëshe la dhe dy pallatet që sot e kësaj dite janë shëmbëlltyra më kuptimplotë e makthit komunist, pushtim të tretë do rendisja shpikjen e lloj-lloj festave e festivaleve që, lanë në harresë ose mbijetesë sporte të suksesit pogradecar. Tre herë rresht u kap në befasi Pogradeci nga pushtimet barbare duke tentuar dhunshëm t’i ndryshonin destinacionin artistik. U sollën me Pogradecin sikur të ishte një shpikje e komunizmit, duke mos iu kthyer tradites të hershme të festimit të karnavaleve, teatrove, piktures, skulpturës, sporteve malore dhe ndër to dhimbje e madhe shfarrosëse mbetet zhdukja e bandës frymore të qytetit. Sot në Pogradec pianoja nuk bie askund. Pogradeci është shumë i ndjeshëm, nuk pranon kirurgji të forta, ndoshta pak plastikë për të tërhequr nga bregu tjeter qendrën e rëndesës dhe kjo jo për ta sjellë këtu, se nuk mundemi, por prej Ohrit mundemi ta lëvizim.

Vetëm njëqind vite kanë kaluar kur gjithkush, që nuk çante dot në Korçën hermetike, qëndra e atëhershme rajonale ekonomike e kulturore, shumë më të lehtë e kishte të çante në Ohër madje e në Selanik, por kjo le të vlejë për arsyetimin e qëndrës rajonale ekonomike. Ky arsyetim do të na ndihmojë që, duke u bërë më pak të ashpër, të kuptojmë ndonjë gjë më shumë pasi të kemi shëtitur rreth e rrotull të gjitha brigjet e liqenit të Ohrit. Pamja, që ofron bregu i Pogradecit me Malin e Thatë përballë, është e pakrahasueshme me pamjet e çdo cepi tjetër. Ndoshta ndriçojmë kështu edhe një përgjigje të argumentuar të pyetjes së hershme se, përse dy korifejve të bregut të Pogradecit askush dhe aspak nuk iu afrohet prej bregut tjetër. Nëse e kemi ditur, përse atëherë ka mbetur e palëvizur qëndra e rëndesës? Mos ndoshta qendrat arkeologjike të sajuara të bregut tjetër për rrënjët autoktone maqedonase rëndojnë më shumë se varret monumentale të Selcës? Dyshekët e bregut tjetër mos ndoshta janë më të rehatshëm se dyshekët tanë italianë? Le ta shfrenojmë pak imagjinatën: Le të kthehemi në kohë aq prapa, kur Lini ishte ishull dhe kur as Korça s’ish. Ndoshta mund të lindim një qytet prej fillimit nga e para me Linin ishull. Qytetet nuk i ndërton inisiativa e lirë. Qytetet i ndërton Çezari.

Share This Article
1 Comment
  • Nje shkrim i goditur .Ky shkrim vlen per te gjithe njerzit qe mendojne dhe duhet te punojne per qytetin e tyre(zonen).Shpresojme qe ky Cezari te bej dicka te bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *