Një 50-vjeçar u mor nën akuzë në gjendje të lirë nga policia e Pogradecit, pasi u denoncua nga zyrtari i Drejtorisë Arsimore të Rrethit për kanosje dhe shkatërrim prone. Policia tha se i dyshuari është K. A., banues në lagjen nr. 5 të qytetit. Denoncimi në komisariat u bë orët e vona të pasdites nga punonjësi i Zyrës Arsimore Pogradec, S. M., i cili deklaroi se i dyshuari, në gjendje të dehur, ka prishur bravën e zyrës dhe e ka kanosur, me pretendimin se nuk i merrnin bashkëshorten në punë si mësuese. Pas marrjes në pyetje, 50-vjeçari u la i lirë.
