Policia: Hetim pse trahanaja vinte nga Athina, e zbuloi si “kokainë” në kufi

redaktor

Doli se ishte trahana pakoja e deklaruar nga policia si lëndë narkotike, kokainë me sasi 1 kilogramë.

Ka dështuar operacioni i zhvilluar mëngjesin e djeshëm në pikën kufitare të Kakavijës, kur u zbulua në autobusin e linjës Athinë-Tiranë një qese e dyshuar se kishte brenda lëndë narkotike.

Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës bënë të ditur dje në një njoftim për shtyp se ishte bllokuar 1 kg drogë në autobus, e futur në një qese me mbishkrimin e emrit të personit që do e priste.

Mes saj ndodheshin dhe disa çentro e sende të tjera, të cilat kishin rrethuar pakon.

Pas ushtrimit të kontrollit fizik në bordin e autobusit, policët kufitarë, kanë vijuar inspektimin në pjesët e bagazhit të autobusit ku kanë gjetur një çantë me mbishkrimin E.S. Brenda saj është gjetur një pako, e mbështjellë me ambalazhin e një firme sheqeri, brenda së cilës ndodhej droga e dyshuar

“Menjëherë efektivat e Policisë Kufitare kanë njoftuar Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve  dhe grupin hetimor të cilët kanë mbritur menjëherë në vendngjarje. Ata kanë bllokuar pakon e dyshimtë dhe kanë shoqëruar për në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dy drejtuesit e autobusit pasi çantën e kishin marrë si porosi për ta transportuar nga Athina në Tiranë”, bëri të ditur polica.

Nisur nga fakti që emri ishte i shënuar lart janë krijuar kontakte me policinë e Tiranës, e cila ka arrestuar menjëherë personin që kishte emrin mbi çantë, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër shtetas. Sipas hetimeve të para të policisë së Gjirokastrës, autobusi është përdorur për trafikun e drogës.

Një person dyshohej të kishte futur pakon në çantë dhe i kishte lënë si porosi shoferëve të autobusit që ta dorëzonin në Tiranë, në emrin që kishin shënuar mbi çantë. Kokaina e paketuar si sheqer brenda çantës, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërsa dy shoferët e autobusit, janë lënë të lirë nga Policia e Gjirokastrës për të vazhduar rrugën drejt Athinës, së bashku me 32 pasagjerët në bord.

Në fakt kanë qenë hetimet e kryera në Tiranë që zbardhën dhe brendinë e pakos. Nga verifikimi i lëndës brenda qeses së sheqerit ndodhej jo kokainë, por thjesht trahana.

Dyshimet e para lindën pas këmbënguljes së shtetasit E.S., i cili deklaronte se nuk kishte asnjë porosi në emër të tij.

Sipas ekspertëve, ngjyra e verdhë në kafe, ka bërë që punonjësit e antidrogës së Gjirokastrës të dyshojnë se bëhet fjalë për drogën e shtrenjtë.

Pas këqyrjes së imtësishme është dhënë përfundimi se nuk kemi të bëjmë me kokainë, por trahana që vinte nga Greqia.

Në orët e pasdites i arrestuari nën akuzën e trafikut të drogës është lënë i lirë, ndonëse hetimet vazhdojnë me intensitet.

Burime të policisë thanë dje se ka dyshime që pako e trahanasë të ketë qenë provokim ose një mbulim i një sasie droge që ka arritur të depërtojë në vendin tonë me të njëjtin autobus.

Aktualisht provat janë të pakta, ndonëse është bërë dërgimi në laborator i të gjithave sendeve për të zbuluar nëse ka shenja gishtash të lënë nga autorët e dyshuar.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *