Policia ka reaguar pas publikimit në media të një pjese të dosjes hetimore të operacionit anti-drogë “Laguna e Vilunit”, ku ngrihen dyshime se në makinën e deputetit Mark Frroku ishte një prej të kërkuarve të grupit kriminal dhe nuk u vu në pranga.
Përmes një deklarate për media, sqarohet se operacioni “Laguna e Vilunit”, i cili u zhvillua nga data 30.09.2014 deri në 02.10.2014, mbetet ndër më të suksesshmit, organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe agjensitë ligjzbatuese të vendeve fqinje, Itali dhe Mali i zi.
Në kuadër të këtij operacioni policor, është bërë i mundur sekuestrimi i sasisë së lëndës narkotike, rreth 804 kilogramë e dyshuar, Cannabis Sattiva dhe u arrestuan 7 vetë.
Por zyrtarisht policia shton se vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Policia ndërkohë shpreh shqetësimin lidhur me publikimin në media të dokumentacionit të klasifikuar “sekret”, që dekonspiron jo vetëm dosjen hetimore, por edhe punonjësit e Policisë që kanë vepruar në këtë operacion.
“Ky fakt vë në rrezik serioz vetë jeten e këtyre punonjësve dhe mbarëvajtjen e hetimit. Për këtë arsye, Policia e Shtetit do të iniciojë ndjekje penale për personat përgjegjës”, thuhet në reagim.
“Për sa i përket insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit “Laguna e Vilunit”, janë marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur prej më shumë se 1 viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal. Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë për çdo shtetas, pavarësisht statusit të tij dhe pa asnjë dallim”, deklaron Policia.
