Kryebashkiaku Bloomberg plot besim pas këtij aksioni për të rinisur përpjekjet kundër ndalimit të politikës “ndalo dhe kontrollo” që sapo është shpallur antikushtetuese nga një Gjykatë e Apelit
Oficerë të policisë së New York-ut, të maskuar si civilë të interesuar për blerje armësh depërtuan dhe pastaj neutralizuan dy rrjetje ndërshtetërore të tregëtisë së paligjshme të armëve.
Nuk mund të blesh armë me ligj në New York, por shumica e vrasjeve dhe krimeve ndodhin me armë të sjella nga shtete të tjera të Amerikës.
Këtë bënin edhe dy figurat kryesore të trafikut të armëve të arrestuar sot nga policia
Walter Walker, 29 vjeçar nga Sanford, North Carolina dhe Earl Campbell, 24, nga Rock Hill, South Carolina. Të paktën 254 armë të paligjshme të kapacitetit të lartë, tërësisht automatike, janë tani në duar të policisë së New York-ut. Këto lloj armësh do të kishin përfunduar në duart e kriminelëve më të rrezikshëm.
Administrata e kryebashkiakut Michael Bloomberg është plot besim pas këtij aksioni për të rinisur përpjekjet e saj kundër ndalimit të politikës “ndalo dhe kontrollo” që sapo është shpallur antikushtetuese nga një Gjykatë e Apelit. Vendimi ka gëzuar kritikët që thonë se metoda është përdorur me dekada për të diskriminuar pakicat afrikano-amerikane dhe latine në qytetit.
Bloomberg dhe zyrtarë të Departamentit të Policisë së New York-ut këmbëngulin se metoda është e domosdoshme për qytetin. Ata ia japin asaj meritën për ulejn e krimit në New York dhe druhen se bllokimi ligjor do të sjellë ngritjen përsëri të krimit.
Në bazë të kësaj metode pune, policia nuk pret që dikush të bëjë një krim por i parandalon keqbërësit duke i ndaluar pa shkak për kontroll dhe pyetje në rrugë e në mjedise publike. Kritikët, sidomos të krahut liberal dhe të Partisë Demokratike mendojnë se policia rregullisht ndalon në rrugë të rinjtë duke i paragjykuar thjesht nga ngjyra e lëkurës. Në fakt, një shumica vendimtare e të ndaluarve rezultojnë të jenë djem të pakicave racore.
Mirëpo, Raymond Kelly, shefi i policisë njujorkeze ka kundërshtuar këtë mënyrë leximi të statistikave duke nënvizuar se krimi është më i lartë në lagjet më të varfra, që janë të banuara nga afrikano-amerikanë dhe latino-amerikanë.
Në fakt, krimi ka rënë në mënyrë drastike për dy dekada rresht në New York City, duke e kthyer nga një qytet famëkeq në krime, në një shembull për metropolet e tjera amerikane. /(Ruben/Illyria)
