Të dhënat zyrtarë nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se të gjithë shkelësit e karantinës janë ndëshkuar me masë administrative prej 70 mijë lekësh. Ata janë konstatuar gjatë kontrolleve të bëra nga policia, duke mos rezultuar në banesë.
Nga muaji prill deri në fund të gushtit, 14 qytetarë janë gjobitur nga policia e shtetit për shkelje të karantinës pasi kanë dalë nga banesa. Shkelja e karantinës tashmë nga qytetarë të papërgjegjshëm po kthehet në shqetësim për banorët e zonës ku ata banojnë.
Emrat dhe listat e të gjithë personave që rezultojnë pozitiv në tamponin e kryer për COVID-19, u dërgohen komisariateve të zonave ku të prekurit banojnë. Më pas janë patrullat dhe grupet e policisë që bëjnë kontrollin e zonës, nëse këta persona e shkelin karantinën duke dalë nga banesa dhe duke rrezikuar edhe jetën e qytetarëve të tjerë.
Në të gjithë vendin, sipas policisë, janë mbi 123 patrulla që kontrollojnë dy deri në tre herë gjatë ditës zonat ku rezultojnë personat e prekur me koronavirus. Kryeqyteti mban numrin më të lartë të të infektuarve. Sipas bluzave të bardha, rastet që e kalojnë me komplikacione të lehta, shkelin karantinën duke mos qëndruar për dy javë brenda banesës deri në momentin e negativizimit.
a.t /dita
