Teksa prerjet masive të pyjeve po shtohen me shpejtësi në prag të hyrjes në fuqi të moratoriumit 10 vjeçar, policia e Shtetit duket se ka marrë masa kundër tyre.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë evidentuar dhe goditur 12 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve dhe Transportit të lëndëve drusore të prera në mënyre të paligjshme.
Sipas një komunikate, policia bën me dije se ka arrestuar në flagrantë tre shtetas në Kukës, Lezhë dhe Librazhd, ndërsa janë procedura 9 të tjerë në Dibër, Kukës, Pukë, Shkodër, Lezhë Elbasan e Librazhd. Gjithashtu procedohen penalisht për “Shpërdorim detyre” dy Inspektorë të Policisë Pyjore në Kukës.
Sekuestrohen në të gjithë vendin rreth 150 metër kub lëndë drusore si dhe 12 automjete. Më konkretisht, në Librazhd është arrestuar Bledar Lushka, në Kukës Ismail Lleshi, ndërsa në Lezhë Frrok Simonaj.
Njëkohësisht janë proceduar penalisht nga Policia e Kukësit dy Inspektorë të Policisë Pyjore në Kukës M.S 55 vjeç dhe K.N 55 vjeç, pasi nuk kanë ushtruar kontroll në zonën që mbulonin.
Për pasojë janë prerë në mënyrë të paligjshme pyjet në Malzi. Vijon puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve të tjera në të gjithë vendin. /Dita/
