Letër e nënshkruar,
Redjan Shabani
Nuk e njoh projektin e Bashkisë dhe nuk më intereson përderisa jetën time nuk e kam të lidhur me Tiranën. Nuk kam asnjë qëndrim dhe jam indiferent ndaj fituesit apo humbësit përderisa çështja nuk qartësohet. Megjithatë sot ka një humbës të madh, Policia e Shtetit. Nuk më interesojnë fare justifikimet që pasuan ato pamje të shëmtuara. Nuk ka justifikim për dikë që mban uniformë policie dhe qëllon me shpullë një grua, apo atë tjetrin që përdor me mjeshtëri grushtin në stomak ndaj një tjetër protestuesi, apo ata dy esnafët që i shtrëngojnë prangat qëllimisht një tjetër djali për t’i shkaktuar dhimbje në kyçe. Rëndon mbi Policinë e Shtetit detyra për ruajtjen e rendit dhe në të njëjtën kohë sigurimi të drejtës për të protestuar ndaj një padrejtësie të supozuar. Nga njëra anë kur në shesh dalin qytetar pa mburojë politike, policia tregon muskujt. Ndërkohë të hënën kur në protestë doli opozita, e njëjta polici rri e strukur dhe vigjilente për të mos shkaktuar asnjë incident, edhe atëherë kur dikush rrihet nga të ashtuquajturit protestues.
Sa i përket protestuesve, nëse kauza e tyre është e vërtetë, do doja që sa herë kuçedra me dy koka e SHQUP-it të dilte në mbrojtje të tyre, ta refuzonin me vendosmëri atë mbështetje.
