Policia e Shtetit rikthehet në Lazarat për operacionin antikanabis dhe përveçse ka kontrolluar sipërfaqet e tokës nëse ishte mbjellë lëndë narkotike, ka vënë në pranga edhe 5 persona të kërkuar si anëtarë të “grupit të zjarrit” që i sulmoi me armë qershorin e vitit të kaluar. Operacion është koduar “Spring” (Pranvera), referuar pikërisht sezonit të kultivimit të kanabisit. Në aksionin e suksesshëm morën pjesë forca të shumta të Policisë Gjirokastër dhe FNSH-të, të drejtuara nga krerët e tyre.
Rreth orës 09:00 të mëngjesit të djeshëm, policia vendore konfirmoi arrestimin e 5 të kërkuarve të cilësuar persona me rrezikshmëri shoqërore dhe që për pak sa nuk vranë efektivët vitin e kaluar në operacionin antikanabis. Të ndaluarit janë Gentjan Kazma, 33 vjeç, Ramadan Basha, 31 vjeç, Arjan Basha, 47 vjeç, të afërm, Gurgaz Skënderi, 24 vjeç dhe Mirteza Shemsho, 42 vjeç, të gjithë banues në fshatin Lazarat dhe që fshiheshin në banesat e tyre.
“Për ta, Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka dërguar urdhrat e ekzekutimit të vendimeve penale, të datës 29 prill 2015, të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “arrest në burg”, pasi dyshohen se kanë kryer veprat penale “grup i strukturuar kriminal”, “vrasje e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”, “prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe “kultivim i bimëve narkotike”, thanë burime zyrtare nga Policia e Shtetit.
Të dyshuarit mbaheshin nën vëzhgim prej një viti, ndërkohë që ndaj tyre ishin ngritur akuza dhe kryheshin hetime me metoda speciale për pjesëmarrjen në sulmin e armatosur. Si drejtues të “grupit të zjarrit” policia kishte arrestuar qershorin e vitit të kaluar Gate Mahmutajn dhe disa të afërm të tij. “Të gjithë këta persona janë të akuzuar për ngjarjet e ndodhura gjatë operacionit antikanabis, në muajin qershor 2014 në Lazarat.
Ndaj tyre zhvilloheshin hetime dhe së fundmi janë gjetur elementë të veprës penale dhe prova si të përfshirë”, sqaroi policia. Mësohet se si prova kanë shërbyer jo vetëm dëshmitë, por edhe bisedat telefonike dhe mesazhet e shkëmbyera mes tyre.
Të arrestuarit e “grupit të zjarrit”:
Gentjan Kazma, 33 vjeç
Ramadan Basha, 31 vjeç
Arjan Basha, 47 vjeç
Gurgaz Skënderi, 24 vjeç
Mirteza Shemsho, 42 vjeç,
