Fitim Çaushi
Bashkëbisedim me studiuesin Asqeri Petani dhe përballë akademikut Vaso Tole për çështjen e polifonisë labe
Është për t’u admiruar studiuesi Asqeri Petani, për përdorimin e termit shkencor polifoni, në këngën popullore të Labërisë, botuar në dy shkrime te Dita. Madje ai ndjen keqardhje se: “Kënga polifonike po përballet edhe me sikletin e ndryshimit të emrit, i cili ngjan me sikletin e atij njeriu që pasi është thirrur gjithë jetën me emrin që i kanë vënë prindërit, i duhet ta ndryshojë atë në moshë të thyer”.
Kjo është konsekuencë shkencore dhe respekt i Petanit për punën kërkimore shkencore të studiuesve shqiptarë në 50 vjet. Veç duhet të themi se sikleti i këngës polifonike shqiptare, nuk është thjeshtë emërtesa, por gjeneza e saj e ndryshuar prej akademikut të paditur Vasil Tole, i cili djepin e këngës labe e transferon tek sirenat greke dhe kuajt e Akilit, ndërkohë që studjuesit shqiptar e kanë përcaktuar në Labëri.
Është rasti të kujtojmë se për problemet teorike të polifonisë shqiptare ka studime të shumta nga punonjësit e Institutit të Kulturës Popullore, prej të cilëve z. Petani mund të ishte inspiruar për ta trajtuar më profesionalisht temën që prezanton në ‘Dita’, sepse në shtjellimin e tij teorik, duken pasiguri: “Ajo që bën përshtypje është përqendrimi i polifonisë në një pjesë të kufizuar të truallit shqiptar, kryesisht në jug, kur në gjysmën tjetër, në atë veriore vërehet një formë e ndryshme e të kënduarit, thuajse e kundërta e saj, homofonia…Veriu ka qendrat e banimit të futur nëpër gryka, dhe ku njerëzit kanë qenë më të vetmuar, dhe jugu ku jeta ka qenë më e përqendruar e më sociale…jetonin në kushte përkatësisht të ndryshme…”
Mund të mos jetë ky shkaku i dy mënyrave të ndryshme të këndimit sot, sepse historikisht popullsia Ilire ka qenë e organizuar në qendra qytetare të shumta banimi si në jug ashtu edhe në veri, me të njëjtin unitet shpirtëror. Është i njohur konkluzini i studiuesit jugosllav, Cvjetko-Rihtman për polifoninë e Ballkanit vriperëndimor: “prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilire, ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva”
Sikundër shihet, në origjinën e largët, nuk kemi dy mënyra të ndryshme të kënduari, polifonia dyzërëshe ka ekzistuar edhe në zonën veriore. Me shkatërrimin e qyteteve nga inkursionet luftarake të okupatorëve të huaj, për të siguruar dhe mbrojtur ekzistencën, popullsia është vendosur në zona të thella malore, ç’ka ka ndodhur edhe në jug pas shkatërrimit të Finiqit, Butrintit, Amantias, Antigonesë dhe 75 qyteteve të shkatërruar nga Paolo Emili në periudhën romake. Megjithatë kënga polifonike e ka vazhduar rrugëtimin e saj edhe për vetë lidhjen e polifonisë me të qarën me ligje, sikundër thekson Petani: “kushtet kanë ndikuar për kalimin e formave të vajtimit në ato të të kënduarit. Lidhja mes tyre evidentohet përmes isos…Analistët e strukturave muzikore shohin në brendësi të të kënduarit polifonik elemente të vajtimit.”
Kalimin e formave të vajtimit në ato të të kënduarit, e kanë shtruar edhe studiues të tjerë. Si në vajtimet e banorëve të veriut, si në të qarën me ligje të jugut, vajtimi është bërë me iso si zë i dytë; ligjëron korifeu dhe në kor vazhdojnë gratë, pra kemi të kënduar polifonik dyzërësh Edhe sot vërehet ky fenomen në Veri, madje edhe në Shëndëlli të Sarandës nga banorë të zonës së Mirditës, ku janë vendosur pas vitit 1990. Përse poifonia në jug evoloi dhe krijoi tre dhe katërzërëshin, ka interpretime të tjera.
Historikisht e qara polifonike është evidentuar qysh në Trojën e lashtë nga Homeri, e gjithë Iliada mbyllet me ceremonialin e varrimit të Hektorit, për të cilin janë regjistruar një sërë ligjërimesh mahnitëse –Andromaka:
O burri im n’lule të jetës vdiqe/ E mue të ve po m’len n’sarajet tua/ Dhe jetim foshnjën…/ Kulm e themel Ilioni do të shembet./ Pse ti që e mbrojte vdiqe o dalëzotës/…Nëpër qytet prandaj vajtojnë gjithë popujt/…/Kështu e vajtoi dhe gratë ja plasën vajit.
Kemi një ligjërim të pastër tradicional, sikundër ndodh edhe sot në Labëri dhe në Malsi. Njëmijëetetëqind vjet më parë epet homerike na informojnë se pas Andromakës gratë ja plasën vajit, pra vargjet, me të cilat ajo ligjëron janë shoqëruar me të qarën muzikore, duke u shoqëruar nga kori i grave. E njëjta traditë edhe tek nëna e Hektorit, Hekuba: “Hekor, n’gjith bijt e mi ma i miri i zemrës/ Vërtet për s’gjalli fort të deshën zotat…/ Kështu vajtoi dhe gratë ja plasën vajit.
Pas ç’do ligjërimi Homeri shton vargun:” Kështu vajtoi dhe gratë ja plasën vajit ”, çka kuptojmë korin vajtues. Për origjinën e polifonisë Petani sqaron: “Ka një përpjekje që synon shpjegimin e origjinës së polifonisë përmes eposit homerik…Shkohet deri atje sa e lidh kulturën greke të të shkruarit me kulturën shqiptare të të kënduarit. Përveçse e paargumentuar dhe e pakuptimt, kjo tezë duket e paqëndrueshme para studimeve të mirëfillta etnomuzikore, mbi historinë, gjurmët dhe lidhjet e kulturës polifonike me truallin shqiptar. “
Studiuesi Petani ka të drejtë ta kontestojë tezën e Vaso Toles, se gjoja polifonia shqiptare e “ka djepin tek kultura greke dhe kori grek”: “Do të ishte një ndihmesë e madhe për shkencat e etnomuzikologjisë dhe antropologjisë kulturore në përgjithësi, nëse do të arrinin në përfundimin, se rituali vajtimor është gjithashtu një nga fillesat e artit dhe kori antik vajtimor nuk është veçse laboratori i tij”.
Pra Tole kërkon që rituali vajtimor të jetë fillesa e artit dhe kori antik, të jetë laboratori i tij. Në studimin “Pse qajnë kuajt e Akilit”, manovratori Tole ka shkruar: “…në mënyrë të veçantë “korit vajtimor”, si fillesa e iso-polifonisë popullore shqiptare dhe e krijimeve artistike shpirtërore popullore në përgjithësi, një nga dukuritë më të hershme të muzikës shumëzërëshe në Europë e më gjerë”.
Vasil Tole pranon që “kori vajtimor” grek është fillesa e “iso-polifonisë”! Vërtet kori vajtimor dhe vetë polifonia ka ngjashmëri me eposin homerik, por jo me eposin grek. Eposi homerik rrëfen për ngjarje dhe tradita të Trojës, dardanëve, dhe jo për tradita helene-greke. Për këtë na ka bindur Homeri se dardanë quheshin trojanët.
Poeti e shpreh këtë edhe gjatë vrasjes së akeut Protesilanit nga trojanët: “Burrit një trim Dardan ja shkurtoi jetën/ Sa muer i pari n’tokë të bredhë nga anija. Homeri shkruan se peionëve (fis ilir) i printe Enea: “Fisit dardan i printe princi Ene / Që me Ankizin Afrodita e lindi.
Hektori në ligjëratën e tij para trojanëve, deklaron: Teuekër, Dardanë e besatarë m’ndigjoni. Ndërsa Lajmëtarja e Zeusit ngushëllon Priamin pas vrasjes së Hektorit: “Gajret në shpirt Priam, bir i Dardanit/ E mos u tremb.
Edhe Virgjili tek “Eneida” ka shkruar rrëfimin e Eneut: “Kur ja ç’të shohësh ca barinj dardanë/ Me një poterë të madhe po na sillnin… Dhe vazhdon: ”O atdhe, o Ilion, ti banesë hyjnish,/ Ju ledhet e dardanëve që fituat/ Gjithë atë nam ndër sa e sa beteja.
Në kulmin e tragjedisë brënda në Trojë, Eneut i çfaqet si vegim Hektori: “O dritë e Dardanisë,/ Ti shpresa më e ëmbël e trojanëve, pse u vonove kaq? Virgjili jep edhe lidhjen e të dy fiseve etnike si një të vetëm: “Për Dardaninë mbaruan krejt trojanët/ Mbaroi Ilioni (Troja) dhe lavdia e tij.
Edhe mbas 1200 vjetëve, opinioni dhe njohja e romakëve për Trojën ka qenë si për një popull dardan, dhe Dardania ka qenë Ilire. Pra, kori antik ka ekzistuar 700 vjet përpara korit grek në tragjeditë e Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, ndaj polifonia shqiptare nuk ka asnjë lidhje me korin grek. Ajo lidhet me korin e trojanëve, me të cilët janë e njëjta etni. Nëse tek Iliada do të kishte qoftë edhe një ligjërim me përkartësi etnike helene, nga akejt ose danajt dhe robinat e tyre që mbanin në çadra, sigurisht gjërat ndërlikohen, por s’ka të tillë tek “Iliada”.
Në mos qofshin Ilirë dardanët, të paktën nuk janë helen, sepse nuk kemi asnjë dëshmi nga Homeri për vajtime të akejve ose danajve, fise helene që luftojnë në Trojë! Homeri na ka dhënë ligjërimin e Briseidës për Patroklin, (skllavja e Akilit, të cilën ja morri Agamemnoni, duke shkaktuar zëmërimin e papërmbajtur të Akilit dhe largimin e tij nga lufta: “Foli tuj qa. E gratë mbas saj rënkonin / Brengën e tyre e vrsjen e Patroklit.
Por Briseida ishte nga një zonë e Azisë së Vogël, afër Trojës, jo helene. Homeri mund të jetë helen-grek, por Troja është dardane. Vasil Tole si i paditur që është, ngatëron traditën e Trojës me poetin që i këndoi Trojës! Njësoj sikur të ngatëronim Lambercin, Joklin dhe Majerin që studjuan kulturën dhe traditën shqitare, si kulturë gjermane! Maksimilian Lambertzi, theksonte se “në epet e Homerit gjenden forma të njëjta vajtimi, të cilat edhe sot ekzistojnë në Shqipëri”. Pra Lambertzi ka theksuar forma të njëjta vajtimi me epet homerike, dhe jo me korin antik grek, çka nuk është e njëjta gjë.
Dihet se tradita e ligjërimit mortor është shumë e vjetër te të gjithë popujt. Për të mundur dhimbjen dhe pikëllimin që vinte nga frikësimi para kësaj të panjohure, në epokën e fëmijërisë së njerëzimit, popujt kanë organizuar për të vdekurin ceremoni dhe nderime të ndryshme. Fillimisht, ata kanë reaguar ndaj kësaj dukurie me britma, gjëma, pasthirrma, që janë, jo vetëm shumë të lashta, por edhe me ngjyrime artistike. I vdekuri historikisht është konsideruar si hambar i energjisë së fisit, të komunitetit dhe njëkohësisht pasqyrim i forcës shpirtërore të tij.
Formimin e etnosit ilir, arkeologët e kanë vendosur gjatë periudhës së kalimit nga epoka e eneolitit në atë të bronzit, epokë në të cilën është e pranuar autoktonia e këtyre banorëve. Shumë më vonë, në bronzin, e mesëm, fillon formimi i etnosit kulturor. Në këtë epokë shkalla e përputhjes midis kulturës dhe etnosit, theksojnë studiuesit, është gati e plotë, duke arritur pastaj tiparet më të përkryera dalluese gjatë kohës së hekurit. Kjo krijimtari e hershme në ceremonialet mortore ka bërë pjesë në proceset shpirtërore dhe kulturore iliro-epiriote. Në to është përpunuar një sistem i veçantë konceptimesh, komunikimesh, e formash “stereotipe”, që i kanë shoqëruar këto vajtime deri në ditët tona.
Kjo epokë i korespodon periudhës para luftës së Trojës, prandaj mendojmë se tek fiset e hershme ilire, duhet të kenë ekzistuar ligjërimet e tipit të përmendura prej Homerit, para kësaj lufte. Alojz Benak ka shkruar: “Gjatë epokës së hekurit u formua në perëndim të Ballkanit një truall qendror ilir, të cilit i përkiste gjithashtu një pjesë e mirë e truallit shqiptar. Kjo është provuar në radhë të parë nga ritet e varrimit dhe nga karakteristikat e shumë elementëve të qytetërimit material.”
Për Benak dhe shkencën e arkeologjisë, ritet e varrimit konsiderohen si provë, dëshmi, për identifikimin kulturor të një etnie. Ky rit duhet të ketë qenë edhe një faktor shpirtëror që ka marrë pjesë në proceset etnokulturore të këtyre banorëve të hershëm. Të njëjtin konkluzion e ka pranuar qysh në vitin 1957 edhe Frano Prendi në interpretimin e tumës në Vajzë të Vlorës: “… bartësit e kulturës së Vajzës kanë qenë ilirë…duhet të mendohet se ky element etnik, krijoi jo vetëm kulturën e hekurit, por edhe atë të bronzit në vëndin tonë”.
Doemos bashkë me tumat patjetër që ka ekzituar edhe ceremoniali mortor që i shoqëronte, pra edhe ritet si pjesë e anës shpirtërore të banorëve vendas, të cilat duhet të kenë lulëzuar qysh në epokën e bronzit, si pjesë e ngjizjes etnokulturore te fiset ilire, pra si mënyrë të kënduari dyzërësh. Konceptime dhe përfytyrime të tilla artistike janë të një tradite të lashtë, traditë e cila vazhdimisht i ka ligjëruar fatkeqësitë e mëdha nëpër shekuj.
Ashtu të shpërngulur, por brenda një mjedisi të njëjtë etnik, iliro- epiriotët mundën të ruajnë elemente të shumtë të kulturës materiale dhe shpirtërore të tyre, veçanërisht ligjërimet polifonike, që ishin riti i tyre i përhershëm dhe i pandryshueshëm. Të rënët në luftë, që nuk ishin të pakët nga rezistenca e pushtimeve 2000 vjeçare, u ligjëruan nëpër shekuj me dhimbje të madhe, dhe tradita këtu dëshmon qëndresën e një etnije të vjetër me bazë kulturore shumë të lashtë. Në këtë qendresë ligjërimet (krijimet poetike elegjiake) kanë pasur një lulëzim të madh dhe kanë vepruar si faktor jo i parëndësishëm, për ruajtjen e elementit etnik.
Ndonse proceset etnogjenetike të formimit të gjuhës dhe kulturës së etnosit iliro-epiriot i kanë fillimet kohore në shekujt e pare të mijëvjeçarit të parë, ishte kjo qëndresë, fizike dhe shpirtërore, faktori vendimtar që veproi në rujtjen dhe konsolidimin e etnosit ilir, si një etnos i qëndrueshëm.
Është theksuar nga studiuesit se etnosi rron si bërthamë edhe në shoqërinë fisnore edhe në shoqërinë skllavopronare në forma karakteristika për to, edhe në popullin dhe kombësinë si formë organizimi të shoqërisë feudale. Ishin pikërisht këto tipare dalluese etnike me rrënjët e saj të lashta, kanë theksuar studiuesit, që nëpërmjet një procesi etnokulturor kompleks përballoi presionin gjuhësor–kulturor të perandorisë romake dhe bizantine, duke e çuar këtë popullsi përtej antikitetit, në popullin e arbërve mesjetarë të shek XI, e deri në ditët tona.

Sa te vertetosh se Trojanet dhe Dardanet e Azise se Vogel jane Ilire,me mire meshoi fort faktit qe nder greket e sotem nuk ekziston polifonia.Ata qe kendojne me ISO ne Greqine e sotme jane ose shqiptare arbereshe,ose came kaurre,ose leber himariote.Ajo qe me terbon tek Vaso Tole dhe kopetente te tjere,eshte sajimi artificial i termit te shtirur:Iso-polifoni,duke krijuar nje dublant dygjuhesh,qe i vjen per shtat grekerve ta marrin polifonine tone dhe ta quajne te tyren,kurse ne te na lene dublantin iso-polifoni.