Politika, absurdi midis privates dhe publikes

Leda Hysa

Moikom Zeqo

Ka gati 29 vjet, që kam shkruajtur pa pushim për  subjektet e Politikes Shqiptare  Post-Komuniste.

Nuk e fsheh as arsyen më të kuptueshme të zhgënjimit tim ndaj politikës në këto 29 vjet (Çudi e madhe sesi kanë kaluar kaq shumë vjet!) kur të gjithë lexuesit e dinë që për hir të një karakterizimi shkencor unë klasën politike në Shqipëri e kam quajtur përherë si një“Klasë Parapolitike”.

Ky mendim më rezulton, për fat të keq, edhe sot, i pakundërshtueshëm dhe i parrëzueshëm.

Një klasë politike e një vendi qoftë ajo qëështë në pushtet qoftë pjesa tjetër e opozitës përbëjnë gjithmonë diçka të vetme.

Nuk mund të kemi një parti pushtetare të mirë dhe një parti opozitare të keqe, në kuptimin e ndarjes absolute midis tyre.

Ato përbëjnë të njëjtën klasë politike, apo subjekte që kanë alternuar njëra-tjetrën, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën edhe në pushtet edhe në opozitë.

Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me shkatërrimet në të gjitha fushat e jetës për të patur një kulminacion me piramidat  financiare apo me vitin e kobshëm 1997, me grushtin Berishian të shtetit në 1998-n, etj tregon qartë se politikanët tanë janë vërtetë përfaqësuar me mandate të pushtetarëve por nuk kanë bërë, nuk kanë arritur të bëjnë zhvillimet pozitive, që janëëndërruar dhe pritur kaq gjatë.

Për fat të keq sindromi i klasës “Parapolitike” shqiptare duket edhe në Republikën e Kosovës, por edhe në partitë shqiptare në Maqedoni, etj.

Ajo që të bën përshtypje dëshpëruese është fakti se partitë politike shqiptare në antagonizmin e tyre me njëra-tjetrën të kujtojnë sferat e sistemit të Ptolemeut, që vërtiten secila në hesap të vet, që duken sikur s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Pse ka ndodhur kështu?

A duhet të ndodhte kështu?

Këto janë pyetje të mëdha historike.

Pse janë këto vonesa të tilla?

Pse përfaqësimi politik që bëhet me zgjedhje të përgjithshme elektorale nuk ka arritur një cilësi të re në rradhët e deputetëve të të gjitha partive, përkundrazi, nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçar, pra në tridhjetëvjeçar të tillë niveli i përfaqësimit ka ardhur duke u ulur, duke u bërë më mediokër, më i pabesueshëm në anonimatin e vet?

Kam shkruar shpesh se ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008 , ku kryetarët e partive fituan të Drejtën e Monarkut për t’i bërë vet listat e deputetëve ,që do të votojnë elektoratet, do ta pengojnë, do ta sundojnë skenën politike, do ta arkaizojnë thelbin e politikës.

Mendoj se qeveria e PS-së në mandatin e mëparshëm dhe në mandatin e tanishëm është një vijimësi e një tradite qeverisëse që nga viti 1992 deri më sot që ka krijuar njësubkulturë qeverisëse, që jo vetëm nuk e ka shkatërruar por e ka stimuluar ne disa aspekte pikerisht korrupsionin.

Kjo është e dukshme.

Nuk mund të mohohet.

Pa dyshim që Kryeministri Edi Rama ndryshon nga Sali Berisha.

Por kjo mund të thuhet edhe për ndryshimin midis kryeministrave të tjerë si Fatos Nano, Ilir Meta dhe Pandeli Majko.

Secili nga këta kryeministra ka kronologjinë e vet, të viteve mandatore, të bëmave si dhe inventarin e veprimtarive por vepra e tyre qeverisëse e ka bërë të mundur një ndryshim radikal?

Pa dyshim që ka edhe ndryshime.

Por janë të mjaftueshme?

Janë plotësisht të kënaqshme?

E vërteta qëndron midis dy skajeve: midis pozitivizmit të skajshëm të propagandës qeveritare dhe negativizmit të skajshëm të propagandës opozitare.

Unë mendoj se e keqja nuk vjen nga asnjë lloj kriticizmi.

Aq më tepër që kriticizmi është më tepër një proces iluminues i politikës.

Apologjia e arritjeve të mëdha ështënaive.

Që të analizojmë siç duhet edhe periudhën qeverisëse të Edi Ramës kërkojmë të gjejmë dhe shikojmërezultanten të veprimeve qeverisëse.

Disa elemente të rendit shtetëror, të stabilitetit relativ, të kapërcimit të situatave kaotike, të pakontrollueshme dot,janë diçka e pakrahasueshme me të kaluarën.

Po a janë reformat e ndërmarra vërtetëmetafora epistemologjike, me një Ardhmëri të sigurt?

Kjo është një çështje   krejt e diskutueshme.

Pra duke mos parapëlqyer pozicionin e një negativizmi të plotë, pra të një absurdizimi shterp të së keqes unë jam i prirë për të parë një proces të vështirë, tëdialektikës negative siç thoshte Adorno, pra për të parë situatën me sy më të qetë, me një vështrim më inkurajues, ndonëse jo të pranueshëm plotësisht.

Ne jetojmë në Epokën Post-Faktuale, ku përleshja e opinioneve paraqitet si konkurrencë spektaklesh dhe jo si kërkim i të së vërtetës.

Përfaqësuesit e politikës në Shqipëri nuk spikatin për kulturë politike të lartë,perkundrazi mediokriteti i tyre eshte i frikshem , ulurites, zhgenjyes.

Edhe vet ata e kanë shprehur këtë gjë, madje e kanë konsideruar  me ekzibicionizem te zymte dhe delir si një mundësi kreative faktin empirik , medioker , që nuk janë politikanë të mirëfilltë.

Kjo ka bërë qëdiletantizmi politik të bëjë kërdinë në Shqipëri.

Habitem sesi polemika e opozitës së sotme, që ka një përgjegjësi kolosale dhe shkatërrimet apo vonesat e shoqërisë sonë, sot bëhen në emër të idealeve të moralit, në një kohë që ata nuk janë aspak mishërime apo Avatarë të Moralitetit.

Ajo që më shqetëson është fakti që politika shqiptare e ushtron betejën e saj si një ballafaqim të pakompromis “dhëmbë për dhëmbë” dhe “sy për sy” me kundërshtarët e demonizuar.

Ky demonizim i largon plotësisht pjesët përbërëse të klasës politike së pari nga vet integrimi dhe nga karakteri komplementar i tyre, duke përjashtuar konceptet politike të sinkronizimit dhe të gjithëpërfshirjes.

Betejat e mëdha të një kombi janë gjithmonë betejat mendore.

Në betejat mendore triumfon arsyeja.

Në betejat mendore krijohet kauza e së Ardhmes.

Është e pamundur që kjo të arrihet nga një pakicë politikanësh dhe të mos arrihet nga të tjerët sepse vetvetiu do të kishim përherë një segregacion të pashmangshëm.

Kjo nuk ka të bëjë me një metaforë uniteti, por ka të bëjë me prirjet jetike drejt një të ardhmeje.

Epokën Post-Faktualeështë bërë e tmerrshme Propaganda.

 Nuk është më Propaganda instrument i Politikës, por është vet Politika instrument i Propagandës.

Dhe Propaganda është përherë me terma përjashtues.

Të krijohet ideja se brenda një bashkësie me qytetarë të njëjtë disa janë qytetarë kurse të tjerët përjashtimisht dhe përfundimisht nuk janë të tillë.

Kjo është e pabesueshme por në realitetin shqiptar kjo për fat të keq është e dallueshme.

Kjo përbën një skenar distopik, që të kujton shpesh utopitë negative tëOruellit dhe tëZamiatinit.

Klasa politike shqiptare po përjeton krizën e saj. Kjo është një krizë në të gjitha krahët. Lehtësisht mund të kuptohet se Vettingu nuk është gjë tjetër veçse përballja me “shkëlqimin” dhe “rënien” e politikës shqiptare për tri dekada.

Pse duhet të lindtte domosdoshmëria e Vettingut nëse politikanët shqiptarë do të ishin brenda ligjeve të një normaliteti të kuptueshëm dhe real?

Vettingu u krijua pikërisht për të kundërshtuar dhe ndrequr diçka nga një histori anormale e politikës. Jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin por e zbehu dhe e humbi besueshmërinë morale dhe institucionale.

Ndërkohë për të qenë më i drejtë dua të them se Kryeministri Edi Rama është paraqitur më befasueshem në takimet ndërkombëtare dhe pavarësisht ndonjë eksesi prej “artisti” e ka përfaqësuar politikën e jashtme të Shqipërisë më me habitshem por joedhe më mirë.

Asnjë Kryeministër nuk është i përhershëm.

Pa dyshim dhe Kryeministri Rama nuk është i përjetshëm, ashtu siç nuk janë të përjetshëm ata që do të vijnë pas tij.

Përsa i përket vlerësimit të tyre të roleve emblematikë dhe sarkistikë në histori, në të vërtetë kjo është një çështje që i takon një analize më gjakftohtë, të vet Historisë e cila siç thotë filozofi Hegel i ngjan “Fluturimit të kukumjaçkës së Minervës e cila ngrihet kur perëndon dita” pra vet koha e veprimit të personazheve historikë.

Por mua më shqetësojnë edhe gjëra të tjera që lidhen sidomos me kulturën e Shqipërisë.

Përdorimi i termave konvencionalë si “Rilindja”, qoftë e politikës qoftë gjoja e urbanistikës, mua nuk më shqetësojnë.

Në një studim bihoverist mund të shpjegohen edhe metafora të tilla.

Por çështja e kulturës është një çështje më e madhe, më e ndërlikuar sesa politika.

Që do të thotë që politika nuk duhet në asnjë mënyrë ta klonojë kulturën, as të krijojë ide të gatshme si stampime biskotash, as të marrë privilegjin, apo copywriting e kulturës.

Çdo ndërhyrje e politikës në kulturë për të gjitha epokat dhe sistemet ka qenë e panatyrshme dhe e dhunshme.

Ky është një mësim i shekujve.

Politikanët aq më tepër të votuar dhe që janë mandatorë, pra të përkohshëm, duhet të jenë të kujdesshëm shumë dhe as të mos vendosin veton absolute mbi problemet e kulturës.

Poeti Oktavio Paz, Nobelist, i ka dërguar një letër Presidentit të vendit të tij ku i thotë se nuk ka të drejtë asnjë President të ndërhyjë në çështjet e kulturës dhe të artit, por edhe te  transcedentimit te Historise!

Ndryshe do të kishim një narrativë oruelliane.

Kultura dhe arti i takojnë artistëve, ku ato kanë ekskluzivitetin e tyre të padiskutueshëm, por edhe për veprat urbane është shkenca në disiplina të tejet specializuara të urbanistëve, ku ata kanë përvojë dhe autoritetin e tyre sovran.

Këto janë parime të diskutuara,universale, profesionale, apo të kundërshtuara.

Kur pushteti politik vendos pa asnjë kufizim mbi të gjitha gjërat, qoftë ky pushtet i ashtuquajtur i djathtë, qoftë i ashtuquajtur i majtë atëhërë do të kemi përplasje të deformimeve.

Filozofi francez Michel Foucault përdori projektin e Jeremy Bentham-it për Panoptikonin,- qëështë struktura përcaktuese e pushtetit të sipërm mbi të gjithë qytetarët të futura në parametra të përcaktuara jo nga ata vetë.

Kjo kryemetaforë e pushtetit,-Panoktikoni tregon një strukturë administrative, me një fjalë një lloj Korseti prej Hekuri në Trupat e Qytetarëve.

Sociologu i madh që vdiq para disa kohësh Zygmunt Bauman, në kryeveprën e tij “Liquid Modernity” (“Moderniteti i Lëngët”) që trajton teknikat panoptike të pushtetit, sidomos në periudhën pas modernitetit.

Një nga meritat e mëdha të këtij gjeniu të sociologjisëështë analiza e tij që lidhet me konceptin “kolonizimet të publikes nga privatja”.

Kjo tendencë ka një karakter totalitar.

Për Baumanin “çështjet publike” bëhen befas probleme private të figurave publike.

Shkatërrimi i çdo gjëje publike duke favorizuar privaten krijon një asimetri të frikshme.

Bauman në këtë pikë e kritikon edhe Kryeministrin e AnglisëTony Blair, i cili ka qenë nismëtari i shumë politikave të tilla të favorizimit të privates mbi çdo gjë publike.

Bauman citon edhe një mendimtar me shumë ndikim të shkollës gjermane të Frankfurtit, Jurgen Habermas, i cili i pari e ka ngritur këtë shqetësim duke treguar se humbja e çdo kriteri apo përmbajtjeje dobëson edhe karakterin shoqëror, pra vet ndërgjegjen e shoqërive civile apo konceptin e qytetarit që humbet autenticitetin.

Bauman njëkohësisht kritikon Neoliberalizimin,- që e konsideron një hiperbolizim, që ndryshon nga vet koncepti i Liberalizmit

Gjithashtu, për të qenë një pikë reference në shoqërinë shqiptare është pikërisht Bauman i cili me përdorimin e formulës PPP, si një lloj llampe të Aladinit, e konsideron edhe si strehën e një xhindi që do të dalë në ndonjë ditë nga llampa për të vendosur pushtetin e tij privat monstruoz mbi konceptin publik.

Dikur filozofi Thomas Hobs shihte me tmerr krijimin “e njeriut që nuk njeh asnjë ndalim”.

Kjo do të shkatërronte domethënien e gjësë më publike që ka shoqëria, qëështë shteti.

Postmodernizmi politik, me neoliberalizmin e gjen situatën ekonomike problematike të Shqipërisë plot pasiguri dhe mundësi të papriturash.

Jeta bëhet e papërcaktuar.

Qytetarët kërkojnë një të ardhme të sigurte.

Por shohim pasiguri, tej prespektivave.

Nuk arrijnë ta konceptojnë, nuk e gjejnë dhe kanë vetëm një Vizion Paniku: largimin në emigracion.

Mendimtari i madh amerikan George Steiner thotë se një subkulturë e tillë e pasigurisë në të vërtetëështë një“subkulturë e kazinosë”.

Ne kërkojmë të gjejmë fatin dhe rastin, fantazojmë, sakrifikojmë por nuk arrijmë asgjë.

Kështu çdo ëndërr për një jetë më të sigurt shtyhet nëad calendas graecas.

Kam lexuar këto ditë libra të arkitektit amerikan Michael Graves për arkitekturën post moderne.

Ky arkitekt i famshëm në krejt botën flet për katastrofën urbane midis horizontales dhe vertikales.

Ai citon edhe mendimet e arkitektëve të famshëm Van der Rou ,Gropius, F.L Wright etj.

Dikur Volteri me novelën e tij filozofike “Kanditi” ironizonte dhe tallej me thënien e filozofit gjerman Lajbnic, i cili mendonte se bota ku jetojmë“është bota më e mirë e mundshme”.

Por unë besoj se shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë.

Kjo do të thotë se nuk duhet të humbasë koncepti i Shpresës.

I përmirësimit.

I zhvillimit.

Vonesat kronologjike nuk janë aq fatale në histori.

Vonesat konceptuale do të ishin diçka e tmerrshme.

Jam një qenie njerëzore që kam prirjen të besoj se gjërat do të bëhen patjetër më mirë dhe do të kemi edhe një histori tjetër më ndryshe nga ç’e kemi sot.

Nuk besoj se qoftë dhe asnjë pamflet  nuk sjell konceptime pozitive të stimuluara, ashtu si nuk do të thotë, që Qeveria mund të bjerë nga minuta në minutë, përkundrazi, mandati kohor i kësaj Qeverie  edhe mund   të përfundojë brenda afateve kushtetuese, por kjo nuk e ndryshon thelbin e thelbeve.

 

Share This Article
1 Comment
  • Fort i nderuari zoti Moikom.Po lodheni kot per te dhene nje opinion te sakte .Kjo eshte loja e ramiz alise me te famshmen Katovice qe e ka bere plage jeten e Shqiptarit Nderime e suksese per JU .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *