Letër e nënshkruar
Qemal Cenaj
Nisën me zgjedhjet në Dibër dhe janë shtuar disa herë, pas përfundimit. Tani deklaratat bombë janë të mbushura me më shumë lëndë helmuese e vrerosëse, sa gati të gjithë shqiptarët kanë nisur të teshtiten. Ç’bëhet kështu?! Vdiq PD-ja, u tërbua PS-ja, humbi Shqipëria, doli në dritë ky vend, na zaptoi…
Jemi apo s’jemi njerëz, nuk po e kuptojmë. E si ta kuptojmë, kur të gjithë flasim nga vetja dhe çimentohemi në atë që themi, si të ishim prej allçie! Ka 25 vite që në këtë vend ka vetëm një aksion: Zgjedhje, zgjedhje të përgjithshme, zgjedhje vendore, zgjedhje krerësh, zgjedhje… të lara, të palara, të parakohshme, të kobshme(!)
Ku kemi vajtur, a në ç’derexhé kemi rënë, vonë e kuptojmë. Kujtoj dy moshatarë në fëmijëri, që kur luanin në një hurdhë uji, boshatisën hurdhën me grushta uji duke ia lëshuar njeri-tjetrit. Kur uji nisi të mbarohet, grushtet u mbusheshin vetëm me baltë e lluc dhe ata prapë vazhdonin lojën. Këtu më vete mendja tek shikoj parlamentarët tanë që, pasi mbarojnë fjalorin e keq e më të zi me sharje të ndërsjellta, i vërsulen njeri-tjetrit me gishta te sytë! Nuk vonojnë nofkat dhe ironitë, që në sallën e parlamentit rrezatojnë ndër sy kolegësh, herë në njerin krah e herë në tjetrin. Tani s’ka mbetur asgjë për t’u parë dhe as për të shuar kureshtjen. Shpresa, siç duket ka humbur edhe tek ata vetë, si të thuash pas shumicës së shqiptarëve, edhe politika e kupton udhëkryqin ku ka ngelur. E vetmja gjë që u ka mbetur është mbledhja e “forcave” për të përbaltur sa më shumë tjetrin. Aktorë dhe karaktere personazhesh kanë si njera palë dhe tjetra, por me dufin e madh që shfryejnë, rrezikohet që i ndëshkuari të jetë përsëri populli i thjeshtë, pjesa intelektuale që akoma shpreson te demokracia. Alarmante janë shifrat e publikuara nga studimet sociologjie e mjeksore, ku një numër i madh shqiptarësh vuajnë nga depresioni e problemet mendore. Këtë gjë e përforcojnë edhe ngjarjet e rënda të ndodhura, që nga familja, fisi e çdo hapësirë të marrdhënieve midis njerëzve.
