Tregu politik shqiptar është mbushur me shpifje, sharje, akuza dhe kundërakuza, skenarë nga më absurdet për mendjen dhe shpirtin e njerëzve. Këto prurje toksike të politikës shtohen përherë e më shumë, sidomos në periudha fushatësh si kjo për zgjedhjet vendore që mbahen në 21 qershor. Kjo është “stina e rreshjeve” të akuzave, përbaltjes dhe tensioneve. Opozita ka ndezur motorrët e shpifjeve dhe akuzave ndaj mazhorancës me synimin të përfitojë sa më shumë në luftën politikë për të bërë për vete elektorat. Mazhoranca nga ana e saj përpiqet të mbrojë imazhin e fitores plebishitare të zgjedhjeve parlamentare të dy viteve të shkuara. Betejën e vë në lëvizje “karburanti” i shpifjeve në interpretimin e ngjarjeve, ndodhive të afërta dhe të largëta.
Kohet e fundit kanë ndodhur disa ngjarje, si përmbytjet katastrofike në jug të vendit, shpërthimi i gazit dhe katastrofa me dëme të mëdha për banorët në Marinëz etj. Në tregun politik, po gjatë kësaj periudhe kanë qarkulluar edhe akuza me skenarë politikë si akuza publike e deputetit Doshi për një porosi për të eliminuar dy deputetë; akuza ndaj deputetit Koço Kokëdhima për përfitime të fondeve publike në konflikt interesi. Të gjitha këto ngjarje dhe akuza opozita i ka shfrytëzuar për të bërë “politikë”. Sigurisht, këto ngjarje përbëjnë lëndë për politikë. Varet se çfarë qasjeje kanë partitë politike për këto ngjaje, si i analizojnë, si i interpretojnë, për çfarë synimesh i përdorin. Opozita të gjitha këto ngjarje i ka përdorur në mënyrën më të keqe të mundshme. Në të gjitha rastet opozita ka ngritur akuza pa bazë ndaj mazhorancës duke ia faturuar asaj të gjitha përgjegjesitë. Politika e opozitës për këto ngjarje ka qenë tërësisht manipulim i opinionit publik. Më shumë se të vërteta ka shpifur, ka afishuar skenarë të ndërtuar na zyrat e partisë. Me to ka dalë në sheshe e rrugë duke nxjerrë në protesta qytetarë. Politika e opozitës ka qenë: shit mjegull nëse gjen blerës. Sharjet dhe akuzat e pabazuara nuk janë politikë e vërtetë. Ato vetëm ndotin mjedisin, më shumë se plehrat dhe mbeturinat, të cilat njerëzit i hedhin në kazanë. Këto “mbetje toksike” që prodhon me shumicë opozita nuk hidhen në kazane, nuk ka impiante për t’i përpunuar, ato shpërndahen në mjetet e informimit dhe i ofrohen publikut si ushqim shpirtëror. Që mashtrimi të ngadhënjejë atij i duhet pushtimi i hapësirës mediatike.
Ky model i bërjes së politikës është parapolitikë dhe tregon se politika jonë nuk është e përgatitur për të bashkuar vullnetet, për çështjet e rëndësishme që ka vendi, shoqëria jonë, pavarësisht nga pozicionet i majtë dhe i djathtë.
Shkrimtari i madh Ismail Kadare ka thënë se tek klasa jonë politike sundojnë pasionet shkatërruese dhe se prandaj përsëriten shëmti si ajo e 1997-ës. Politika shqiptare ecën në atë linjë, përsërit veten, bëm marrëzira, përsërit shëmtira. Ajo që ndodhi me çështjen “Doshi”, akuza e tij publike se kryeparlamentari kinse kishte porositur vrasjen e tij dhe të një deputeti tjetër, si dhe mbështetja e këtij skenari nga opozita, pa pritur të shpreheshin organet e ligjit që ndërtojnë dhe hetojnë akuzat, ishte një shëmti politike monstruoze. Opozita kërkoi me këmbëngule dorëheqjen e kryetarit të kuvendit, edhe pse prokuroria nuk e kishte hetuar akuzën. Skenari i opozitës ishte tensionimi i skajshëm i situatës , me shpresë se do të ngriheshin qytetarët në protesta dhe revolta, në „revolicionin demokratik“, siç e kërkoi ish kryeministri dhe ish kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha. Sipas skenarit u organizuan dhe protesta në Tiranë dhe disa qytetet, deputetët e opozitës bllokonin komisionet parlamentare dhe punimet e komisioneve parlamentare. U vunë në lëvizje lloj-lloj infrastrukturash të përhapjes së mashtrimit me shpresë se do të gjendeshin konsumatorë të kësaj politike. Por edhe militantët e sjellë me autobusë të prenotuar për protesta pa kauzë të vërtetë politike nuk besuan në ato që kërkonte opozita, protestat u shuan, opozita u fut në zyra dhe po vazhdon avazin.
Politika është zgjidhje e problemeve, është vizion për të parashikuar rrugët e zhvillimit, për të ndërtuar strategji dhe programe zhvillimi dhe edukimi të qytetarëve me virtyte, me norma morale demokratike, për t’i dhënë shoqërisë ligje të drejta, për të ndërtuar shtetin e së drejtës, shtetin ligjor, me rregulla, me norma, me standarde. Për çfarë tjetër do të duhej politika nëse nuk orientohet nga përkushtimi për interesat e njerëzve? Akuza pa fund i bëhen mazhorancës për gjendjen ekonomike, për varfërinë e shqiptarëve, për krimin e organizuar, për korrupsionin dhe gjithçka tjetër. Shqetësimi është i natyrshëm, është njerëzor dhe politk, por adresimi i përgjegjësisë i kalon kufijtë e së vërtetës, të arsyes dhe çdo të masës. Të gjitha krimet dhe të gjitha fatkeqësitë e tjera, varfërinë, papunësinë, korrupsionin opozita i adreson tek mazhoranca, tek koalicioni qeverisës PS – LSI, tek kryeministri. Natyrisht, opozita e ka detyrë, e ka mision të kontrollojë mazhorancën, ta kritikojë, t’i kërkojë llogari se është përfaqësuese e elektoratit që nuk e ka votuar këtë mazhorancë, por opozita nuk është e sinqertë me elektoratin e saj dhe me të gjithë qytetarët, se ajo kur ishte në qeverisjen e vendit bëri namin me paligjshmëri, me korrupsion, me krim të organizuar, sidomos zhvilloi dhe kultivoi krimin ekonomik, me shpërfillje të qytetarëve dhe me shumë paudhësi të tjera. Asnjë ndjesë, asnjë pendesë për vete, por edhe asnjë projekt, asnjë alternativë të besueshme nuk u jep qytetarëve. Në shumë qëndrime që mban anashkalon interesat e qytetarëve, për interesat e vet si parti, për të ardhur në pushtet. Fakti që nuk ka bashkëpunuar me mazhorancën për miratimin e ligjit për ndarjen administrativo-territoriale, apo nuk ka marrë pjesë në komisionet e kuvendit për reformën në drejtësi, tregon se opozita nuk është e orientuar nga interesat madhore të vendit e të shoqërisë. Politika demokratike bazohet në marrëveshje dhe dialog, ndërsa politika konfliktuale bazohet në konflikt dhe manipulim. Qytetarët më shumë jetojnë në mjedisin e një politike konfliktuale.
Kjo politikë duhet pastruar nga pasionet e sëmura, nga mendjengushtësia e politikanëve që ushqehen në govatën e fondeve publike dhe bëjnë sherre në vend të shërbimit ndaj qytetarëve. Pastrimi i tregut politik fillon nga shëndoshja e “agregateve” apo instrumenteve që janë asfiksuar si dialogu, kompromisi, besimi reciprok etj. Shumë institucione publike janë politizuar nën presionin e partive dhe vendimarrjet e tyre janë të dyshimta, nuk bindin publikun. Shoqëria jonë sot nuk ka kohezionin e duhur social, mungon mirëkuptimi i ndërsjelltë dhe formimi i vullnetit kolektiv. Pabarazia sociale është thelluar. Dihet mirë se ku të shpie pabarazia, ajo pjell indoktrinimin e qytetarëve me ideologji të mbrapshta, zhvlerëson vlerat e demokracisë. Ankohemi përditë për varfërinë, por nuk tregojmë rrugët e kapërcimit të kësaj situate, cila është harta e re ekonomike, cila është harta sociale, si do të zvogëlohet papunësia, si do të luftohet paligjshmëria, si do të shëndoshet morali i qytetarëve etj. Të gjitha këto kërkojnë reforma që bëhen me pjesëmarrje nga të dy krahët politikë. Politika e vërtetë është vullnet për të qeverisur me ligje, është vendosmëri për të ndërtuar shtetin ligjor. Atëherë i priten rrugët atij informaliteti që është shtet paralel përballë shtetit ligjor, është kopshti i mafjes dhe krimit të organizuar. Informaliteti është burimi më i madh i korrupsionit. Informaliteti dhe monopolet ia marrin frymën ekonomisë, paralizojnë zhvillimin. Këto janë sfida që duhet të zgjidhë politika. Këtu janë pritshmëritë e qytetarëve për opozitën dhe jo sherret në parlament dhe jashtë tij. Opozita e ka humbur rastin të fitonte simpatinë e opinionit të qytetarëve si një forcë politike që është e përkushtuar të zgjidhen këto sfida. Aktualisht politika që po ndjek opozita nuk ka qëllim të zgjidhen problemet që ka shoqëria jonë në këto momente. Ajo e ka hallin tek marrja e pushtetit me nxitje artificiale të tensioneve politike, me mbajtjen e një klime konfliktesh. Politika e vërtetë bëhet atje ku mbretëron solidariteti midis qytetarëve. Ajo lind nga solidariteti dhe bashkëpunimi; ajo niset nga uniteti popullor, e mira e atdheut; ajo njësohet me shpirtin, me drejtësinë; me të drejtën natyrore, me detyrat dhe qëllimet e përgjithshme; ajo kërkon që qytetari të bëjë atë që pret nga atdheu i tij. Politika realizohet nga njerëzit, nga qëndrimet dhe veprimet e tyre dhe në mënyrë adekuate pasqyron cilësitë dhe vlerat e tyre. Përmbajtja e politikës shprehet në qëllimet e saj, në problemet që ajo zgjidh, në motivet, në rregullat dhe mekanizmat që përdor në zgjidhjet politike. Politika, në kuptimin më të lartë të saj nuk është karrierë, nuk është lavdi dhe pushtetdashje, nuk është përpjekja për të marrë pushtetin, por është shërbim i vërtetë ndaj interesave të popullit, jo të një grupi të caktuar ose klase, por gjithë popullit në tërësi.
Nëse politika u shërben qëllimeve të ulta, ajo bazohet në gënjeshtra, në mashtrime, ajo pretendohet se është politikë, por nuk është e tillë. Politika është e pandarë nga gjendja psiqike dhe vetitë e njeriut, që modifikohen në procesin e marrëdhënieve me pushtetin, nga kuptimi dhe realizimi i saj nga njerëzit. Ajo formohet dhe realizohet në mjedis të caktuar institucional, sociokulturor dhe civilizues, influencohet nga bashkëveprimi me faktorë të ndryshëm. Nuk zënë vend retorikat si ajo e kryetarit të PD-së në protestën e paradokohe kur tha “ne jemi shumica absolute që kërkojmë dorëheqjen e qeverisë“. Me të tilla vlerësime “absolute” të paqëna nuk gënjehen shqiptarët.
Politika mund dhe duhet të shikojë sesi të zgjidhë konfliktet, sesi të bëjë reforma dhe ligje, të marrë vendime për zgjidhje problemesh të qytetarëve. Shoqëria jonë është në konflikt me korrupsionin, me krimin e dhunën, me trafikimet e ndryshme, me paligjshmërinë, ka probleme me varfërinë, me papunësinë, me rënien e besimit dhe shpresës se ky vend mund të ecë përpara, të integrohet në Bashimin Evropian etj. Këto janë objektiva ku politika duhet të gjejë pika bashkëpunimi për të mirën e përgjithshme. Politikë është kompromis, dialog, transparencë, bashkëpunim, mirëkuptim, moral dhe etikë. Këto duhet të demonstrojnë si pozita dhe opozita. Atëherë ato kanë gojë të thonë po merremi me politikë, po bëjmë politikë. Kjo kërkohet nga shumica qeverisëse dhe nga opozita, secila në pozicionin ku i vendos sovrani me votë dhe pret prej tyre shërbesë. Në këtë kuptim të gjerë politika përfshin proceset e marrjes së vendimeve dhe proceset e detyrimit të secilës forcë politike, por dhe të çdo qytetari që të sillet me përgjegjësi për fatet e vendit.

Artikull tamam si dikur kur shkruaje tek Gazeta “jehona e Sraparit ” orjentimet orjentimet qe jepte partia. ke korrur e ke korrur ,urof,po edhe ate nuk e ke lidhur. vetem ke dhene direktiva duhet,duhet duhet……..