Në senatin amerikan ka shpërthyer një stuhi kritikash mbi deputetin demokrat të Nju Jorkut, Vito J. Lopez, i cili ka mikluar paraqitjen e një adoleshenteje duke e cilësuar si sensuale. Por skandali zgjerohet edhe më shumë pasi disa nga bashkëpunëtoret e tij e kanë akuzuar për ngacmime seksuale
Në Senatin amerikan kanë ngjallur shpërqendrim të madh deklaratat e 71-vjeçarit Vito J. Lopez, deputet i demokratëve në Nju Jork, mbi trupin dhe veshjen e një stazhisteje 14-vjeçare. Sipas mediave vendase, komentet për adoleshenten, e cila është njëkohësisht e bija e një gjykatësi nga Bruklin që e ka mbështetur atë gjatë fushatës elektorale, kanë qenë të rënda.
Pro minifundeve, kundër sutjenave
Sipas gazetës elektronike “Jezebel”, ky politikan ka edhe precedentë të tjerë të kësaj natyre me punonjëse të administratës. Pak kohë më parë, Lopez e kishte këshilluar Kol Rivierën, ish-bashkëpunëtoren e tij 24-vjeçare që “të mbante veshje më ekstravagante”, duke i referuar si shembull pikërisht stazhisten adoleshente.
Kol Rivera bashkë me një kolegen e saj e kishte denoncuar Lopezin për ngacmime seksuale në Komitetin Etik të Asamblesë, duke e kthyer në një problem rastin e tij. Madje e ëma e Riverës, e shokuar nga sjellja e deputetit të moshuar me të bijën, bëri kallzim penal në polici dhe po ashtu paraqiti një ankesë zyrtare në Kuvendin demokratik të Nju Jorkut.
Por, ka më shumë! Dy gra të tjera që kanë punuar për Lopezin në të kaluarën, ngritën padi kundër tij për ngacmim seksual dhe në heshtje në qershor të 2012-s firmosën një marrëveshje prej 103 000 dollarësh që do t’i merrnin si dëmshpërblim.
Para se të thurte elozhe mbi sensualitetin e vajzës së mikut të tij gjykatës, Lopezi i kishte udhëzuar bashkëpunëtoret e tij që të visheshin me funde të shkurtra dhe taka të larta. Sipas “Jezebel”, ai i urrente sutjenat dhe i këshillonte të ‘preferuarat’ e tij që të mos vishnin asgjë poshtë bluzave. “Njëherë ai komentoi një këmishë që unë kisha veshur. Fjalët e tij ishin: Mendoj se do të dukeshe më mirë nëse nuk do të kishe veshur sytjena. E tha me një natyrshmëri të tillë që më habiti”, thotë një ish-anëtare e stafit që kërkoi të mbetej anonime. Një tjetër grua thotë se “Lopez komentoi se isha ‘e pajisur mirë’ dhe se edhe vajza në zyrën ngjitur ishte e tillë… por unë nuk dija të ‘luaja’ siç bënte ajo”.
Nuk ka dorëheqje
Sonia Osorio, presidente e seksionit njujorkez të Shoqatës Kombëtare të Grave, deklaroi se sjellja e deputetit ishte “e papërshtatshme për një angazhim publik”, e në këtë mënyrë kërkonte dorëheqjen e tij. Por Lopez nuk ka pranuar të dorëhiqet dhe deri tani as komisioni që po heton mbi denoncimin për ngacmimet me sfond seksual, të paraqitur jo nga një, por nga disa prej bashkëpunëtoreve të tij. Me sa duket komiteti po kërkon “dënimin më të rëndë të mundshëm”, por nuk e merr aspak në konsideratë faktin e tërheqjes së detyruar të tij nga jeta politike.
Përgatiti: Dorina Gjuzi