Pompeo dhe Ministri i Jashtëm Turk: Të vendosur për të luftuar terrorizmin

Dita

Sekretari i SHBA-së, Mike Pompeo dhe Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu janë takuar të hënën në Uashington, ku kanë biseduar për mënyrat e zgjidhjes së tensioneve dy palëshe.

Pas takimit, Pompeo dhe Cavusoglu kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp, ku thanë se kishin shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me çështjet dy palëshe dhe rajonale, si dhe ritheksuan vendosmërinë e përbashkët për të luftuar terrorizmin e të gjitha formave.

Ndër çështjet kryesore të bisedimeve ishte mbështetja e Uashingtonit ndaj forcave milicore kurde YPG në Siri, në luftën kundër Shtetit Islamik. Këtë të fundit Ankaraja e cilëson si një organizatë terroriste, për lidhje me organizatorët e kryengritjes kurde në Turqi.

Epiqendra e tensioneve të deri më tanishme ka qenë qyteti sirian Manbixh, kontrolli i të cilit iu mor Shtetit Islamik nga forcat e milicisë YPG. Ankaraja thotë se Uashingtoni nuk i qëndroi marrëveshjes, sipas së cilës milicia do tërhiqej pasi të merrte kontrollin e Manbixhit.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, Pompeo dhe Cavusoglu thanë se “i konsideronin rekomandimet e grupit të punës SHBA-Turqi për Sirinë si një plan për bashkëpunimin dypalësh në Siri, për çështje të interesit reciprok, që përfshijnë hapa për sigurinë dhe stabilitetin në Manbixh.”

s.a/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *