Pompoziteti i paradigmave të përmbysura

Ornela

Mihal Kalia 

Stuhi sulmesh kundër përmbajtjes së testit të provimit në lëndën e gjuhës dhe të letërsisë për shkollat e mesme. Ajo çka ra  në sy ishte fakti se në këtë ofensivë u përfshinë edhe “gjeneralë” që, si për ditë feste, zbukuronin gjoksin me dekoratat, për të mos vënë në dyshim atributet dhe kontributet e tyre, epërsinë dhe padiskutueshmërinë edhe në ballafaqime të tjera me realitetin jetësor, ku përkitja mbartet  e shkëlqimi zbehet.

Eshtë e habitshme se si për një pyetje të testit, nga gjashtëdhjetë të tilla që ai përmbante (dhe të mendosh që vlerësimi i tij ishte vetëm 1 pikë, pra, me një ndikim thuajse të papërfillshëm në vlerësimin tërësor të testit), të shkruhen dhjetra artikuj në organet e shtypit, të organizohen debate në programe të veçanta televizive, si dhe të prodhohet humor në spektaklet e tyre. Ç’ishte kjo pyetje magjike që vuri në lëvizje “ intelektin” dhe”inteligjencien” e vendit?! Gjithë vreri kundër këtij testi provimi merr shkas jo nga analiza e drejtpërdrejtë e tij, por e gjykimeve të debatuesve në televizion, apo e shkrimeve në shtypin e përditshëm, përfshirë në të gjitha këto edhe personalitete të fushës akademike, profesorë, opinionistë, veçse jo specialistë të mirëfilltë. Kjo është arsyeja që pyetjes: “Si është e mundur  të mos jenë gjetur gabimet gjuhësore dhe logjike të këtij teksti, me të cilat pajtohet, besoj, çdo lexues që ka qoftë edhe një formim të zakonshëm intelektual?”(S. Këlliçi), nuk i jepet përgjigje, edhe pse përpiqet “të vjedhë” argumentin nëpërmjet sugjestionimit. Nuk janë gjetur gabimet, sepse nuk ka! Kjo është përgjigjja që hedh poshtë gjithë perifrazimin e këtij shkruesi, i cili gjen kohë të nënvizojë edhe njëherë “vërtetësinë” e gabimeve gjuhësore dhe logjike, të cilat gjuhëtari A. Vehbiu i ka theksuar në shkrimin e tij “Turi prej druri”. Këtu qëndron dhe absurdi: të pohosh dhe të përkrahësh atë prirje nëpërmjet një gjykimi që në thelb e mohon, e zhvendos bindjen. Kur përpiqesh të ndezësh një zjarr dhe flakët të dalin jashtë kontrollit, atëhere përzhitesh edhe vetë mes brumbullimës së tyre.

Mihal Kalia

Nuk mund të gjykosh për mangësitë e testit të maturës shtetërore vetëm nga një diskutim në studio televizive, marrë shkas prej pakënaqësisë së nxënësve maturantë, që i ngriti ata në protestë kundër Ministrisë së Arsimit. Përderisa në të gjitha kritikat nuk gjen asnjë rast që i vë në pozitë të vështirë hartuesit e testit (e kundërta është e vërtetë), debati i ngritur mbetet brenda një qerthulli të tillë që ngre dyshime e pështjellime, si për çdo hallkë tjetër të zinxhirit shtetëror, edhe në atë të arsimit dhe jo vetëm në burokracinë administrative, por po tenton tashmë edhe forcat progresiste të specializuara, të angazhuara në realizime cilësore, idealistë të qashtër, pa ojna politike, pa ndërliksur këtu institucionin dhe punonjësit e tij me ekspertët, profesionistët, dallim që mesa duket po pështjellon dhe përqasjet e përafërta.

U desh ky test që të zbulojmë “erudicionin” e personaliteteve që nuk vënë në dyshim mendimin  dhe njohuritë e tyre, por përpiqen të sugjestionojnë e të na bëjnë të heshtim. E papranueshme. Duke mos gjetur argumente për të mbështetur maturantët në pretendimet e tyre, qoftë nga natyra e vetë pyetjeve, qoftë edhe nga mosnjohja e programit mësimor, kritikuesit rrëmuan në thellësinë e fjalës, duke u ngatërruar në kuptimet dhe ngjyrimet e saj, pa qenë të aftë të rrokin aktualizimin e shprehjes. Shkuan larg kërkesave të nxënësve, ngaqë ishin dukshëm jashtë realitetit, sepse, siç thekson i mirënjohuri V. Malaj, “janë nxënësit e vetëm në botë që protestojnë pse tezat e provimeve janë të vështira”, ndërkohë që e vërteta është se pyetjet e provimit të gjuhës e letërsisë të këtij viti shkollor ishin nga më të thjeshtat në historinë e provimeve të kësaj lënde në vendin tonë. Kjo për arsye edhe të kushteve të krijuara nga pandemia e Covid 19, ashtu siç u ishte premtuar nxënësve. A mund të ketë ngarkesën e provimit shtetëror pyetja?: “Lidhëza prandaj është: a)bashkërenditëse përmbyllëse, b)bashkërenditëse veçuese, c) nënrenditëse rrjedhimore, d) nënrenditëse kushtore?”. Po kështu pyetja: “ Në fjalinë: “Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhënj”, fjala plot është përdorur si: a) përemër i pacaktuar, b) parafjalë, c) pjesëz, d) ndajfolje mënyre”? Si këto ka edhe shumë të tjera. Pyetja më “problematike” për kritikuesit është ajo e shkruar në pankartën që mbante në duar gjatë protestës një nxënës: “Çfarë bëri Turi, se më iku truri?”, që atyre (jo të gjithëve) do t’u shkonte më për shtat të thoshin: “Më ka ikur truri, nuk kuptoj ç’bën Turi”. Por me nxënësit do të mjaftoheshim duke u thënë se pyetja nuk kërkonte se çfarë bëri Turi, por nga katër alternativat të zgjidhnin fjalinë që vijonte në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë. Qëllimi i përfshirjes së kësaj pyetjeje në test ishte “vlerësimi i rezultateve të të nxënit që lidhen me teknikat e organizimit të një teksti rrëfyes” (M. Islami). Po ku ta dinë   këta lloj profesorësh e akademikësh, këta lloj isombajtësish e thashethemaxhinjsh, të cilët, siç thotë V. Malaj “të gjejnë arsye të tjera për të denoncuar paaftësinë, korrupsionin dhe megalomaninë e pushtetit” dhe jo shkaqe gjuhësore e logjike të një teksti njëpikësh, te të cilat e shohim të arsyeshme të ndalemi paksa për “vërtetësinë” dhe “saktësinë” e tyre të dyshimtë, ngaqë nuk merret në konsideratë fakti që gjuha shqipe është dinamike dhe jo statike, me norma e rregulla që nuk e ngurtësojnë, përkundrazi, krijojnë hapësira për shtrirje të gjera të kuptimit, për thellimin e mendimit dhe bukurinë e shprehjes.

Në realitetin tonë të sotëm, kur problemeve të përdorimit të gjuhës, zbatimit të rregullave në aspektin e një gjuhe të njësuar e të  përpunuar, nuk po u tregohet kujdesi i duhur, i domosdoshëm për një popull të qytetëruar që e konsideron gjuhën si tipar të qenësishëm e të rëndësishëm të identitetit kombëtar, shqetësimi dhe trajtimi në debate publike do të ishte i mirëpritur, si shenjë e rizgjimit të interesit, kujdesit, pastrimit, përpunimit dhe zhvillimit. Një dukuri e tillë do të ishte mbështetje e fuqishme e punës tepër të lavdërueshme të gjuhëtarëve tanë në respekt të arritjeve historike, të cilat me një mendjelehtësi po vihen në dyshim nga dashakeqasit, mediokrit dhe çojnë ujë në mullirin e tyre edhe ata të cilëve u është mbushur mendja, por në fakt i gënjen mendja, se janë të pakundërshtueshëm gjithmonë e për gjithçka.

Profesor F. Tarifa e konsideron argumentin e debatuesve në mbrojtje të testit të provimit të gjuhës e letërsisë si logjikë të palogjikshme, pasaktësi të habitshme.  Argumenti  i sjellë “nga emra të parëndësishëm për çështjen në fjalë, aq më tepër që asnjëri prej tyre nuk është ekspert për çështjen” (F. Tarifa), kundërshtohet prerë nga një emër i rëndësishëm, jo ekspert i çështjes, por që nuk do ta përligjte kjo pështjellimin gjuhësor, logjik e shkencor të një shkencëtari, kur shpërfaqet me mendimin se “gjuha dhe letërsia nuk janë shkencë, por disiplina humane”. Disiplinë  do të thotë “degë e një shkence a diturie” dhe, të përjashtuarit  nga të qenit shkencë, degë e kujt mbetet të jenë gjuha dhe letërsia? Po si lëndë mësimore, njohuritë    e cilës shkence përcjellin? Krahaso: Fizika, si lëndë mësimore, jep njohuritë e shkencës së fizikës. Sociologjia jep njohuritë e shkencës së sociologjisë, sikurse dhe gjuha jep njohuritë e shkencës së gjuhësisë. Nëse është fjala për mosngatërrimin e shkencave natyrore me ato shoqërore, atëhere, i nderuar z. profesor, më tepër vëmendje gjuhës, shprehjes, komunikimit, aq më tepër që këto gabime vijnë nga preokupimi për të mos bërë gabime, se gjuha është aq nazike, sa një shpërfillje sado e vogël ndaj saj dhe shkencës së cilës i përket, ajo të qorrollis e telendis edhe në vlerat si ekspert në çdo fushë të dijes. Ndaj dhe ministrja e Arsimit e ka të lehtë të të mos dëgjojë e t’i përvidhet këshillës sate, e cila del jashtë shqetësimit gjuhësor, kur shkruan “ministrja e arsimit”, si dhe jashtë sëkëlldisë së testit të provimit, kur shkruan për humbjen e pushtetit të figurave autoritare në SHBA dhe  Evropën  Perëndimore gjatë viteve 1960, duke vënë kështu në dyshim mençurinë e atyre njerëzve që s’dinë të dëgjojnë edhe atë që u pëlqen (stilemë e ndërtuar mbi thënien e F. Tarifës).

Nuk është vështirë të dallosh pozicionimin e prof. F. Tarifës, kur pohon  : “Përballë dy zonjave të nderuara intelektuale (duhet “dy zonjave intelektuale të nderuara” M.K), të cilat e kritikonin atë provim, qëndronin arrogantë e të palëkundur në pozitat e tyre dy përfaqësues të Ministrisë së Arsimit”. Simpatia dhe antipatia e prof. Tarifës, kanë të bëjnë me palët debatuese, qëndrimet e të cilave kanë shkaktuar tek ai këto ndjesi. Por mënyra e zhvillimit të bisedës nuk mund të shërbejë për të nxjerrë konkluzione për objektin e diskutimit, testin e provimit, aq më tepër t’i publikosh ato duke i dhënë vetes të drejtën e zotërimit të së vërtetës, pa i ballafaquar mendimet e debatuesve me vetë testin. Testi i provimit është produkt i specialistëve dhe jo i burokratëve të Ministrisë së Arsimit, ndaj ky debat duhej të ishte përmbyllur me   ndërhyrjen e drejtoreshës së QSHA, Rezana Vrapi, kur pohoi qartë dhe prerë: “Asnjë pyetje nuk ishte jashtë programit, testi nuk ka asnjë gabim shkencor dhe drejtshkrimor”. Testi nuk ka atë shkallë vështirësie sa nxënësit të protestojnë; ai është hartuar nga specialistë dhe prandaj duket pa vend, me nuanca të theksuara populiste, këshilla e profesorit dhënë ministres së Arsimit se “duhet të dëgjoni e të besoni më shumë nxënësit sesa nëpunësit servilë!”. Cila do të ishte dëshmia bindëse për të treguar se një pjesë e pyetjeve ishin formuluar në kundërshtim me rregullat e logjikës formale? Sigurisht, vetë pyetjet e tilla, por që profesori nuk i jep në shkrimin e tij, sepse në fund të fundit, nuk është testi objekti i shkrimit të tij, por Ministria. Po ç’kusur ka testi që goditet kaq pamëshirshëm?! Ndaj ky sulm kthehet në bumerang, paçka gradave, titujve e veprave, të cilat të nderojnë, përçojnë personalitet e autoritet, por aspak “pushtet” për spekulim e banalitet.

Shkrimi i profesor Tarifës, për vetë mënyrën se si e trajton problemin, nuk mund t’i përkasë asnjë lloji tjetër pohimi, veç atij që vjen si rezultat i përmbylljes së procesit të explikacionit, pra kur është analizuar profesionalisht testi dhe i pranuar përfundimisht si i papërshtatshëm për verifikimin e njohurive të nxënësve gjatë viteve të shkollimit në arsimin e mesëm. Këtë lloj thënieje, që do të ishte larg çdo hamendjeje, supozimi apo entimeme, profesori  e përjashton qysh në fillim, kur thotë : “Çfarë pashë e dëgjova” për testin e maturës shtetërore dhe jo “Çfarë lexova, studiova, përimtova dhe konkludova”. E, megjithatë, profesori arrin në eksplikat (rezultat) pa shpjeguar dhe saktësuar paqartësitë, vetëm duke dëgjuar “megalomanët dhe të paaftët e Ministrisë së Arsimit” dhe “dy zonjat intelektuale të nderuara”, (të më falë profesori për ndërrimin e vendeve të përcaktorëve, ndryshe nga si ai i ka vendosur në shkrimin e tij. Eshtë çështje gjuhësore kjo që, pse jo, mund të përdorej në test për zgjedhjen e alternativës së saktë), kur shprehet i bindur për absurditetin dhe pasaktësitë reale të pyetjeve të provimit. Ky është një konkluzion absurd dhe personaliteti e autoriteti shkencor i profesorit nuk i jep atij të drejtën “t’i transferojë” absurditetet sipas pëlqimeve dhe preferencave të veta. Në këtë kontekst e humbet vlerën këshilla miqësore dhënë ministres së Arsimit, për të mos rënë në gabime, sepse ajo dhe shumë të tjerë e kanë instinktin intelektual të mosbesimit që lind nga këshilla të tipit “bëj si them unë e mos bëj si bëj unë” (të paktën për rastin që flasim), sepse, siç thekson me të drejtë profesori, “autoriteti e humbet pozitën e vet” dhe këtu gjen rast “për të qëruar” zërin ndonjë arrogant që ka zënë rrënjë në kolltukët e Ministrisë së Arsimit, i dështuar në të gjitha reformat që ka përkrahur në karrierën e tij profesionale.

Eshtë për t’u vlerësuar tentativa e hartuesve të testit për t’i rezervuar sadopak vend logjikës përmbajtësore, pa braktisur atë formale dhe kjo është shprehje e drejtpërdrejtë e përbashkësisë së tyre në logjikën bashkëkohore. Eshtë ky hap, sigurisht i matur dhe i ngadaltë, siç është çdo fillim i ri, për të kaluar “nga të menduarit drejt në vërtetësinë e mendimit, në përmbajtjen konkrete  dhe përputhshmërinë e tij me realitetin” (Fj. filozofik). Dhe këtu nis debati, por “për ta interpretuar simbolikën nën një dritë të re mendimi” (M. Islami) dhe jo nën një mendim drite të vjetër, sikurse ndodhi për rastin që bëjmë fjalë dhe, ajo që të trishton, është niveli i ulët “i shkencëtarëve” që, me një papërgjegjshmëri të theksuar dhe dashakeqësi lakuriqe, reflektojnë mjerimin e tyre profesional, shkencor, njerëzor dhe aq më tepër vizionar e patriotik.

Eshtë pangopësi në keqdashje apo “ndjeshmëri” e lartë gjuhësore, kur një shkrues nënvizon edhe njëherë tjetër gabimet “trashanike” gjuhësore e logjike të testit të provimit, të trajtuara këto në një shkrim të mëparshëm? Eshtë e habitshme kurajoja për një sipërmarrje që s’ia mbajnë këllqet, gjë të cilën e ndien edhe vetë autori (S.Këlliçi) dhe nuk rreket ta  fshehë, kur, në vend të jetë furkaçe e adhuruesit, kumbiset vetë i tëri tek ai. Cilat janë “gabimet” e konstatuara në tekst? Po i shqyrtojmë, duke ruajtur renditjen e tyre në shkrimin e gazetës “Dita”(dt. 30.06.2020)

  1. Teksti nuk i bën nder shqipes, sepse në të thuhet: “Në barkë kishte katër njerëz”, kur duhet thënë “katër vetë”.

Teksti që diskutohet është fragment i një teksti të plotë dhe vetëm në këtë kontekst mund të diskutohet për përdorimin apo jo të fjalës së përshtatshme, kontekst që nuk na jepet dhe s’kemi pse e diskutojmë. Edhe shkruesi përdorimin e fjalës vetë në vend të fjalës njerëz nëpërmjet entimemës e vë në një kontekst të caktuar : “Fjalën njerëz shqipja ia (duhet “ua”M.K) rezervon konteksteve të tilla, si “njëra barkë kish katër njerëz, tjetra dy dele, një lopë dhe një qen”. Na ndihmon në arsyetimin tonë shembulli i vetë kritikuesit: “Ne nuk themi  “Sa njerëz kishin ardhur në shfaqje?”, por “Sa vetë kishin ardhur?”, por ama themi: “Sa njerëz kishin ardhur në shfaqje!” dhe jo “Sa vetë kishin ardhur  në shfaqje!, sigurisht, përzgjidhet  fjala që realizon synimin e thënies. Dhe akoma më tej. Ne themi “Kishte njerëz në shfaqje?”. Mos ndoshta duhet të kuptojmë me këtë përdorim të fjalës se, veç deleve, lopëve dhe qenve në shfaqje kishin ardhur dhe njerëz? Dhe nuk themi :”Kishte vetë në shfaqje?”. Në thëniet: “Sa vetë kishin ardhur në shfaqje?” dhe “Kishte njerëz në shfaqje?”, synimi i thënies është i njëjtë, edhe pse përdoret njëherë fjala njerëz dhe herë tjetër fjala vetë. Ndaj ka rëndësi konteksti që, siç theksuam, nuk e njohim, e kjo nuk na jep të drejtë ta konsiderojmë turp të shqipes  përdorimin në këtë rast të fjalës njerëz.

  1. Nuk tingëllon natyrshëm në shqip përdorimi i lidhëzës ndërsa, pasi është përdorur në një fjali më sipër.

 

A e di kritikuesi se kemi të bëjmë me dy lidhëza të ndryshme? Në fjalinë e parë lidhëza ndërsa është bashkërenditëse kundërshtuese, ndërsa në të dytën është lidhëz nënrenditëse kohore.

  1. Edhe folja manevronin jo vetëm që është fjalë e huaj, por në këtë rast nuk tingëllon natyrshëm.

 

Folja manevronin ka përdorim të gjerë në gjuhën shqipe; është ndërkombëtarizëm. Duket se kritikuesit kanë problem me tingëllimin e shqipes. Ku është këtu gabimi?!

  1. Edhe parafjala përmes nuk është e gjetur. Do të ishte natyrshëm të shkruhej; “ndërsa përdornin me shkathtësi lopatat për të mënjanuar ujërat e trazuara” dhe jo “ndërsa manevronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara”.

 

Po pse?! Sepse kritikut i pëlqen të ndryshojë rrethanën, vendin me qëllimin. Duket se kështu i tingëllon më bukur. Po ku është gabimi?!

  1. “Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer”. Kuptohet se një barkë nuk mund të rrëshqasë me shpejtësi, kur lumi është i rrëmbyer, sepse pengohet nga valët.

 

Ja një “gabim” tjetër gjuhësor apo logjik! Bëjmë pyetjen: “A e pengojnë valët barkën të rrëshqasë me shpejtësi, kur rrjedha e  rrëmben në drejtimin e vet? Fakti që në tekst thuhet: “rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit”, do të thotë se për momentin barka nuk ishte nën kontroll të plotë dhe rrjedha po e rrëmbente, kuptim që ia jep fjalisë parafjala përgjatë , e cila, sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme, përdoret për të treguar drejtimin e lëvizjes. Në këtë rast, si mundet të rrëshqasë barka ndryshe, përveçse me shpejtësinë e rrjedhës? Nga e kupton kritikuesi se barka, për çastin që flitet, është në drejtim  kundër  rrjedhës që të mund të pengohet nga valët? Cili element gjuhësor apo logjik ia dikton këtë kuptim? Asnjë! Po për të kundërtën? Sigurisht, parafjala përgjatë që nuk merret në konsideratë, për të mos thënë nga padija, nga zelli i madh për të gjetur gabimet e tekstit. Kush ka gabuar në këtë rast?!

  1. “Ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin…”. Ja një parafjalë e burokratishtes, një nga ato vegla përtace, e panevojshme dhe parazitare në këtë kontekst.

 

Përsëri preferencë tingëllimore.  Parafjala  në lidhje me në rastin konkret nuk mund të jetë parazite, e tepërt dhe pa funksion, sepse, po të jetë e tillë, mund të hiqet pa e prishur kuptimin e fjalisë, gjë që nuk ndodh. Zakonisht formime të tilla mund të zëvendësohen me parafjalët për ose me. Krahaso: 1. a) “Ishte i shqetësuar për shokun”, b) “Ishte i shqetësuar në lidhje me shokun”.  2.”Ishte i shqetësuar për udhëtimin me barkë”, b) “Ishte i shqetësuar  në lidhje me udhëtimin me barkë”. Zëvendësimi i parafjalës në lidhje me me parafjalën për, sipas rekomandimit të kritikuesit, në rastin tonë ndryshon raportin e marrëdhënieve mes subjektit dhe objektit. Derisa kryen një funksion, nuk mund ta quajmë vegël përtace, aq më tepër kur “formimi i lokucioneve parafjalore të kësaj natyre (prej emrash) është rruga kryesore për pasurimin e klasës së parafjalëve” (Gramatika e gjuhës shqipe). “Përdorimet pa funksion të ndërtimeve të tilla shfrytëzohen për karakterizimin e gjuhës së personazheve dhe për satirë” (“Stilistika e gjuhës shqipe” Xh. Lloshi). Po këtu nuk është rasti.

  1. “Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhembëzuar që iu shfaq përpara”. Folja vështroj është përdorur këtu gabim, sepse vështroj parakupton vëmendje dhe përqëndrim.

 

Po mirë, do të thoshim ne, në atë situatë, kur barka thuajse komandohej nga rrjedha e lumit, të shfaqurit përpara e një shkëmbi të dhëmbëzuar, nuk do të ndikonte aspak për të ndier   rrezikun e përplasjes, gjë që instinktivisht dhe detyrimisht të bën të përqëndrohesh, të vlerësosh situatën dhe të veprosh sa më efektshëm? A nuk është folja vështroj, siç thotë edhe kritikuesi, që parakupton vëmendje dhe përqëndrim? Atëhere, pse është përdorur gabim? Kujt nuk i funksionon logjika?! Krijohet përshtypja se qortuesi është zhytur keqas në thellësinë e fjalëve të tekstit, sa qartas duket se pllaquritet në turbullirë, kur thotë:

  1. “Ky shkëmb iu shfaq përpara. Turit? Me logjikë duhet t’i jetë shfaqur përpara barkës, sa kohë që ai (Turi) gjendet në barkë.

 

Folja shfaq-em, në tekstin e dhënë ka kuptimin shihet qartë, zbulohet diçka. Nëse barka shikon qartë apo zbulon diçka, atëhere i takon asaj “të logjikojë”.

  1. “Turi u hodh në të djathtë për të shmangur shkëmbin dhe gati e përmbysi barkën”, përgjigje kjo që e ngatërron lexuesin, sepse duket sikur shkëmbi do të godasë Turin, jo barkën.

 

Nuk kuptohet , është qortuesi që luan me fjalët, apo fjalët luajnë me të. Eshtë e njëjta gjë si të thuash: “ Avioni u përplas  me malin dhe jo pasagjerët brenda tij”. Çfarë logjike! Nuk ia vlen ta tjerrësh.

  1. “Turi e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të”. Ka një rregull të thjeshtë në gramatikë: “Sa kohë që harroi është në të kryerën e thjeshtë, folja pasuese duhej të ish edhe ajo në të kryerën e thjeshtë: u përplasën”.

 

Së pari, në gramatikë nuk ka një rregull të tillë, sepse kjo do të ishte ngurtësim i gjuhës. Janë disa rregulla (dhe jo vetëm një) që rregullojnë raportet mes kohëve të foljeve në një periudhë. Kritikuesit duhet ta dinë se fjalia ka vetëm një folje (përjashto homogjeninë), ndaj është ndërtuar gabim fjalia që pretendon të shënojë gabimet e testit të provimit, kur na kujton se “ka një rregull që rregullon raportet mes kohëve të foljes në një fjali”, sipas së cilës duhet të kuptojmë një fjali me një folje në disa kohë (!). A i është përmbajtur kësaj rregulle qortuesi në formulimin e fjalisë që na tërheq vëmendjen për mënyrën se si duhen përdorur kohët e foljeve? Ta shohim: “ Sa kohë që “harroi” është në të kryerën e thjeshtë, folja pasuese duhej të ish edhe ajo në të kryerën e thjeshtë”. A janë në të njëjtën kohë  trajtat foljore është dhe duhej të ish, ashtu siç na orienton formuluesi i kësaj fjalie? Jo! Nuk është treguar i kujdesshëm të paktën në formulimin e këtij qortimi dhe do të ishte kështu më bindës sesa me formulimin “e redaktuar të fjalisë së tekstit: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta u përplasën mbi të”. I njëjti avaz : “Bëj si them unë, mos bëj si bëj unë!”. Pse? Sepse kritikuesi nuk e di dhe rregullin tjetër të gramatikës: “Kallëzuesi i fjalisë kryesore mund të tregojë një veprim jo të zgjatur të shprehur me trajtën e së kryerës së thjeshtë (harroi) , të realizuar gjatë shtjellimit të një veprimi të zgjatur, shprehur me të pakryerën (përplaseshin). Kallëzuesi në të pakryerën mund të shoqërohet  me pjesëzën “po”: “Turi e harroi frikën kur valët e akullta po përplaseshin mbi të”. Mbivendosje gabimesh te teksti i redaktorit dhe jo te teksti i provimit të maturës.

  1. “ Turi e harroi frikën….” nuk më dëgjohet si shqip. Askush nuk thotë “ e harrova frikën”.

 

Përsëri punë me tingëllimin. Faji i tekstit është që redaktori e ka të kufizuar prirjen për të përthithur lëvizjet kuptimore të fjalëve, aq më tepër të tentojë rritjen e shprehësisë, ngjyrimin figurativ etj.? Së paku të mos mpakë ato kuptime që fjala i zotëron, që i ka ligjëruar përdorimi e tumirur gramatika e gjuhës shqipe. Folja harroj përdoret edhe në kuptimin shpërfill apo braktis (FSHS), atëhere pse ta konsiderosh gabim harroi frikën, kur edhe në kontekst del fare qartë ideja e shpërfilljes së frikës. Eshtë shumë më tepër shprehëse harroi frikën (e shpërfilli) sesa i doli frika, siç rekomandon redaktori. Dhe, së fundi, si për të na sqaruar për tendenciozitetin në gjetjen e gabimeve, nuk mund të mos rreshtonte mes tyre edhe emrin Turi, duke rekomanduar emra të tjerë që tingëllojnë më bukur në shqip.

I trajtuam”gabimet”sipas renditjes bërë në shkrimin “Edhe njëherë për Turin” dhe, nga ballafaqimi me gramatikën e gjuhës shqipe, asnjë prej tyre nuk rezulton të jetë gabim gjuhësor, ndërsa për ato logjike duhet pasur parasysh se për ç’logjikë bëhet fjalë. Përgjigjja e pyetjes mund të mos jetë ajo që përkon me variantin më të mirë të veprimit që do të gjykohej nga nxënësit, por ajo që justifikon zgjedhjen e atij varianti që përputhet me karakterin e personazhit dhe me shtrirjen e linjës së rrëfimit. Kjo është arsyeja që alternativat nuk janë variante të asaj se ç’duhej të bënte Turi, çka do të kërkonte që ai të vepronte me logjikën e nxënësve, gjë që nuk mund të ndodhë. Por nxënësit njihen me logjikën e personazhit nëpërmjet rrëfyesit dhe, megjithatë, hartuesja e pyetjeve ndër katër alternativat e paraqitura, që në dukje krijojnë përshtypjen se secila është e pranueshme, me mjaft mençuri, intelekt e intuitë profesionale, pedagogjike e psikologjike, ka përzgjedhur atë që i përshtatet logjikës së personazhit (sepse ai vepron) dhe jo të nxënësve, logjika e të cilëve në këtë rast do të ishte mekanizmi për të depërtuar tek ai, thjesht për të konstatuar e jo për të ndikuar. Që të mbërrinin në këtë “stacion”, nuk ishte e nevojshme që nxënësit të shtronin shina, sepse ishin të shtruara (alternativat). Duhej vetëm të mos ngatërronin binarin. Gjetja e tij ishte përgjigjja e pyetjes. Me shumë të drejtë M. Islami thekson: “ Furtuna që u ngrit buroi nga hiçi, turbulloi atmosferën jo pak të ngarkuar gjithfarëlloj toksinash, u vu në shërbim të hiçit…dhe u gremis në hiç”. Zotërinj! Keni humbur ndjeshmërinë e tingëllimit të gjuhës shqipe.

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Nuk e di z. Mihal si e keni perdorur edhe ju, pa e ndrequr, foljen “manevronin”. Edhe ju e thoni se eshte fjale e huaj dhe perdoret gjeresisht ne shume gjuhe. Por jo me “e”. Duhet “manovronin” dhe jo “manevronin”. Shikoni edhe fjalorin e gjuhes se sotme shqipe. Sa per gjithe kete artikull akademik, mendoj se mund te shkruhet me qarte e me thjeshte; jo me fjali kaq te koklavitura. Ashtu siç duhej te ishte edhe testi i matures me nje gjuhe me afer gjuihes se folur. Sa per pyetjen e “Turit” qe ngriti kaq debate, mendoj (por ndoshta gabohem) se eshte nje perkthim i dobet nga ndonje test i huaj, Prnadaj eshte veshtire t’i dalesh ne mbrojtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *