“Për ne është shumë i rëndësishëm integriteti i Regjistrit Kombëtar i Shtetasve dhe çdo ndryshim që i bëhet atij, duhet të jetë konform legjislacionit”
“Në Kukës në katër muajt e fundit është bërë një rritje e papritur e popullsisë, e cila nga të dhënat paraprake rezulton fiktive dhe kjo ka sjellë për pasojë ndryshimin e hartës së mandateve në qarqe të caktuara” – thotë Bledar Çuçi i PS. Më poshtë, intervista e tij për DITA-n lidhur me këtë argument.
Zoti Çuçi, PS ka denoncuar së fundmi disa statistika të Ministrisë së Brendshme që lidhen me popullsinë në qarkun e Kukësit dhe uljen e popullsisë në dy qarqe të tjera. Cilat janë pretendimet tuaja dhe pse e përjashtoni mundësinë që mund të jetë vërtet kështu?
Sipas Kodit Zgjedhor, caktimi i mandateve për çdo qark bëhet nga KQZ-ja me një formulë të caktuar: çdo 4 vjet në bazë të popullsisë në qarqe. Për zgjedhjet e rradhës, kjo ndarje do të bëhet sipas popullsisë në muajin nëntor 2012. Nga krahasimet që bëmë për rritjen e popullsisë sipas qarqeve në periudhën qeshor-nëntor, vumë re se qarku i Kukësit kishte pësuar rritje të popullsisë më shumë se të gjitha qarqet e tjera të Shqipërisë, përjashtuar Tiranën. Pra, qarku i Kukësit ishte rritur me ritme më të larta se Durrësi, Vlora, Fieri, Shkodra, Elbasani, etj, ndërkohë që popullsia ka një trend lëvizje nga vendet malore në ato fushore dhe është krejtësisht e pajustifikueshme që në këto katër muajt e fundit, shqiptarët në shumicën e tyre të kenë patur si destinacion migrimi qarkun e Kukësit.
Gjithashtu, vumë re se brenda qarkut të Kukësi ishin disa komuna si Topojan, Fierzë dhe Shishtavec (të gjitha drejtohen nga përfaqësues të PD) që kishin një rritje shumë herë më të madhe sesa % e rritjes në komunat e tjera të Shqipërisë. Sa për ilustrim mund të përmend komunën Topojan me rreth 2000 banorë dhe nga më të varfrat e vendit,ku numri i bizneseve është pothuajse zero (komuna nuk mbledh asnjë lek nga taksat vendore),rritja e popullsisë për periudhën në fjalë është me 166 banorë e shprehur ndryshe kjo me 5.99 % ose rreth 10 herë mbi rritjen e popullsise se Qarkut dhe rreth 17 here me shume se rritja në % e popullsise ne të gjitha komunat e vendit (!). Duket qartë se kemi të bëjmë me një rritje fiktive të popullsisë së qarkut Kukës e cila ka sjellë për pasojë ndryshimin nga muaji qershor në nëntor të numrit të deputetëve për qarqet Kukës dhe Berat. Kështu, sipas popullsisë në qershor, Kukësit i caktoheshin 3 deputetë dhe Beratit 8 deputetë, ndërsa sipas popullsisë në nëntor, Kukësit i caktohen 4 deputetë dhe Beratit 7.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti ta kalonte aktin për rishpërndarjen e mandateve për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës. Kjo do të thotë se s’do të kemi ndryshim të mandateve nga zgjedhjet e vitit 2009 apo do të ketë një votim tjetër?
Më lejoni të bëjë një saktësim. Caktimi i mandateve është detyrim ligjor që duhet bërë cdo katër vjet, kështu që mandatet e vitit 2009 janë të pavlefshme për zgjedhjet e ardhëshme dhe KQZ-ja së bashku me Kuvendin duhet të miratojnë hartën e re të mandateve sipas qarqeve. Opozita nuk është dhe nuk mund të jetë kurrësesi kundër caktimit të mandateve në qarqe, por ne kemi kërkuar nëpërmjet anëtarëve të KQZ-së të sqarojmë fillimisht rritjen e pashpjegueshme të popullsisë në komunat e Kukësit dhe pastaj të miratohet vendimi për caktimin e mandateve. Për ne është shumë i rëndësishëm integriteti i Regjistrit Kombëtar i Shtetasve dhe çdo ndryshim që i bëhet atij, duhet të jetë konform legjislacionit që rregullon shërbimin e gjendjes civile.
A keni kërkuar informacion zyrtar nga Ministria e Brendshme dhe cila ka qenë përgjigja?
Po. Nëpërmjet përfaqësuesit tonë në KQZ, ne kërkuam nga MB të na vihen në dispozicion lista e personave që janë shtuar në tre komunat e lartpërmendura të Kukësit si dhe dokumentacioni përkatës që këta persona kanë dorëzuar sipas legjislacionit për transferimin. Në mënyrë absurde, MB refuzoi ta japë këtë informacion ndonëse, për dhënien e tij detyrohet nga ligji “Për gjendjen civile” (neni 3, pika 2 dhe 3). Gjithashtu dua të sqaroj se asnjë nga të dhënat që kërkohen nuk janë të dhëna që trajtohen nga ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”. Pra, duket qartë se refuzimi i MB-së për të dhënë informacionin është refuzim për të bërë transparencë. Pa transparencë nuk mund të ketë konsensus dhe pa konsensus nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.
Në shtyp është shkruar se heqja e një mandati në Berat dhe një në Korçë është në kurriz të opozitës duke humbur dy mandate vetëm me këto ndryshime. Si qëndron e vërteta dhe a mund të lejoni një lëvizje të tillë?
Unë nuk e di se kujt statistikave i referohen përkrahësit e këtij argumenti, pasi nga sondazhet tona rezulton tërësisht e kundërta, në të dyja qarqet është PS që krijon avantazhin. Por edhe sikur ti referohemi për një moment vetëm rezultateve të vitit 2009 (për ti bërë qejfin ndonjë nostalgjiku të rënë viktime e statistikave të vjetra), paksimi i mandateve qoftë në qarkun e Korçës, Beratit apo Kukësit, penalizon vetëm koalicionin e PD-së, ndaj përpjekjet amatoreske për të inxhinjeruar caktimin e mandateve do të rezultojnë tërësisht të dështuara dhe do të shërbejnë vetëm për të diskretituar edhe më shumë këtë mazhorancë në sy të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Asgjë nuk e shpëton më këtë mazhorancë.