Ç`prej ditësh, kryqëzimi i 21 dhjetorit, është bombarduar vizualisht me një poster rozë, ku shfaqet kurmi gati gollomesh i një vajze të hajthme, e theksuar fort që është serbe, e cila do stripitizojë – siç thuhet në poster – për Shën Valentin, në një lokal nate. ‘14 shkurti’ është lënë pas, por posteri dhe “bisha” vetëm me tanga e sytjena në të, nuk dorëzohet, e si një heroinë e tregut të seksit, nuk pranon të ikë nga raftet për t`u futur në magazinë. Eshtë një poster që thotë shumë, nëse nuk e merr thjesht për një detaj qesharako – çmendurak të realitetit tonë me këto të dy dinamika metaforike.
Së pari, jep mesazhin se qejfi i erosit, sfidon çdo ndenjë patriotike dhe atdhetare; që do të thotë se një cupërlinë serbe, mund t`ua heq petllën e nderit burrave shqiptarë, pa asnjë lloj pengese doganore etiko-nacionale; e dyta, se ende në këtë vend, ka trushkulur që i marrin shqiptarët për më trushkular se ata, si në vitet e para `90, ku prej frustacioneve të tmerrshme erotike, ndodhte që në mallrat e çmuara në qarkullim të renditeshin dhe ca letra bizhozi me lojra seksuale e revista erosi, pasardhëse të medaljoneve me kurmin e Lepa Brenës, që vareshin në penzat e pantallonave të ca të rinjve provinciale, që pikëtakimin me Tiranën e kishin me ndjekjen e ndonjë kursi buke, qumështi, ose për marangoz ose hidraulik tek shkolla Teknologjike; dhe e treta, se edhe në mes të Tiranës, nuk ekzistojnë struktura vendore aktive që të merren dhe me kësilloj fenomenesh, më shumë se të turpshme, ku postera që promovojnë porno të gjallë, vijojnë të qëndrojnë me ditë të tëra në vende të tilla publike.
Nga ana tjetër, të pretendohet se ndonjë polic rrugor, nga ata që tek 21-shi kryejnë shërbim të rregullt në rregullimin e trafikut, të mund të shkojë vetë e t`i heqë ato postera, të vendosura aty për t`ua hequr petllën e trurin bashkë grahësve, me rrezik potencial aksidentesh nëse vështrimi çorientohet e mjergullohet nga ngacmime epshore, as që mund të bëhet fjalë. Se po të kish ardhur ajo ditë, ato postera thjesht nuk do ishin aty. / E.H.
Kane turp ta heqin.. se eshte me breke edhe me sytjena.
Policet kujtojn se eshte origjinale dhe kane frik me e kap me dore.