Porosia që erdhi nga Serbia

anazapta

Vijon nga numri i kaluar

A i bëri qëllimisht Alia të gjitha këto, apo gjërat dolën jashtë kujdesit e mendimit të tij? Ishte sjellja e Nanos në drejtimin e partisë rastësi kongresuale apo gjetje e menduar? Largimi i figurave dinjitoze ishte në të mirën e vendit apo në dëmin e tij?

Emërimi i Fatos Nanos, fillimisht si zëvendëskryeministër në qeverinë e fundit Çarçani, e më pas, si shef i qeverisë, ishte një befasi për njohësit e politikës, për më tepër kur ai, të vetmen periudhë kur e kishte njohur nga afër ekonominë, kishte qenë ajo e periudhës së stazhit të anëtarit të Partisë së Punës. Nano ishte një njeri me rreth të gjerë shoqëror, i mençur, polemist i dorës së parë, më shumë i përfolur si garip dhe ndjekës i bitëllsave. Por ai kishte një kartë të fortë në dorë, kartë që shpesh herë shoqëron fillimet politike: i biri i babait, Thanas Nanos, dorës së fortë në propagandën shqiptare. Do të ishte një nga rastet e pakta kur, që në fillimet e pluralizmit, një vazhdues i familjeve pushtetore të jetë në majën e piramidës. Më shumë se sa zgjedhje e Alisë, ai ishte një përzgjedhje e Nexhmije Hoxhës, por, në fakt, as njëri e as tjetri nuk e kishin menduar se gjërat do u dilnin shumë shpejt nga parashikimet e tyre. Zgjedhja e tij me këmbënguljen e Alisë nuk ishte një rastësi kongresuale, por gjë e menduar. Ishte ideja se përmes ndjenjës liberale të tij dhe njëkohësisht besnikërisë familjare ndaj regjimit, mund të kishin ende gjërat nën kontrollin e largët të tyre, por edhe të kishte një vazhdimësi të linjës ekonomike. Ata që mund të mendojnë se në brezin e parë të socialistëve nuk do të kishte “pragmatistë ekonomikë”, janë naivë. Në mjedisin më të lartë politik ishte një përzierje mes idealistëve, që mendonin mbarësi për të gjithë, dhe “prakticienëve” që mendonin për liçencat dhe tenderët e parë. Sa më shumë që figurat dinjitoze të ishin larg këtij përbashkimi, aq më shumë fryma e njohur si e Katovicës mund të gjente strofullën e saj.

Skema e partive politike në shpërthimin e parë, u shtua edhe me një parti e cila, thënë të drejtën, më shumë se sa të ishte frymë e partisë në pushtet, ishte ndjenja rebele e lënies jashtë strukturave të linjave të reja partiake: Socialdemokratët. Ata në atë kohë, njërën këmbë, të djathtën, e kishin me opozitën; ndërsa tjetrën, të majtën, e kishin me socialistët, nga e kishin edhe fillesën. Shumë nga figurat e socialdemokratëve ishin intelektualë të njohur, për më tepër ajo mund të quhej edhe si parti e tyre, por, është po ashtu fakt, se shumë prej tyre kishin pasur role jo të pakta në zhvillimet politike, arsimore e kulturore të deri asaj kohe. Jo të paktë vinin nga strukturat drejtuese në rrethe dhe u gjendën aty pasi kishin marrë një miratim të heshtur nga organet e pushtetit. Ndjenja rebele e lënies jashtë zgjati deri sa disa prej tyre gjetën vendet bosh tek të tjerët, më shumë si bashkëngjitje, dhe ndodhën ndarjet që nuk u bashkuan më, si e Laços e, më pas e Milos. Duke qenë përherë të ndërmjetëm, ata e kishin të vështirë të gjenin staturën e tyre, gjë që e kanë të vështirë edhe sot e kësaj dite.

Por ajo që bën rëndësinë më të madhe është enigma e krijimit të taborit të parë të forcës kryesore opozitare, e cila më pas u bë për shumë vite forcë qeverisëse, dhe që, në dy mandatet e saj, solli pas vetes gjëma të ndjeshme, të cilat mund të ishin katastrofa kombëtare. Në vitin 1997 ata lanë pas vetes një vend të djegur dhe me kërcënimin e luftës civile; në vitin 2013 pas tyre ishte një shkretëtirë financiare që nuk do të “gjelbërohet” dot në katër vitet e para të qeverisjes së re. Pinjolli më i njohur i kësaj dinastie do të jetë një njeri, të cilin zoti e krijoi për të keqen e këtij vendi, Sali Berisha.

Askush nuk ka më dyshim se futja e tij në lojën e madhe të politikës kishte nga pas vetëm një usta: Alinë.

Kush ia rekomandoi Alisë emrin e Sali Berishës? Përse Berisha, kur doli nga takimi kokë më kokë me Alinë, natën e dhjetorit, fjalës së Besnik Mustafajt, i cili e priste jashtë, se “mbaroi edhe kjo punë”, iu përgjigj, “Përkundrazi, tani filloi”.

Ramiz Alia nuk ishte nga ata liderë që nuk e mendonin të ardhmen. Ndoshta në të gjithë elitën komuniste ai ishte më i mençuri, më i hapuri, që mblodhi rreth vetes edhe disa figura të njohura intelektuale, e që njëkohësisht, megjithëse i detyruar të punonte me ta, kishte alergji ndaj udhëheqjes së vjetër. Ai ishte ndër ata që donte të bënte një hap të madh prapa, si me kongresin e vazhdimësisë dhe dy hapa të vegjël para, si me tufëzat dhe me arëzat. Duke qenë gjithnjë në pragun e tjetërsimit të figurës së tij, ai i kishte bërë hesapet para se të ndodhnin, dhe, megjithëse disa prej tyre nuk i dolën në pazarin e politikës, për shumë të tjera ai ishte ustai që i kishte përgatitur.

Për herë të parë, emrin e Berishës si njeri i opozitës së ardhshme, sipas burimeve të besueshme të lëvizjes ilegale në Shtetet e Bashkuara, Alia e mori në takimet e veçanta me disa nga krerët e emigracionit politikë të atjeshëm, disa nga të cilët kishin kaluar nëpër filtrin e shërbimit sekret serb. Njeriu, i cili e përcaktoi për herë të parë emrin e Berishës si një lider politik opozitar është i njëjti që më 14 shtator 1998 e urdhëroi atë përmes një shqipeje me theks malazez, që të tërhiqej nga rebelimi dhe grushti i shtetit. Dhe Berisha e dëgjoi.

Më saktësisht: Më shumë se sa i zgjedhur prej tij, Alia ishte i detyruar ta përcaktonte emrin e tij, duke pasur nën dorë edhe një as tjetër të politikës: Berisha deri në dhjetor 1990 kishte qenë njëri ndër komunistët radikalë brenda një strukture radikale. Besimi i Alisë ishte që përmes një figure të tillë ndryshimet do të ishin më shumë brenda kozmetikës se në rrënjët e saj dhe, njëkohësisht, do të ishin jashtë hakmarrjes që mund të pritej. Në fjalimin e tij të parë publik para studentëve, Berisha provoi pikërisht kozmetikën e politikës, por kur ndeshi në vërshëllimat e protestuesve, të cilët tashmë kishin zaptuar frikën, e ndjeu se loja me dy porta duhej mbyllur urgjentisht.

Tashmë është folur shpesh herë për figurën e Berishës dhe lidhjet e tij familjare me pjesë të klanit serb në Shqipëri e jashtë saj; për shkëmbimet e mesazheve, takimet e fshehta me njerëz të besuar të Millosheviçit, takimet me shefin e qeverisë malazeze, dora e djathtë e Millosheviçit, ashtu siç është saktësuar tregtia ilegale e naftës, armatimit, hapja e portave për një linjë trafikante serbe, jo vetëm përmes Fazlliçit. Ai do të jetë shefi i parë i një qeverie shqiptare që do të deklarojë haptas se e kishte mik shtëpie – ndërkohë që kishin biznese të përbashkëta familjare – nipin e shefit të UDB-së serbe, të akuzuar për krime lufte në Kosovë. Po ashtu, do të jetë shefi i vetëm i një qeverie, e cila jo vetëm mohon, por është ashpërsisht kundër luftës çlirimtare që bënte një pjesë e kombit të tij, si ndodhi me qëndrimet ekstreme të Berishës ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të gjithë kryeministrat socialistë, të cilët kanë drejtuar në kohën e luftës në Kosovë, Nano, Majko e Meta, kanë mbështetur këtë luftë, ndoshta edhe ngaqë tashmë ajo kishte fituar përkrahjen ndërkombëtare; ndërsa i vetmi që ishte kundër saj, për më tepër nga një zonë thellësisht veriore, do të ishte i zgjedhuri i Alisë në vitin 1990 për të qenë shefi i opozitës së ardhshme.

Nuk mund të besoj se të gjitha këto veprime në të njëjtën linjë të jenë një rastësi e politikës apo e dëshirës për pushtet. Nëse i shtojmë kësaj edhe risjelljen në rolin e liderit politik të opozitës të një figure si Basha, i njohur për rolin e tij në hetimin e liderëve të luftës në Kosovë dhe njëkohësisht mik besnik i Fazlliçit, gjërat bëhen edhe më të rënda. Përse i duhej bordit serb një lider opozitar si Berisha, edhe nëse ai nuk do të ishte drejtpërsëdrejti në një lidhje të kahmotshme me ta?

Njëri ndër katër themeluesit kryesorë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, organizatë klandestine që më pas formoi dhe drejtoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është Ibrahim Kelmendi, njohës i saktë i rrjedhave të politikës shqiptare, pasi vetë puna që ka bërë dhe natyra e tij ka qenë për afirmimin e të vërtetave. Në njërën nga bisedat me të, ai ka dhënë edhe këtë mendim:

“..udhëzimet e Sali Berishës me kasnecët e tij, gjegjësisht me spiunë të UDB-së dhe të OZNA-s, që i kishte bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, për të shkatërruar gjithçka në Shqipëri: shkollat, uzinat, madje edhe plantacionet e frutave, teoria e Çekut të bardhë apo teoria e nivelit ZERO etj., ishin argumente të tjerë që ma thellonin dyshimin se ato urdhra vinin po nga Beogradi nacionalist, që ta lodhnin Shqipërinë për ta zhveshur deri në palcë…”.

A kishte dorë klani serb në ndryshimet që ndodhën në Shqipëri, apo është thjesht një ngulitje e dëmshme e mendimit në këtë temë? Po klani grekomadh, i cili kishte po të njëjtat interesa nacionaliste ndaj Shqipërisë?

Duhet të jesh naiv të mos e mendosh këtë, dhe njëkohësisht, të mos e pohosh. Në Shqipëri, duke përjashtuar katër vitet e para të pasçlirimit, kishte një ndjenjë të fuqishme anti-serbe e anti-greke, sidomos anti-serbe. Fobia ndaj çdo gjëje që vinte nga andej ishte aq e ndjeshme, sa që dashje pa dashje, kishte zënë vend edhe tek njerëzit e zakonshëm. Hapja e vendit ishte një urë e ndjeshme për nacionalizmat fqinje, të cilët gjetën tek liderët e politikës që po vinte, njerëz të gatshëm për t’u shitur e për t’u blerë. U gjetën me një shpejtësi të jashtëzakonshme figura politike që e morën përsipër këtë rol makut, por kjo nuk ishte më një rastësi, por një vijë politike në emër të shkuljes së të keqes që kishte ardhur nga mbyllja.

Shumë njerëz i njohin Ramiz Alisë meritën e kalimit të pushtetit pa gjak, pra në një rrugëtim disi paqësor, çka shpesh herë është cilësuar edhe nga vetë ai, si një veçori e këtij vendi.

Unë jam i një mendjeje se Shqipëria nuk është qendra e botës, por jam po ashtu i një mendjeje se është qendra jonë. Ramiz Alia dhe liderët e tjerë të kohës moniste kishin në duart e tyre shumë më tepër se sa është ditur. Shpeshherë, përmes hutimit, pasigurisë dhe lidhjeve të mëhershme, ata bënë gabime, të cilat koha e atëhershme mund t’i justifikonte, por ajo që erdhi më pas i gjeti tragjike.

Instalimi në Shqipëri një bordi serb legal në politikën shqiptare, lejimi i bordit grek për të bërë të paudhin e ligjshëm në Shqipëri, qoftë edhe përmes lejimit të një figure tejet enigmatike si Janullatosi, amnistia dhe përfitimet që patën ish agjentët e deklaruar të shërbimeve sekrete serbe apo greke, riciklimi i tyre në politikë dhe në vendimmarrje, krijimi i një paternalizmi vulgar mes pjesëve të ndara të kombit, mohimi deri në rrënjë i gjithçkaje që ishte bërë në dyzet vitet e fundit, njollosja e historisë për të ringritur historinë e mercenarëve dhe bashibozukëve, shumë nga të cilët kishin qenë vegla serbe të njohura, mohimi i vlerave që kishin tashmë legjitimitetin e tyre, përçmimi i luftës çlirimtare në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare nën ish Jugosllavi – të gjitha këto, së bashku e veç e veç, janë ndër ato faje tragjike që kanë zanafillën e tyre që kur liderët e vjetër bënë ndarjen e re të roleve të politikës, pra që nga dita kur vendosën se cilët do të jenë kalorësit e rinj në kalin e pushtetit.

Dhe e keqja është se ata, edhe sot e kësaj dite, nuk po i zbret askush nga ai kalë i mallkuar.

Fund

 

Share This Article
2 Comments
  • Ju falenderojme drejtues te Gazetès Dita qe u jepni tè drejtè tè gjithève pèr tè shprehur mendimet qofshin kèto edhe kontdiktore me njèri tjetrin si rasti i z.Q Balla. Zotria emrin epaska tè bukur por mbiemri tregon edhe disi karakterin e personit nè kete rast ballist i veteve 44 pa asnjè ndryshim.Kujton diktaturèn dhe mirè benè por harron dhe ndoshta nuk do tè shikojè se çfare ka ndodhur ne demokracinè e sali serbit,shkatèrrim,vrasje pa gjyq nèbulevard,prostitucion,perdhunime,droge,eplotè te tjera qè nuk mbarohen dhe zoteria thote i lani kembet i pini ujin.Dakord o zotri lajani ju qè e admironi kriminelin ,pijani edhe lengun edhe mender m…..in. por nuk ja detyroni dot njerezve te ndershem apo gjithè popullit.Jazek ju qofte kur mbroni nje kriminel nè demokraci se per diktatoret as une nuk jam dakord ti mbroj.Krimineli mbron kriminelet dhe bashkèjeton me ta.Zotèria juaj ka ngelè shumè mbrapa por te jap nje porosi:Meso kush kane qene ballistet ,zogistet baskhkepuntoret e nazifashizmit dhe pastaj rri po deshe me trashègimtarèt e tyre edhe kur te vesh ne varr.

  • E thashe edhe ne pjese e pare objeksioni tim ku jam kunder Bedriut…Ndikimi jugosllav ne politiken dhe pushtetin shqiptar ka qene gjithnje evident qe ne kohen e Princ Vidit, Zogut e me tej…Ta lidhesh kete ndikim jugosllav vetem ne kohen e lidershipit komunist, me duket nje mediokritet intelektual ose mosnjohje e histise dhe gjeopolitkes, Ne fund te fundit fuqite e medha ja kane lene ne patronazh Shqperine Jugosllavise, ndaj edhe ndikimet e dhjetorir 1990 nuk ishin rastesi…Nderkohe qe edhe Ramizi ishte me origjine nga Kosova keshtu qe nuk duhet pare ai i lene jashte nga ndikimi i UDBse…. Mos harroni se ish Jugoslllavia ihste shteti komunist me i afert ne marredhieni me SHBA fale politikes se Titos. Keshu qe lenia ne patronazh e zhvillimve ne Sjqiperi ne “kompetence” te Jugosllavise nuk ka pse na duket e habitshme tani….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *