Më 13 nëntor 2015 pak orë para terrorit në Paris në një shkrim në “Dita” theksuam idenë se Porti i Durrësit është si han pa porta, për aq kohë sa doganierët e financierët italianë do të kapin klandestinë dhe mallra kontrabandë nga kamionët e ardhur me tragetet e Linjës Durrës-Bari.
Në fund nënvizuam faktin se italianët kishin ngritur nivelin e alarmit në Bari duke dislokuar madje edhe inspektorët e Digos-it, policisë antiterror. Me sa duket italianët diçka dinin për akte të pritshme terroriste.
Pas tragjedisë të 13 nëntorit në Paris, në Portin e Durrësit, më 18 nëntor u organizua një mbledhje e Komitetit këshillimor të sigurisë në Portin e Durrësit të kryesuar nga z.Gazmend Shalësi drejtor i APD-së Durrës, ku merrte pjesë si përfaqësues i Kryeministrit edhe Prefekti i Qarkut Durrës z.Xhelilaj. Në mbledhje u diskutua për rritjen e vigjilencës, marrjen e masave shtesë për sigurinë përveç atyre, që parashikon VKM-ja nr. 209 dt.9.4 2014. etj. etj. Vëmendja u përqëndrua sidomos në terminalin e pasagjerëve, ku u ofruan ide të ndryshme se si të forcohej sa më shumë siguria në këtë terminal, si të përafrohej orari i check in-it etj.
Aspekte problematike të sigurisë portuale
Çuditërisht në mbledhje nuk u përmend fare situata problematike përsa i përket terminalit lindor. Në kohën e regjimit Berisha ky terminal iu dha me koncesion një kompanie me pronar shtetasin gjerman Heiko Luikenga, i cili në prill 1992 ishte dënuar nga Gjykata e Nju Jorkut me burg (dhe kishte bërë burg në SHBA) për trafik armësh luftarake. Mjafton ky fakt, që sistemi i vlerësimit të rrezikut të ndezë dritën e kuqe për këtë terminal.
Çuditërisht për zotërinjtë dhe zonjat e sigurisë së Portit të Durrësit, një trafikant armësh koncesionar në Portin e Durrësit nuk përbën shkak të mjaftueshëm për t’u frikësuar për sigurinë portuale. Terminali lindor ka një “deriçkë”, e cila nuk është nën kontrollin permanent të asnjë lloj autoriteti ligjzbatues të shtetit shqiptar. Ndërsa dyert (hyrjet) e tjera të portit ruhen nga Forca e sigurisë portuale, nga doganierë e policë doganorë, nga policë të emigracionit etj. kjo “portëz”, (ku kalojnë nga veturat te trajlerat) e Terminalit lindor vetëm ndonjë herë më të rrallë mbikqyret nga patrulla e lëvizshme e Forcës së sigurisë portuale apo nga inspektorë të policisë kriminale apo të SHIK-ut lokal.
Një pikë tjetër, që nuk u trajtua fare në mbledhjen e 18 nëntorit, ishte edhe trafiku me anije për ngarkesa gjenerale me porte të Lindjes së Mesme sidomos me portet libiane të Dernas, Misuratës apo Tarabullusit. Pjesëmarrësve nuk u ka tërhequr vërejtjen shkuarja dhe ardhja bosh nga portet libiane e ndonjë anijeje të tillë, apo edhe qëndrimi kot me dhjetra ditë në radën e Portit të Durrësit e të tilla anijeve.
Terminali i pasagjerëve, kanabisi dhe skaneri
Pikërisht terminali i pasagjerëve si të thuash ua nxiu faqen autoriteteve ligjzbatuese shqiptare. Roja e financës në bashkëpunim me doganën e Portit të Barit po më 18 nëntor 2015 kapën 1 ton e 650 Kg. kanabis në një kamionin të sapozbritur nga trageti i Linjës Durrës-Bari. Ngarkesa me drogë ishtë fshehur në një ngarkesë legjitime dërrasash me destinacion Bolonjën. Kapja e kanabisit u krye në sajë të një kontrolli rutinë të kryer me skaner të tipit Silhouette Scan Mobile 300, prodhim i kompanisë Smiths Heiman (viti 2007). Për të dhënat teknike të kësaj pajisje skaner 8 vjeçare mund të konsultohet linku: donggok.co.kr/data/SilhouetteScan.pdf.
Theksojmë se në portin e Durrësit për shkak të investimeve miliona euroshe, ndonjëherë edhe të parakohshme, sistemi i kamerave të mbikqyrjes, sistemi i hapjes elektronike të portave hyrëse, të check-in it elektronik të biletave etj janë më modern sesa ato të instaluara në Bari. Skaneri i instaluar nga kompania koncesionare Rapiscan Security INC (S2 Albania SHPK) në Portin e Durrësit është më modern (prodhim i vitit 2014) dhe me të dhëna teknike avangardë sesa ai në Bari. Ky skaner i tipit Eagle r G 60 është më cilësor, më i ri sesa ai i Barit dhe me një skaner të tillë është thuajse e pamundur të bëhet kalim mallrash apo personash kontrabandë, pa u zbuluar nga operatorët e skanerit. Për të dhënat teknike të këtij skaneri ultra modern mund të konsultohet interneti. Kompania koncesionare në kontratën e lidhur me autoritet shqiptare në mënyrë eksplicite zotohet dhe mban përgjegjësi për probleme të tilla si siguria kombëtare, sigurimi i kufijve nga parandalimi i kontrabandës, nga produkte sidomos të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve e të tjera”. Për më shumë shiko në linkun në vazhdim kontratën e nënshkruar nga pala shqiptare me koncesionarin në fjalë qbz.gov.al/botime/fletore_zyrtare/2013/PDF-2013/74-2013.pdf
Shkurt mund të themi se kompania koncesionare e ka shkelur me të dy këmbët në këtë rast dhe në rastet në vazhdim kontratën e nënshkruar me palën shqiptare. Për sa i përket marrjes së parave edhe pa kryer skanim fare, madje edhe aty ku nuk ka skaner të instaluar, kompania koncesionare nuk të fal si i thonë fjalës as qimen. Fatkeqësisht përmbushja e detyrimeve kontraktuale për sigurinë kombëtare të Shqipërisë është brima e fundit e kavallit për këtë kompani.
Kokat e turkut
Pasi mediat shqiptare pasqyruan gjerësisht shkrimet e mediave italiane për këtë mega-sekuestro kanabisi,u mendua të fashitej zhurma mediatike duke bërë koka turku ca doganierë e ca kapterrë policie. Kompania koncesionare ishte “lule mos më prek”, prandaj edhe duhet ta hanin doganierët dhe policët shqiptarë, ndonëse deputeti veteran Erion Braçe (kryetar i komisionit parlamentar te ekonomisë), kërkoi publikisht anullimin e kontratës koncesionare.
Faktikisht në këtë kontratë koncesionare në pikën 9.3 është përcaktuar qartë përgjejgjësia e koncesionarit për rekrutimin dhe trajnimin e personelit. Fatkeqësisht, ndonëse Drejtoria e doganës Durrës ka doganierë të trajnuar për përdorim të skanerave të ngjashëm (që në kohën e instalimit të skanerit të lëvizshëm kinez), në mënyrë të qëllimshme në sektorin e skanerit ishin emëruar doganierë, që nuk kishin as më të voglin kualifikim për të kryer një detyrë të tillë.
Kjo dhe (më së paku) pakujdesia ulëritëse në kryerjen e detyrës nga punonjësit e koncesionarit Rapiscan solli mega trafikun e kanabisit. Rapiscanit nuk i hyri gjemb në këmbë, ndërsa doganierët dhe policët e thjeshtë përfunduan në burg si pjesë e spektaklit propagandistiko-mashtrues të luftës kundra drogës!
Vazhdon pasiguria portuale në Durrës
Mania për të bërë spektakël me sigurinë kombëtare nuk ka të sosur në Portin e Durrësit. Pasi u prangosën doganierët e policët, përsëri skaneri ultra modern i Durrësit më 25 nëntor nuk mundi të konstatojë një ngarkesë droge prej 26 Kg kanabisi dhe 1 Kg heroine të fshehur në një ngarkesë legjitime pizhamash të një firme fasoniste shqiptare. Në të njëjtën ditë me kapjen e kësaj droge policët italianë në Portin e Barit arrestuan 5 shqiptarë.
Tre prej tyre ishin persona në kërkim si të dënuar nga drejtësia italiane, ndërsa 2 të tjerë ishin dëbuar nga Italia dhe sapo kishin hyrë si klandestinë në Bari duke përdorur automjetet e imbarkuara në tragetet e linjave Durrës-Bari. Është me të vërtetë për të qeshur, që skaneri ultra modern nuk dedekton (zbulon) dot as drogë dhe as klandestinë. Ka rrezik, që skaneri ultramodern i koncesionarit Rapsican, ndonjë ditë nuk ka për të zbuluar as ndonjë elefant, që mund të trafikohet nga Durrësi për në portet italiane.
Megjithë mbledhjet me temë rritjen e vigjilencës pas akteve terroriste në Paris, Mali (Bamako) apo në Bruksel, megjithë arrestimin për t’i bërë koka turku të policëve dhe doganierëve Porti i Durrësit ende është han pa porta! Mbetet për t’u parë sesi do të reagojnë organet kompetente pas mega sekuestros së ardhshme të drogës në portet italiane. Ironikisht mbetet që t’i lutemi Zotit , që nga Durrësi për në Itali do shkojë vetëm drogë dhe kriminelë ordinerë dhe jo armë e terroristë, se pastaj për të ruajtur të paprekur kontratën famëkeqe me Rapiscanin duhet të bëhen koka turku jo më kapterrë e doganierë, por rilindas dhe rilindase me grada madhore! /Gjergj Thanasi/DITA/

o cun i tirones a bojme noi self.
Fajin e ka Berisha.
Keta jane vellezerit e varfer te Berishes qe duan tete vjet qe te marrin vetem nga ana ekonomike.Shqiperia eshte e varfer Ndaj bredh piktori te shese flet kalendari neper bote.