Porti i Vlorës do të jetë gati për sezonin e ardhshëm veror. Këtë e siguron drejtori i këtij porti, Edmond Leka, sipas të cilit punimet po ecin me ritme të shpejta. Ai është shprehur se shpreson që me këto ritme, sezoni i ardhshëm turistik do ta gjejë qytetin bregdetar me një port të ri.
“Janë rreth 15 milionë euro që do të shpenzohen për rregullimin e kalatave dhe thellimin e gjirit brenda portit, çka do të shërbejë edhe për ankorimin jo vetëm të trageteve por edhe të anijeve turistike”, është shprehur Leka.
Ai shpjegoi se në portin e Vlorës do të jenë në linjë katër tragete të cilët do të veprojnë çdo ditë. Drejtori shtoi se ka pasur mjaft kërkesa për ankorimin e krocierave, por kushtet e portit nuk kanë bërë të mundur hyrjen e tyre.
Punimet në portin e Vlorës kanë nisur në qershor, ndërsa pritet të ketë edhe një investim të dytë prej 15 milionë eurosh për terminalin.
