Avokati i Popullit në Meksikë ka kërkuar nisjen e hetimeve pas ‘turpërimit publik’ të një grupi mësuesish dhe administratorësh në shtetin e Çiapasit.
Më shumë se 14 administratorë dhe drejtorë shkollash u detyruan të ecin këmbëzbathur përmes qytetit Komitan, pasi ata sfiduan një grevë.
Një fraksion i sindikatës së mësuesve u vendosi pllakata në qafë mësuesve, ku thuhej se ata ishin tradhtarë.
Shumicës së tyre iu qethën flokët, ndërkohë që turma shihte.
Ministria e Arsimit tha se përgjegjësit do të ndëshkohen.
Sindikata e Mësuesve tha se ata ishin agjentë të shtetit, që ishin infiltruar në radhët e tyre për të diskredituar grevën.
Sindikata është në grevë pasi kundërshton reformën në arsim, që parashikon masa të reja për vlerësimin e mësuesve.
Këto incidente janë të zakonshme në Meksikë, raporton BBC.
Edhe vitin e shkuar, drejtorëve të shkollave në Çiapas iu qeth koka në shenjë poshtërimi.
