Posta Shqiptare thotë se nuk ka asnjë përgjegjësi për lotarinë e kuponit tatimor, duke theksuar se i gjithë sistemi informatik për përzgjedhjen e fituesve është zhvilluar nga Ministria e Financave dhe po i njëjti institucion ka vendosur edhe rregullat dhe kushtet e lojës.
“Për sa i përket rolit të Postës Shqiptare në këtë proces, ajo ka përmbushur me mjaft përpikëri dhe korrektesë marrëveshjen dypalëshe duke vendosur në dispozicion informacionin e mbledhur mbi bazën e vetëdeklarimit të klientit për numrin e kuponave tatimorë në copë dhe në vlerë”, thuhet në reagim.
Sipas deklaratës, në asnjë moment, Posta Shqiptare nuk ka pasur të drejtën për të verifikuar apo për të ndërhyrë në përmbajtjen e zarfeve të pranuar në sportelet e saj.
“Pas dorëzimit të zarfeve nga qytetarët, Posta ka vijuar me dorëzimin e tyre pranë Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë duke përmbyllur këtu të gjitha detyrimet e saj në lidhje me këtë proces. Gjithashtu, kërkojmë të theksojmë se Posta Shqiptare nuk ka pasur asnjë përfaqësues të saj pjesëtar të komisionit përzgjedhës të fituesve të kësaj lotarie”, përfundon reagimi. /Dita/
