Posta Shqiptare përgjysmon tarifat e shërbimeve për studentët

anazapta

Për të gjitha shërbimet që do të marrin nga Posta Shqiptare studentët do të paguajnë vetëm gjysmën e tarifës reale të shërbimit. Të parët që përfitojnë nga tarifat e përgjysmuara do të jenë studentët e fakulteteve të Universitetit Politeknik. Kjo në sajë të marrëveshjes së nënshkruar gjatë ditës së djeshme ndërmjet rektorit të këtij universiteti, Jorgaq Kaçani, si dhe kreut të Postës Ardit Çela.

Sipas tyre, krahas shërbimeve të zakonshme, do të ofrohen edhe shërbime ekstra në postime, por edhe për ndjekjen e trajnimeve pranë zyrave të postës, për të gjithë ata kandidatë që bëjnë pjesë në rrjetin e studentëve ekselentë. Gjatë javëve të ardhshme pritet që pjesë e këtij bashkëpunimi të bëhen edhe universitetet e tjera publike të vendit.  “Ky bashkëpunim vjen duke bërë stimulimin dhe vlerësimin e studentëve më të mirë përsa u përket diplomave, projekteve, praktikave mësimore pranë postës shqiptare.

Por, për studentët ofrohet edhe ulja deri në 50 për qind për shërbimet, më saktë për të gjitha postimet që do të bëjnë në postën shqiptare”, ka deklaruar gjatë nënshkrimit të marrëveshjes rektori Jorgaq Kaçani. Ndërkohë që drejtori i Postës Shqiptare, Ardit Çela ka treguar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje synohet mbështetja e studentëve të ekselencës në universitetet shqiptare. “Të angazhohemi seriozisht që të mbështesim nismat dhe projektet konkrete, kërkimet shkencore, asistencës tonë përgjatë diplomave në të tria nivelet e studimit, për studentët, por edhe për pedagogët”, tha Ardit Çela.

Gjatë këtij viti posta do t’u vijë në ndihmë edhe maturantëve. Kjo pasi posta do të angazhohet në ndarjen e teste të maturës në të gjitha rrethet e vendit, teksa do të jetë edhe përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë së testeve. Afrimi i postës në procesin e maturës 2014, bëhet me qëllim shmangien e ngjarjeve të shëmtuara të viteve të shkuara, ku testet u ishin shpërndarë nxënësve para orarit zyrtar të nisjes së provimit, çka ka krijuar mundësi të shumta për kopje. Gjatë muajit qershor maturantët do të testohen në 5 provime, ku tre prej lëndëve janë të detyruara, ndërsa dy të tjerat do të jepen si provime me zgjedhje. 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *