Potomi, ku janë burrat e “Kollit të Burrave”?!… 

Dita

 Në Skrapar zona e thellë e Potomit, kufi me Korçën, quhet ndryshe Kolli i Sipërm (disa të tjerë e quajnë Kolli i Burrave). Kjo është nga ato zona ku në të gjitha kohët ka pasur ngjarje që kanë zënë vend jo vetëm në historinë e Skraparit, por të të gjithë Shqipërisë.

Pëllëmbë e histori…

Le ta nisim me Backën, teqenë e saj të dëgjuar, në krye të së cilës ishte Baba Fetahu, në kohën e Rilindjes Kombëtare ajo u bë vatër e zjarrtë e përhapjes së librave në gjuhën shqipe. Meleq Staravecka, mik i Naim Frashërit, në atë kohë nuk linte cep të Shqipërisë pa shkelur duke shpërndarë abetaret që i merrte vetë nga Sofja dhe Bukureshti. “Bejlerët” e Koprënckës, Xhelali, firmosi aktin e Pavarësisë në vitin 1912, është përfaqësuesi i vetëm i Skraparit; Hasani dhe Samiu, vëllezërit e tij më 1908 bënë mitingun më të madh për shkollat shqipe në fshatin e tyre, ku morën pjesë mbi 300 vetë dhe pak ditë pas këtij mitingu, me shpenzimet e tyre, ngritën tri shkolla fillore në Qeshibes, Gostënckë e Çorovodë.

Pesë vjet më vonë, Lace Backa me trimat e tij ndezi Qafën e Martës dhe bëri zap një ushtri të tërë të andartëve grekë  për të mos kaluar më këtë anë të Skraparit. Sali Butka, pas betejave të mëdha, vinte merrte frymë në Skrapar, shkëmbente mendime me parinë e atyshme dhe mbushte radhët me luftëtarë të rinj. “Në konak thërret tellalli,/po vjen Sali Kapedani…”, thotë kënga. Muço Kapinova ia nxiu jetën Mbretit gjatë gjithë sundimit të tij, në ’22-in me deputetët, në 24-ën me Nolin, në 35-ën me Riza Cerovën, por edhe Mbreti s’e harroi, e vrau me të pabesë mu në derë të shtëpisë sapo u kthye nga mërgimi. Po kështu dhe Sulejman Qafën, nolistin e pandreqshëm, ashtu si Muçon me shokë, Zogu e pati halë në sy, por Sulejmani shpëtoi paq, jo se e kurseu mbreti, por nga popullariteti që gëzonte.

Një kapitull të ri historie hapi Potomi gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare me çetën e tij partizane, jo shumë kohë pas asaj të Kulmakut, me një itinerar të gjatë lëvizjesh në Kolonjë, Frashër, Përmet, Korçë e Tomorricë, deri sa në qershor të vitit 1943 në Qafë të Martës u formua batalioni partizan “Riza Cerova”, me bërthamë luftëtarët e kësaj çete.

Në këtë krahinë të skajshme të Skraparit është mbajtur Plenumi i Parë i Komitetit Qendror të Partisë, Kongresi i Parë i BRASH-it, këtu drejtoi luftën për më se gjashtë muaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u krijua Arma e Xhenios, e Ndërlidhjes, u ngritën katër spitale partizane, në Nikollarë, Vlushë, Potom e Visockë; u krijua Brigada e 7-të Sulmuese, Divizioni i Parë Sulmues, pa zënë në gojë luftimet që janë zhvilluar në qafat e grykat e kësaj zone, por edhe masakrat më të papara në Shqipëri si në Vlushë, Kapinovë e Krushovë.

Pëllëmbë e histori.

Ku janë burrat e Backës?…

hR9WMWLmyAV0GPs1Gn_AZJiylGM8p4rPAxfHYT85SC0Duke kaluar me pak fjalë një periudhë të tërë, atë të socializmit, mund të themi se kooperativat e kësaj zone, sado malore, si ajo e Staraveckës, Potomit, Turbëhovës, kanë bërë përpjekje heroike dhe falë punës kanë patur rezultatet më të mira në rreth. Megjithëse krahina e Potomit shquhej për trimëri dhe burrëri, dhe pikërisht për këto quhej “Kolli i Burrave”, për socializmin s’kishte burra(!) Aq i vërtetë dhe njëkohësisht fyes është ky fakt, sa në administratën e rrethit kuadrot e asaj zone dhe të Tomorricës numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Edhe këta në rangje fare të ulëta. Tarafi e miqësia atëherë bënin mu…Çorovoda ishte mbushur me kuadro të luginës së Osumit. Aq sa nën zë këndohej një këngë alegorike “O kjo an’ e lumit, ka bilbila shumë”… Por më e çuditshme ishte se edhe tri kooperativat e zonës së Potomit kuadrot i kishin të ardhur e jo vendës. Natyrisht që njerëzve s’u vinte mirë dhe (gjithmonë nën zë) shpreheshin se djemtë e vajzat e tyre s’ishin budallenj, që vinin e i komandonin të tjerët!

Lidhur me këtë përshtypje, u bë legjendare dhe qarkullonte si barcaletë historia e Selvisë, motrës së luftëtarit Zote Backa, një plakë tepër e zgjuar, kur një i deleguar kërkoi të mblidheshin të gjithë burrat e Backës për një çështje intime fshati. “Ç’ burra do ti”?- i tha plaka të deleguarit. “Burrat e Backës janë atje, në Qafë të Martës, ata që janë këtu janë meshkuj, se po të ishin burra, s’të linin ty të kakarisje në qymezet e tyre”!

Do të vazhdoj më tej me Backën, pasi kam dobësi për këtë fshat, dikur të madh. Dhe më vjen mirë të përmend këtu një nga miqtë e mi, rahmet pastë, se është bërë për rahmet, Jake Backën, te i cili shkoja shpesh dhe në shtëpinë e tij hyja brenda pa trokitur. Por po të bujtje te ai, duhet ta mblidhje mendjen mirë se s’bënte vaki të flije para kaposhit të tretë. Unë për veten time e kisha shumë qejf atë burrë, veç që ishte një luftëtar i vjetër, por edhe shumë i zgjuar. Naimin e Çajupin i dinte përmendësh dhe, po të donte, të turpëronte, pasi zakonisht ne dinim dy-tri vjersha, aq sa na jepnin mësuesit. Por ai e kuptonte sikletin dhe shmangej me lezet nga ky muhabet.

Si kryetar i Këshillit Krahinor të Potomit në kohën e Luftës, ishte zënë keq dy herë me vetë Enver Hoxhën. Një herë në fillim, kur Shtabi i Përgjithshëm ishte planifikuar të vendosej në Backë dhe Jakja i kishte marrë të gjitha masat ku do të rrinte shtabi, ku do të rregulloheshin anglezët, ku do të sistemoheshin rojet, madje ishin zbrazur edhe shtëpitë. Por Enveri duke parë nga avllia e Jakes Helmësin përtej, të rrethuar edhe me pyje, i kishte thënë Jakes se do të qe më mirë të hidheshin atje. Qejfprishur dukshëm Jakja ishte nisur për në Helmës, shpejtë e shpejtë i kish rregulluar punët me zotërit e këtij fshati, me Mehmet Myslimin dhe Nurihanë Bilimanin, dhe shtabi u vendos aty, ku ndenji gjashtë muaj e ca.

Hera e dytë me Enverin ishte, kur dy fshatarë nga Backa u kishin vjedhur rojeve të Shtabit nja dy fleta çadre dhe nja dy sëpata. Gjyqi partizan i kishte dënuar të dy fshatarët me pushkatim. E merr vesh Jakja dhe shkon te Enveri, i cili në fillim ngurroi dhe i tha se nuk mund ta kthente vendimin e gjyqit partizan. “Ç’gjyq, i thotë Jakja, ata janë fshatarë, i dinin xhephane lufte, ne kazmat e lopatat nga ushtritë e huaja i kemi siguruar gjithmonë e i kemi quajtur mall belik. Dhe ata qyqarët ranë në mall ushtrie dhe s’e vranë mendjen më tej. Për kaq çohet dëm njeriu!?”. “Do ta bisedoj me Komandantin e do ta rregullojmë këtë punë, i kish thënë Enveri, duke i rënë krahëve, se ta kam një borxh dhe më je zemëruar më duket”.

Jakja ishte larguar pa i kthyer asnjë përgjigje, me demek se borxhi ende s’ishte larë. Megjithatë kish bërë një punë të mirë, kishte shpëtuar dy njerëz nga vdekja e sigurt.

Por ky Jake, më pas, në vitet ’70, për shkak të të vëllait, Kamberit, që ishte dënuar në kohën e Koçi Xoxes, nuk shikohej me sy të mirë nga autoritetet e rrethit, nuk po e merrnin më pranë në podiumet e festës së Qafës së Martës dhe Lirzës, që zhvilloheshin çdo vit me një pjesëmarrje të gjerë të banorëve nga Korça, Skrapari, Kolonja, Përmeti etj. Iu desh Kahreman Yllit që të ndiqte punën e Jakes, jo me shkresa dhe urdhra partie, por siç dinte t’i rregullonte gjërat Kahremani. Në vitin 1973, ai vjen i deleguar në festën e Qafës së Martës, ndoshta edhe qëllimisht. Rrugës për në Backë sekretari i Parë dhe kryetari i komitetit, që e shoqëronin, i thanë se kishin lajmëruar dy familje ku do të kalonin darkën. “Ju shkoni ku të doni, u thotë Kahremani, unë e kam vendin, do të vete te Jakja”. “Te Jakja, i thotë i habitur sekretari i Parë, po Jakja!?…”. Por përpara vendosmërisë së Kahremanit, ai nuk e zgjati më tej.

Pasi kish ngrënë darkë te Jakja, të nesërmen, Kahremani dhe plaku, hipur në dy mushka, u ngjitën në Qafë të Martës. Në kulmin e ceremonisë, ndërsa Kahremani fliste, një dorë e mbante mbi supin e Jakes, që e kishte pranë në podium, me domethënien se Jakja është yni e s’duhet braktisur, një veprim i zgjuar që mund ta bënte vetëm një diplomat i sprovuar për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e një luftëtari të shquar.

Kam shumë për të thënë për Backën, për Arshin Ibron, me fëmijët e tij të mirë; për nastradinllëqet e Bido Mustaqes; për Qaniun, që i qëndroi si burrë një shteti të tërë e s’u bë që s’u bë kooperativë deri në fund, për çmendurinë Barcelonë, kur rrëshqiti Backa, por, për efekt vendi, pasi dua të them edhe nja dy gjëra për fshatrat e tjerë, do t’i lë për një herë tjetër.

Zona ime, zemra ime

Në Kapinovë kam filluar për herë të parë punën si mësues, pasi kisha mbaruar shkollën e mesme pedagogjike të Beratit. Them punën, po pse të mos them jetën, se puna është jeta! Ndaj 1 shtatorin e vitit 1966 dhe Kapinovën i kam me të kuqe në kalendarin e jetës time. Unë kam qenë atje, kur fshati nuk kishte më shumë se pesë-gjashtë vjet që ishte bërë kooperativë. Njerëzit punonin shumë, por ishin të varfër, një varfëri që pasqyrohej kudo. Madje edhe te ne mësuesit.

Bukën ne, mësuesve, na e bënte e ëma e Zenel Bakiasit, Sembia, një plakë e mrekullueshme, me miellin që na jepnin si racion, 12 a 15 kg në muaj, s’më kujtohet mirë, herë misër dhe herë grurë, ndërsa gjellën e bënim vetë, më shumë gatuanim makarona dhe fasule.

Si e pa që po vuaja aty, pas nja dy muajve, një miku ynë familjar, Reiz Bakiasi më mori në shtëpinë e tij. Haja bashkë me ta. Lulja, e shoqja e Reizit dhe kushërira ime e largët nga Streneci, ishte një grua zonjë, e pastër dhe e qytetëruar. Kishin dy fëmijë, Fatosin, 3-4 vjeç dhe Tikun fare të vogël. Nuk do ta harroj kurrë interesimin e Lules dhe të Reizit ndaj meje. Ruaj mënjanë kujtimet më të mira për ta, pasi unë isha fëmijë dhe e ndieja kujdesin e tyre prindëror.

Më djeg malli të vete një herë në Kapinovë, se edhe në ëndërr më del. Por edhe po të më jepet rasti, s’kam për të vajtur. Ku të vesh dhe çfarë të gjesh. Jo në Kapinovë që s’vete edhe sikur të më çojnë me araba, por as në Qafën time, ku më janë përgjakur kërcinjtë nga ferrat, ku kam një pjesë të zemrës time, s’më vihet. Më kanë thënë se s’ka më gardhe, s’ka më mure, ferrat kanë harlisur mbi shtëpi e kasolle. Çfarë të shoh? Të më dhembë koka, të sëmurem! Kur ka qenë rasti, për ndonjë mikun tim të mirë që ka vdekur, nuk kam dashur ta shoh xhenaze. Kam dashur ta mbaj mend ashtu siç ka qenë të gjallë, të bukur, jetësor. Kështu edhe Qafën, fshatin tim, zemrën time, më mirë ta mbaj mend ashtu siç ka qenë në kujtime, se sa ta shoh si xhenaze!…Nofkat dhe aforizmat e dikurshme miqësore, këta të rinjtë s’i dinë fare. Dhe kanë të drejtë, në Qafë (që asnjë herë s’u mor vesh, ishte Qafa prapa Polenës, apo Polena prapa Qafës) s’ka më “okërrxhinj” se okrrit ka 30 vjet që i ka humbur fara. Do ta paguaja me çdo çmim atë që do të më gjente një grusht farë a një kalli okrri ta mbaja si kujtim. Në Koprënckë s’ka dyfekçinj, se dyfekët po u kalben nga ndryshku nëpër strehët e shtëpive të braktisura. Në Gjergjovë “sherrxhinjtë” kanë ikur, kanë ngelur më të urtit. Le të zihen po të duan, por aq sa janë tani, i ha ujku po u zunë. Në Potom…Po le t’i lëmë këto e të bëjmë një panoramë të shkurtër të gjendjes së sotme të kësaj krahine.

Çuka e Frëngut

Nga Kapinova më ka ngelur në mend një ngjitje në Çukën e Frëngut, bukuritë magjepsëse të atij mali e veçanërisht të majës (çukës), që çuditërisht në atë hapësirë të qiellit të qelqtë i ngjante  “Titanikut”, ku ngjiteshe nëpërmjet një rruge tepër të vështirë vetëm nga drejtimi i veriut. Në majën me gurët e bardhë gëlqerorë, si një tortë e prerë me thikë, me një shesh sa një lëmë gruri e mbushur me çakëll, dukeshin gjurmët e vetëtimave, ca si kanale gjarpërushë, ndoshta ato e kishin thërrmuar ashtu majën. Është e vetmja majë në Skrapar, veç Tomorrit, me horizont më të gjerë dhe një pikë që të jep një ndjesi të çuditshme kënaqësie, sidomos kur shikon piruetet e nazet e kalit të qyqes, jo sipër, por poshtë teje. Sa herë, kur ishim fëmijë, vinim bast kush do ta mundte kalin e qyqes duke i parë shpinën, po këtu e kishe të mundur. Megjithëse kam pyetur shumë në atë kohë  pse kësaj maje i kish ngelur Çuka e Frengut nuk mora dot ndonjë shpjegim të saktë.

 

Varri që trembi vdekjen

9s69VXpFAuOs-VzR9xmCY44bVTUxBnOXXDL2DIZ05_ENë qendër të ish-komunës së Potomit takoj disa të rinj, të cilët, kur i pyes për disa objekte që s’i shoh më, ngrehin supet. Nuk i dinë ku kanë qenë, dhe s’kanë se si, pasi ata kanë lindur tani, në kohën e demokracisë ose pak më përpara. Ata nuk e dinë sa i bujshëm e i zhurmshëm ka qenë Potomi i tyre i para 25-26 viteve, sidomos qendra ku jemi tani. Është e kotë të vazhdoj me ta. Më duhet ndonjë më i moshuar, por s’po shoh, të më çojë te varri monumental i Qenam Gorçes. Ky plak i zgjuar kur u afrua te të ’70-at hapi vetë varrin e tij, e bëri atë me pllaka guri të skalitura si varr perandori dhe e la ashtu të hapur duke pritur t’i vinte vdekja. Një ditë aty ai gjeti kutullaç një gjarpër të madh të zi. “Yyy…lanet, i tha plaku gjarprit, ma paske zënë”! Dhe hapi një varr tjetër, e bëri shumë herë më të bukur se i pari…dhe përsëri priste të vdiste. Por vdiq shumë vjet më vonë. Pak kohë para se të jepte shpirt, u tha të afërmve: “A e dini pse e bëra varrin, jo se mu mbarua buka, po për të trembur vdekjen, dhe siç e shikoni, e tremba vërtet, unë s’do të rroja 200 vjet”!

 

Pse ikin këta njerëz?…

Mjafton një bisedë e shkurtër me disa fshatarë të Backës në furgonin e linjës Çorovodë-Potom dhe kupton se krahinën që është mbajtur si më punëtorja dhe më patriotja në Skrapar, ka pllakosur varfëria. Pse? Jo se s’ka prodhim, por se ai ngelet aty, pilok. Psh, Backa nuk ka lëvizur shumë, çdo familje ka krijuar kope me dhen, disa edhe me 500 kokë, se mal ka sa të duash, po ku të vejë prodhimi i tyre pa rrugë, pa mjete?  Për leshin e dhenve, s’bëhet fjalë fare. Pasi i qethin dhentë, më shumë për fresk, leshin e lënë në mal, se s’ka treg! Njerëzve u është thyer zemra. Nuk i kanë ato punishtet, ku të çojnë prodhimet e rrushit dhe frutave. Nuk e kanë më spitalin e tyre si dikur dhe duhet të sëmuren vetëm një herë në javë, kur vete mjeku nga qyteti! Nuk i kanë më shkollat në çdo fshat, madje dikur edhe të mesme. Nuk i kanë më ato qendra kulturore, ku argëtoheshin të rinjtë dhe çdo fshat kishte grupin e tij polifonik. Ata presin të bëhet ndonjë dasmë ose festë, që të mblidhen të dëgjojnë një këngë.

Është e vërtetë, ato male s’mbajnë dot shumë banorë, po pse duhet të braktiseshin aq dhimbshëm, aq pa mend si nga vendësit ashtu edhe nga shteti. Krahina e Potomit ka kushte të mira për zhvillimin e blegtorisë, frutikulturës dhe turizmit. Këta njerëz e duan punën, por djersa që derdhin u ikën në përrua, sepse të gjitha prodhimet u kalben për mungesë tregu. Të shkretët njerëz punojnë, por nuk e ndjejnë shijen e gëzimit të punës. Dhe ç’bëjnë? Ikin. Në Melckë këndon qyqja, s’ka më shtëpi, pra s’ka më Melckë. Në Nikollarë janë vetëm dy. Koprëncka, nga 170 shtëpi, tani ka vetëm pesë të fundit, edhe ato janë për rrugë. Nga ana tjetër, s’ka më Faqekuq, s’ka më Krushovë, Kapinova është bërë një grusht, me 5-6 shtëpi. Staravecka, më keq, bërë jermë për kullotë, të çan ferra dhe gjembi.

Përse ikin këta njerëz, që janë ngulur prej shekujsh në këto vise me dëshirën e tyre? Se shteti u ka kthyer plotësisht kurrizin. Ai s’pyet për ata që ka afër, në qytet, jo më për zona të tilla të largëta si Potomi.

 

Share This Article
2 Comments
  • E falenderoj nga zemra autorin e keti pershkrimi…m’i solli te fresketa kujtimet e mia te femijrise sime te larget…shume nga personazhet qe ai ka pershkuar ketu i njoh nepermjet tregimeve te nenes time qe ka lindur ne Backe…dhe ka kaluar femijrine e saj ne kete fshat….prandaj dhe emocinet e mia jane shume te medha….shume nga keto vende jane te njohura madje edhe te shkelura nga une dhe shume te tjera te degjuara ne forme gojdhenash .Te falenderoj nga zemra dhe te uroj jete te gjate dhe lumturi ne familje….zoti Zylyftar.

  • te lumte pena .me perkedhele krenarine me origjinen time e sidomos per gjyshim tim patriot e luftetar Muco Kapinova qe dora gjakatare e tradhetarit ahmet zogu e vrau.e sot tradhetari tjeter sali berisha i ngriti lapidar duke vrare per se dyti Avni Rustemin, Hasan Prishtinen etj etj .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *