Poturet e Rezolutës

anazapta
gazeta dita cover

Servet Pëllumbi i shkruan Jozefina Topallit (dhe pyetja: Kush është falsifikatori i vërtetë i Rezolutës?)

Burime nga kryesia e Kuvendit bënë me dije dje për gazetën ‘DITA’ se Servet Pëllumbi i ka dërguar një mesazh (SMS telefonike) të gjatë me gjuhë të ashpër kryetares aktuale të Kuvendit Jozefina Topalli.  Teksti i SMS-së ka të bëjë me skandalin e rezolutës çame. Të njëjtat burime saktësuan se Topalli nuk i është përgjigjur SMS-së.   Për publikun është ende e paqartë: Çfarë ndodhi me të ashtuquajturën “rezolutë çame”? Në fakt nuk ka vend për paqartësi, por të tillë e bëjnë situatën, kakofonia e qëllimshme e deklarimeve publike që synojnë të mjegullojnë një të vërtetë fare të thjeshtë.

Ish-Kryetari i Parlamentit në vitin 2004, Servet Pëllumbi është ndodhur ditët e fundit nën një rrebesh akuzash. Ironia më e madhe  qëndron në faktin se një nga burrat më serozë të politikës shqiptare të njëzet viteve të fundit akuzohet pikërisht nga partia aktualisht në pushtet, pra nga PD, se… ka falsifikuar një votim të rezolutës çame në 2004 (!). Është moto naziste: Akuzo kundërshtarin për atë që ke bërë vetë. Moto e vënë në jetë rëndshëm vitet e fundit nga PD e Berishës. Por jo vetëm për këtë, kemi arsye të besojmë që falsifikimi i dokumentave të Kuvendit mbi rezolutën është bërë këto ditë dhe është bërë pikërisht nga ata që akuzojnë prof. Pëllumbin për falsifikim.

DITA pati një bisedë me profesor Pëllumbin mbrëmë mbi këtë çështje dhe ai theksoi ndër të tjera:

“Kjo që po ndodh është një histori e paprecedentë në historinë e parlamentarizmit shqiptar dhe një precedent shumë i rrezikshëm. Si Kryetar i Parlamentit të asaj kohe unë deklaroj me përgjegjësi maksimale se ai ishte një vendim sovran i parlamentit dhe se nuk ka kurrfarë manipulimi për atë që është votuar. Ajo që ndodhi është pasqyruar besnikërisht në shtypin e asaj kohe. Më vjen jashtëzakonisht keq për Kryetaren aktuale të parlamentit që lejon të bëhen të tilla spekulime. Vendimet që merren në seancat parlamentare janë historike dhe të dhëna një herë e përgjithmonë. Ato nuk mund të ndryshohen sipas oreksit të njërit apo tjetrit pas 9 vjetësh! Kjo është një papërgjeshmëri e paimagjinueshme, që vetëm i diskrediton autorët e kësaj maskarade.Edhe administrata e Kuvendit nuk duhet të lejojë nëpërkëmbje të tilla që i bëhen nga pushtetarë të përkohshëm.Tjetër… Unë mendoj, se kjo është një tallje e madhe që po bëhet me komunitetin çam dhe me çështjen çame. Sepse, në fund të fundit, çfarë i duhet një rezolutë e dyshimtë këtij komuniteti, ndërkohë që për një çështje të tillë me rëndësi kombëtare kërkohet dhe duhet të ketë konsensus sa më të gjerë? Nëqoftëse para 9 vjetësh nuk u miratua një rezolutë, në vitet pasardhës mund të ishin miratuar disa rezoluta për Çamërinë, pasi kanë ndodhur shumë zhvillime të tjera. Kështu është bërë edhe për çështjen e Kosovës. Gjithsesi, unë theksoj që kjo që po ndodh është një lojë e fëlliqur që po luhet me çështjen çame para zgjedhjeve të 23 qershorit dhe mendoj se unë nuk kam nevojë të sjell argumente të tjera për të denoncuar këtë maskaradë. Ajo është e vetdeskredituar…”/XH. Shehu

 

******

Daut Gumeni: Parodi  me Çamërinë nga Kuvendi i Ruzhdijes

Sorollatet  në hijen e  një harrese të qëllimshme – thotë Daut Gumeni për problemin e Çamërisë në këtë intervistë për Ditën dhe shton: “Meritojnë çamët shumë më tepër nga sa bëjnë sikur u japin të gjithë demagogët e tranzicionit tonë, që i duan daut gumenivetëm për t’u marrë votat dhe aq”

Komuniteti çam kohët e fundit ka qenë i përfshirë nga diskutimet për miratimin e një Rezolute mbi Çamërinë në Kuvendin e Shqipërisë. Si përfundim, na doli nga sirtarët e Kuvendit një rezolutë e vjetër dhe u quajt e miratuar, por na e paskeshin harruar… Si e gjykoni ju një veprim të tillë?

Problemi i Çamërisë dhe trajtimi i tij me dinjitetin e duhur, si një çështje kombëtare dhe në të njëjtën kohë një çështje e mbetur pa shtruar në tryezën e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, ka një kohë të gjatë që sorollatet  në hijen e  një harrese të qëllimshme nga të dy shtetet dhe qeveritë përkatëse. Qeveritë shqiptare të tranzicionit  e kanë parë si një çështje tabu diskutimin e çështjes çame dhe nuk kanë guxuar as ta quajnë me emrin e saj të vërtetë dhe as ta shtrojnë në bisedimet dypalëshe me Greqinë. Sepse nuk kanë pasur guximin elementar qeveritë tona të tranzicionit të deklarojnë që çështja çame është një çështje politike e mbetur pezull mes dy vendeve tona fqinje dhe që është një çështje kombëtare shqiptare, e cila nuk duron të shtyhet për në kalendat greke.

Na është thënë anës e anës që paskemi dhe një Marrëveshje Miqësie mes vendeve tona, marrëveshje që daton në fillimet e viteve ’90 dhe që më tepër duket si një marrëveshje për të mos e zënë ngoje më çështjen çame, sesa për ta shtruar realisht për zgjidhje. Apo më mirë, një marrëveshje për të mos u marrë vesh si shtete evropiane e si vende të qytetëruara. Madje, është ca e vështirë të kuptohet sesi mund të quhet dhe “Marrëveshje Miqësie” një marrëveshje që heq nga agjenda e bisedimeve dypalëshe një çështje kardinale si çështja çame(!).

Aq më tepër kur qeveritë greke të kësaj kohe deklarojnë të gjitha të njëjtën klishe absurde, jo vetëm për kohën në të cilën jetojmë , për edhe për një shtet anëtar të BE-së si Greqia e sotme. Se nuk e kuptoj dot ndryshe deklaratën-klishe të qeverive greke të këtyre dy dekadave të fundit që “Nuk ekziston çështje çame”(!) …Për të mos përmendur pastaj atë qëndrim prej servili antikombëtar të ndoca pushtetarëve të Tiranës, që deklarojnë pa lapë syri se “midis dy vendeve tona mike nuk ka asnjë problem të pazgjidhur”(!) Pra, çështja çame nuk ekziston as për qeveritë greke e (kuje më drekë!) as për pushtetarët aktualë të Shqipërisë…

Si të mos rrëmonin pastaj këta lloj pushtetarësh aq gjëmërëndë me qytetarët e varfër shqiptarë dhe aq zemërlepuj me qeveritë fodulle të Athinës? Si të bindet pastaj i shkreti njeri që qeveritë e Athinës janë qeveri  të një vendi anëtar të BE-së? Si të besojë pastaj njeriu që këta pushtetarët aktualë të Tiranës , që deklarojnë gojëmjakur e gjunjëdridhur se “midis vendeve tona mike nuk ka asnjë problem të pazgjidhur”, na qenkan vërtet shqiptarë e madje dhe atdhetarë të flaktë? Një flakë që e kanë dëshmuar edhe duke dorëzuar pjesë të territorit kombëtar, vetëm për të marrë bekimin për pushtetin e tyre nga ana  e qeverive greke… Kjo flakë “atdhetare” i ka shtyrë pushtetarët aktualë të Tiranës që të rrëmojnë  në sirtarët e Kuvendit e të nxjerrin prej andej një rezolutë “të miratuar por pa dashje të harruar”…Një rezolutë, që sikundër e thoshte këto ditë  një gazetar i njohur, na shpëtoi dhe “maxhorancën nga humbja e numrave  e na shpëtoi dhe kryetarin e PDIU-së nga dorëheqja”…

 

Në gjykimin tuaj, pa u futur në aspektin teknik, a e meritojnë çamët e shkretë gjithë këtë sorollatje politike, vetëm për një Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë?

Për të merituar, komuniteti punëtor dhe inteligjent çam, meriton shumë më tepër se gjithë kasta jonë politike e jo më sorollatjet e politikës pushtetare nëpër sirtarët e Kuvendit të Rruzhdies. Një Rezolutë dinjitoze për Çamërinë , si një problem kombëtar i pazgjidhur i shqiptarëve dhe si një plagë e pambyllur, që rrjedh gjak sepse nuk ka gjetur ende drejtësi e nuk ka gjetur ende zgjidhje të natyrshme, si të gjithë problemet e ngjashme në Europën e lirive. Meritojnë çamët shumë më tepër nga sa bëjnë sikur u japin të gjithë demagogët e tranzicionit tonë, që i duan vetëm për t’u marrë votat dhe aq. Se pastaj i harrojnë të drejtat e ligjshme të popullsisë shqiptare më të përndjekur nga tragjeditë e nga gjëmët e rënda. Gjëmë të rënda që nisin qysh në vitet ’20 të shekullit të shkuar e që nuk se kanë mbaruar dhe sot e këtë ditë.

Se çamët tanë janë një komunitet me histori të lavdishme e me tradita kulturore e atdhetare nga më të spikaturat në historinë e shqiptarëve dhe meritojnë me të drejtë shumë më tepër nga një Rezolutë e Kuvendit të trembur të Rruzhdies, që nuk merret vesh pse e bën aq keq me nervat çdo qeveri të Greqisë fqinje, edhe pse tashmë nuk është mbretëria megalomane e luftarve ballkanike të fillimit të shekullit të shkuar, por e një vendi anëtar të Bashkimit Europian.

 

Pak ditë më parë komuniteti çam, shpalli krijimin e një partie te re, në paraqitjen e të cilës morët pjesë dhe ju. Në gjykimin tuaj, kjo parti erdhi si rezultat i mungesës së përfaqësimit të këtij komuniteti, apo është thjesht një parti politike më shumë në listën e gjatë të partive tona të tranzicionit?

Natyrisht që më e udhës do të ishte të kishte një parti të vetme përfaqësuese sa më të denjë të një komuniteti aq dinjitoz sa komuniteti çam. Por nevoja për një përfaqësim të çështjes çame, si një pjesë e pandarë e çështjes mbarëkombëtare shqiptare, duket se nxori në pah dhe mangësitë e dukshme të përfaqësimit të cunguar. Sepse ka kohë që partia ekzistuese e këtij komuniteti duket se është e zënë më shumë me drejtoritë që mund të marrë nga pushteti aktual sesa me shtrimin për zgjidhje të çështjes çame. Se, për shembull, nuk është dëgjuar fare zëri i partisë ekzistuese të komunitetit çam, kur pushteti aktual dorëzoi një pjesë të territorit kombëtar për kënaqjen e synimeve të vjetra territoriale të vendit fqinjë. Madje nuk është dëgjuar ndonjëherë zëri i asaj partie me emër të gjatë, që të kërkojë për çdo shkollë greke në Shqipëri një shkollë shqipe në Çamëri….

Se Çamëria nuk ka lerë pas partisë ekzistuese, me emër aq të gjatë, të komunitetit çam. Çamëria është e lashtë sa bota dhe çamët në Çamëri janë në trojet e të parëve të tyre e nuk ia kanë zaptuar askujt. Kur e pyeta dikur një plak të mençur çam se sa kohë kishte në Çamëri , më dha një përgjigje që më la pa gojë;”Sa kohë kam këtu më the? Kam këtu që pa lerë Zoti!”…E një komunitet me njerëz kaq dinjitozë, meriton një parti që të përfaqësojë në krye e në radhë të parë hallet e Çamërisë e të çamëve dhe pastaj të kërkojnë drejtori të ndryshme nga pushteti, si shpërblim për ta kthyer pakicën në shumicë të qepur me penj shumëngjyrësh…Do të uroja që këto gjykime të miat të dalin të gabuara, se çamët meritojnë vërtet shumë më tepër. Dhe kam besim se Aleanca Popullore e krijuar ditët e fundit, një parti e re që ka në qendër të programit të saj çështjen kombëtare shqiptare dhe në mënyrë të posaçme zgjidhjen dinjitoze të çështjes çame, meriton më shumë se urimet e mia.

A është e hapur FRD-ja për aleancë me Aleancën Popullore, që drejtohet nga z. Artur Dojaka?

Aleancat e Frymës së Re Demokratike i vendosin forumet, si në të gjitha partitë homologe të Europës e të mbarë vendeve të qytetëruara, si në të gjitha partitë politike të bazuara në vlerat e njohura demokratike dhe jo të krijuara në zyrat e mykura të Partisë së Punës. Mua vetëm më vjen mirë që Aleanca Popullore e ka nisur me këmbë të mbarë dhe mund të shtoj këtu për partinë e re Aleanca Popullore vetëm urimin e mikut tim të mençur, historianit të mirënjohur Pëllumb Xhufi, që kjo parti e re t’i sjellë politikës shqiptare më shumë energji ndërtuese e më shumë energji bashkimi të fuqive pozitive të këtij vendi për të dalë sa më shpejt në udhën e vërtetë të mirëkuptimit kombëtar e të paqes së garantuar për vete e për të tjerët. Në udhën e gjerë të përparimit e të begatimit me punën tonë e me miq të mirë e të shumtë. E thotë mirë historiani Xhufi që i shkon shumë një Dojakë Çamërisë dhe çështjes çame./Intervistoi: Erion Habilaj

 

 

 

 

 

Share This Article
2 Comments
  • Camet e dine te verteten, keshtu qe Berisha me ane te Idrizit qe theksoi per te shpetuar fytyren e tij anticameri se do te jap doreheqje, po su aprovua rezoluta, deoli me sukses, por edhe sa kohe, kur kemi nje rezolute jo te aprovuar nga parlamenti dhe kemi nje opzite te bashkuar qe paraqiti nje rezolute qe u pelqye nga komuniteti cam, qe eshte shume serioze.
    Por Berisha per votat e cameve, sigurisht qe korruptoi Idrizin dhe ja doli per momentinm, Berisha mori aprovimin e Idrizit se ne do jemi bashke dhe Idrizi doli nga sikleti i doreheqjes, qe ja nxorri goja ne nje dite qe ndoshta mund te ishte i pire.
    Por Camet, tani kane nje tjeter parti qe merr pjese ne zgjedhje, qe sigurisht nuk rreshtohet nga Berisha dhe Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *