Partia Republikane vlerëson vendimin e Presidentit për kthimin e ligjit të pronave për rishqyrtim.
Kjo parti thotë se ligji është kundërshtuar me forcë prej pronarëve dhe se është në kundërshtim me vendimet e marra nga Gjykata Kushtetuese, standartet e vendosura nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe Kushtetuta e Shqipërisë.
“Ai nuk garanton sigurinë juridike në trajtimin e kompensimit financiar, pasi cënon parimin e barazisë ndërmjet shtetasve, duke i vendosur ata në regjime të ndryshme shpërblimi për të njëjtën lloj prone. Harta e vlerës që pretendohet në ligj, nuk është transparente dhe nuk reflekton çmimin e tregut. Në ligj hiqet e drejta e kthimit fizik të pronës, duke cenuar të drejtën e qytetarëve të sanksionuar në nenin 41 të Kushtetutës”, tha Maksim Begeja, anëtar i kryesisë së PR-së.
Ai tha se Partia republikane, në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve , do të kundërshtojë këtë ligj edhe në instancat më të larta ndërkombëtare si Gjykata e Strasburgut dhe Sekretariati i Komitetit të Ministrave pranë BE.
“I bëjmë thirrje Partisë Demokratike dhe gjithë partive opozitare, të bashkohen me inisiativën tonë, me qëllim që jo vetëm të mbështesim vendimin e Presidentit, por në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve të hartojmë një ligj i cili ti japë zgjidhje reale problemit të pronave”, tha më tej. /Dita/
