Në prag të sfidës me Laçin, ku hapet faza e katërt e Kategorisë Superiore dhe për Partizanin nis sprinti final drejt ambicieve për titullin, në kampin e kuq mbizotëron entuziazmi.
Të besuarit e Andrea Agostinelli-t vijojnë përgatitjet me intensitet të plotë për ndeshjen e së shtunës. Në seancën e fundit, spikati largimi i parakohshëm nga stërvitja e mesfushorëve Idriz Batha dhe Emiljano Vila.
Batha vuan një problem të lehtë muskulor në kofshë, por sipas stafit mjekësor të Partizanit nuk rrezikon ndeshjen me Laçin. Pas një bisede të shkurtër me lojtarin dhe mjekët e ekipit, trajneri Agostinelli vendosi që numri 10 të pushojë për tu rikuperuar.
Vendim të ngjashëm drejtuesi i stolit e mori edhe për Vilën, që ndjen pak shqetësime në tendinë, por edhe mesfushori i rikthyer në radhët e të kuqve në merkaton e janarit pritet të jetë normalisht në fushë ndaj Laçit.
Në stërvitjen e së mërkurës, mungonte vetëm portieri Alban Hoxha, që pas impenjimeve me Kombëtaren shqiptare do të vihet në dispozicion të ekipit për ndeshjen e kampionatit.
Për sfidën me Laçin mungon mesfushori Felipe Gomez, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Jashtë ekipit janë gjithashtu edhe Labinot Ibrahimi i skualifikuar nga Disiplina dhe Mentor Mazrekaj që së fundmi kreu operacionin në kavilje.
