Hamdi Salihi shënoi një gol të mrekullueshëm, i cili i dha fitoren një Shqipërie solide në Oslo, përballë Norvegjisë. Sulmuesi shkodran tundi rrjetën, pas një skeme të zgjuar në një goditje të lirë të ekzekutuar nga Ervin Bulku. Goli ishte qershia mbi tortë e një paraqitjeje të shkëlqyer e të disiplinuar nga ana e kuqezinjve, të cilit ishin realisht skuadra më e mirë në fushë. De Biazi hodhi në fushë një formacion që ishte në gjendje t’u tregonte dhëmbët vikingëve, teksa Lila e Roshi nga krahët dhe Bulku e Basha në qendër të mesfushës treguan një lëvizshmëri e agresivitet të madh, gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar sulmin e mbrojtjen. Edgar Çani përshkoi kilometra të tërë, sa para e mbrapa, ndërkohë që Salihi ishte pika e referimit në sulm. Ky i fundit pati edhe rastin e parë të takimit, teksa gjuajti me kthesë në ajër, pas një krosimi nga Dallku. Përballë norvegjezëve të fuqishëm, Shqipëria e kontrolloi mirë topin, ndërkohë që në qendër të mbrojtjes Cana e Mavraj patën ditën e tyre më të mirë, duke iu mohuar rastet vendasve. Rasti i parë i Norvegjisë erdhi vetëm në minutën e 36-të, pas një shpërqendrimi të mbrojtjes kuqezi, por Cana zgjidhi mirë situatën, duke mos lejuar tundjen e rrjetës, teksa bllokoi gjuajtjen e fortë të Abdelaue. Ndërkohë, Shqipëria kishte humbur edhe një rast tjetër, më të mirin e ndeshjes, kur Basha gjuajti fort brenda zonës dhe topi doli jashtë, ngjitur me shtyllën. Pas pushimit, Norvegjia rriti presionin, në kërkim të pikëve, por Shqipëria ia doli ta zbuste atë, me vrapime pa fund e dalje të shpejta në kundërsulm. Momenti kyç ishte minuta e 67-të, kur në një kundërsulm të tillë Lila fitoi goditjen e lirë të ekzekutuar në mënyrë perfekt nga Bulku dhe konvertuar në gol po aq mirë nga Salihi. Minutat në vazhdim natyrshëm që kishin rezervuar vuajtje për shqiptarët, pasi Norvegjia nuk mund të lejonte humbjen, por ishin sërish miqtë që mund të kishin shënuar me Salihin. Vetëm 11 minuta pas pësimit të golit Norvegjia iu afrua barazimit, por Etrit Berisha reagoi shkëlqyeshëm. Fundi i lojës ishte dramatik, pasi Andi Lila doli me karton të kuq, pas dy të verdhave brenda pak minutave. Por, kuqezinjtë ia dolën të mbanin të paprekur avantazhin, duke arritur fitoren e parë në transfertë, çka i ngjit në vendin e dytë, bashkë me Islandën. Tashmë Brazili nuk është më vetëm një ëndërr, por një objekt krejtësisht i arritshëm.
Norvegji 0
Shqipëri 1
Shënues: Salihi 67’
Norvegjia: Jarstein, Hogli, Forren, Hangeland, Rise, Soderlund (Berisha 75’), Henriksen, Nordtveit, Jensen, El Junusi (King 62’), Abdelaue. Trajner: E. Olsen
Shqipëria: Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, Lila, Bulku, Basha, Roshi, Salihi (Curri 90’), Çani (Bogdani 75’). Trajner: De Biazi
Gjyqtarë: K. Blom, P. Langkamp, D. Gosens (Holandë)
Kartonë të verdhë: Forren / Roshi, Cana, Lila (2), Agolli
Karton i kuq: Lila
Episodet
3’ Dallku del në sulm nga e djathta, kroson në zonë, ku Salihi e mban topin me gjoks dhe gjuan me kthesë në ajër, por drejt e në duart e portierit norvegjez.
4’ Çani shpërthen fuqishëm në zonë, duke i marrë topin një mbrojtësi, por pasi i tij nga fundorja nuk gjen asnjë kuqezi.
7’ Aksion i Norvegjisë nga e djathta, topi i futur në zonë parakalon pasqyrën e portës, por asnjë kundërshtar nuk arrin ta devijojë.
27’ Basha humbet një rast të pabesueshëm, teksa gjuan fort me të djathtën dhe topi del jashtë, pranë trekëndëshit të portës.
36’ Kuqezinjtë humbasin topin në mesfushë, gjuan Abdelaue, Cana devijon në goditje nga këndi.
67’ Supergol i Salihit! Goditje e lirë e fituar nga Lila në hyrje të zonës nga e djathta. Bulku merr vrull, të gjithë lojtarët në zonë shkojnë përpara, por mesfushori pason topazi te Salihi, i cili del nga pas shpinës së mbrojtjes dhe gjuan fort me të djathtën, duke mos i lënë asnjë shans portierit. Topi tund rrjetën në trekëndësh, Shqipëria kryeson 1-0!
69’ Salihi merr topin nga Çani, gjuan me kthesë me të majtën, topi kalon mbi tra.
70’ Rrëmujë në zonën norvegjeze, Roshi ushtron presing dhe e rrëmben topin, pason para portës, por aty Salihi nuk arrin ta devijojë në rrjetë.
78’ King kontrollon mirë topin dhe gjuan fort me të majtën, grushton Berisha, duke i mohuar golin.
89’ Ngulmon Norvegjia, njëri nga sulmuesit arrin të kontrollojë topin e gjuan, përsëri Berisha nuk lejon tundjen e rrjetës.
90’ Roshi në kundërsulm të shpejtë, hyn në zonë, por lodhja bën që topi t’i ikë nga kontrolli.
N. Skuadra N F B H Gol. Pikë
1. Zvicra 4 3 1 0 7:1 10
2. Shqipëria 5 3 0 2 6:5 9
3. Islanda 5 3 0 2 6:5 9
4. Norvegjia 5 2 1 2 6:6 7
5. Sllovenia 5 1 0 4 4:8 3
6. Qipro 4 1 0 3 4:8 3
Sot Norvegjia ka nje avantazh shumë te madh! I ftohti polar ështe lojtari i saj i 12-të. Pamundesia e aklimatizimit i ekipit tonë ne kete ndeshje mund jete fatale per rezultatin e lojës!
ooooooooo sa i lumtur qe jam Forca Shqiperia na duhet nje hap i madh se i kemi kushtet
brrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrrravoooooooooooooooo futbolli me kometaren se politika na la ne mes te shaleve
fitore qe na ngjit na qellin e 7,bravo te gjitheve per mua eshte fitorja me e rendesisheme e shenuar ndonjehere ne fazen e dyte te eliminatoreve , asnjehere nuk kemi fituar ndeshjen e pare qe te ket kaq rendesi dhe te na jap vendin e dyte,dhe mbi te gjitha me nje gol te mrekullueshem .flm kombetare flm salihi,etrit flm, flm de biazi.flm tkz.fatin e kemi vete ne dore.
Bravo!Shpresa per Brazil zgjohet!