Pranë ujit dhe gjithnjë të etur…?

redaktor

Nga Prof. Dr. Fatmir Shehu

 

Njerëzit me eksperiencë, duhet që atë që kanë mësuar gjatë punës së tyre ta dokumentojnë  dhe t’ua lënë trashëgim të tjerëve. Eksperienca që krijojnë brezat duhet konsideruar një pasuri e madhe e një kombi dhe mbarë njerëzimit. Kjo është një thënie që pavarësisht se dëgjohet shpesh, janë relativisht të paktë njerëzit që e zbatojnë. Nga këta të paktë është dhe akademiku Edmond Pinguli inxhinieri prof.dr., i cili ka shkruar dhe vazhdon të shkruajë disa libra ku ai dokumenton eksperiencën shumë vjeçare që ka në fusha të ndryshme dhe sidomos në atë të ndërtimit, energjisë dhe hidroteknikës.

Libri që më ra në dorë i akademikut Pinguli është i kompletuar dhe i shkruar bukur, plotësuar me mjaft material fotografik, grafik dhe tabelor që janë materiale faktike dhe autentike. Ai na dhuron një përmbajtje  komplekse, duke e parë ujin si një pasuri që ata që e kanë, e shpërdorojnë dhe nuk e vlerësojnë; ata që nuk e kanë, bëjnë sakrifica të panumërta për ta siguruar. Në radhë të parë akademiku diskuton politikën e ujit – sepse si pasuri që është kërkon të trajtohet me një politikë të posaçme si në evidentimin e  rezervave, vendndodhjen e tyre, konsumatorët e ndryshëm dhe raportet e tyre me vendburimet e ujit, nivelin e investimeve afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata dhe përdorimin me nikoqirllëk dhe me efektivitet. Por fatkeqësisht, politika nuk e konsideron ujin me vlerat që ka, ashtu siç tanimë quhet: “ari i bardhë”. Ai duhet konsideruar si pasuri mbi gjithë pasuritë!

Uji ka vlera polivalente. Në radhë të parë ai është një nevojë e pazëvendësueshme për ekzistencën e njeriut. Teksa pa ngrënë është vërtetuar që njeriu mund të rrojë 10-15 ditë, pa ujë ai nuk mund të rrojë më shumë se 4-5 ditë – sepse uji ka të bëjë me atë energji që quhet jetë. Ngrohja globale dhe rritja e popullsisë, janë dy faktorët kryesorë që po e çojnë botën drejt një krize për furnizimin me ujë. Ndonëse një njeri kërkon të konsumojë dy deri në tre litra uji në ditë , për nevoja të tjera që ka njeriu është llogaritur që i duhen  shumëfish më shumë. Por jo në të gjitha vendet e botës, sigurohet një sasi uji e mjaftueshme  për nevojat e njeriut. Kështu një qytetar amerikan ka në shërbim të tij ditor rreth 425 litra, një francez 150 litra, ndërsa një banor i Madagaskarit ka vetëm 10 litra, sikurse ka dhe vende që sasinë e ujit në dispozicion e kanë shumë herë më të paktë.

Përsa i përket Shqipërisë – me gjithë se ajo klasifikohet si vend me burime të kënaqshme – por sipas “ World Resource Institute”, i cili në kuadrin e ndryshimeve klimaterike që priten, ka hartuar listën e 33 vendeve që do të përballen me krizën për ujin ku 16 shtetet më të rrezikuara janë në Lindjen e Mesme por direkt mbas tyre, vijon Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Turqia, Greqia, etj,. Tanimë kuptohet  se vetëm për nevojat personale të njeriut për ujë janë gjithmonë në rritje. Kjo shpjegohet me rritjen e kulturës higjienike të njeriut, por edhe me faktin se tendenca është që njerëzimi të grumbullohet në zonat urbane. Sipas studimeve që janë bërë, parashikohet se deri në vitin 2050, dy të tretat e popullsisë  të botës do të përqendrohen në zonat urbane.

 

***

Uji ka vlera të padiskutueshme në agrikulturë, sepse asnjë element që ka toka nuk mund të asimilohet nga bima në se aty nuk është sasia e ujit në nivelin dhe kohën e duhur. Po ashtu vlera të mëdha ka uji në ruajtjen e higjienës personale dhe kolektive, në industri dhe më së fundi, por jo e fundit, në energjetikë. Uji është një burim i mrekullueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe, në dallim me format e tjera të prodhimit të energjisë si: me përdorimin e lëndëve fosile (naftë, gaz, qymyr etj.) si dhe me energji atomike, prodhimi me ujë i energjisë elektrike nuk ka impakt negativ në natyrë dhe është një energji e rinovueshme. Duhet thënë që akademiku, bazuar në gjeografinë fizike të vendit tonë, që karakterizohet nga një terren malor, ka mendimin se për prodhimin e energjisë elektrike – mund të përdoret  edhe energjia atomike, sepse jo gjithmonë energjia e HEC-ve është kompatibël me kërkesat e ambientit, ekosistemet, klimën etj. Madje po thuhet kohët e fundit se HEC-et me digë nuk do quajtur se prodhojnë energji të gjelbër sepse vetë diga modifikon natyrën e rajonit të ujëmbledhësit. Veç kësaj, mendojmë se duhet pasur si opsion prodhimi i energjisë dhe vënia në punë e TEC-ve që kemi (Vlora dhe Fieri) apo dhe TEC-ve të tjerë që mund të ngrihen duke shfrytëzuar gazin që do kemi me mbarimin e projektit TAP si dhe rezervat jo të vogla të  gazit që ka vendi ynë.

Me të drejtë akademik Pinguli e quan ujin “ar të bardhë”. Sepse uji ka vlera të mëdha përdorimi, madje po duken tendencat që po ia kalon edhe “arit të zi” që quhet nafta, sepse në tregjet e ndryshme një litër ujë është më i shtrenjtë se një litër karburant – madje kjo ndodh në ekonominë më të madhe në botë –në SHBA. Duke u nisur nga kjo paradigmë, akademiku  është përqendruar mjaft në vlerësimin që duhet t’i bëjë njerëzimi kësaj pasurie të veçantë;  dhe, në mënyrë të posaçme jep shpjegime dhe rrugë zgjidhje dhe propozime konkrete për pasurinë ujore  që ka vendi ynë. Propozimet që bëhen për shfrytëzimin e rezervave ujore të hidrocentralit të Vaut të Dejës, duke i vënë në dispozicion të furnizimit me ujë të një popullsie që gjendet në hapësirën  që përmbledh distancën Vau i Dejës – Fier –Vlorë  duke shtrirë një tubacion të furnizimit me ujin e Vaut të Dejës deri në Vlorë. Pse mos të bëhen këto investime afatgjata dhe me një siguri të madhe furnizimi, kur në botë po shtrihen tubacione nafte dhe gazi në distancë shumëfish më të gjata?

Përfytyroni se sa i gjatë është gazsjellësi i projektit TAP që fillon në Azerbaixhan dhe përfundon në Itali, duke kaluar disa shtete si Turqia, Greqia, Shqipëria, detin Adriatik e më tej në Itali. Madje mendime shumë interesante jepen edhe për eksportimin e rezervave tona ujore gjë që është një burim i madh të ardhurash, duke ndërtuar tubacione të posaçme nga Vau i Dejës në Itali, siç propozohet ujësjellësi Vau i Dejës -Shën Koll – Brindizi. Një gjë e tillë mbështetet dhe nga kërkesa që ka bërë rajoni i Pulies së Italisë që të marrë ujin e Syrit të Kaltër të Sarandës. Këto mendime dhe propozime konkrete do të zgjidhin problemet e furnizimit të popullsisë  së vendit, sidomos të zonës bregdetare, gjë që veç të tjerash do stimulojë edhe zhvillimin e turizmit dhe do rriten të ardhurat nga kjo degë e ekonomisë.

 

Pra, kjo pasuri nëse shfrytëzohet në nivelin e duhur, e rrit vlerën e përdorimit dhe të ardhurave kombëtare qoftë me përdorimin në tregun e vendit që është shumë deficitar në furnizim dhe plotësimin e nevojave, ashtu dhe në eksportimin e tij, duke rritur të ardhurat nga eksporti dhe përmirësuar bilancin e të ardhurave të ekonomisë së vendit. E themi këtë  edhe se në libër jepet në mënyrë të veçantë një ndodhi mjaft e rëndë për qytetin e Durrësit, kur ky qytet mjaft i rëndësishëm për të ardhurat turistike dhe mjaft i populluar me banorët e tij, por dhe me turistë, në datat  21/07/2015 dhe 02/09/2015, kur temperatura shënonte rreth 40 gradë Celsius, ka pasur mungesa uji të pijshëm dhe me të drejtë në libër përshkruhet me shprehjen shumë domethënëse: “ndizet Durrësi”. Por, kuptohet se nuk e vuan vetëm Durrësi mungesën e ujit, por edhe Vlora dhe Saranda. Atëherë, nëse përsëriten situata të tilla, asnjë turist që e përjeton këtë situatë qoftë dhe një herë, nuk të shkel më në atë vend. Sa humbje  e madhe për ekonominë! Atëherë, arsyetojmë: Uji është, shkon në det, ekonomia nuk e kthen këtë pasuri në një vlerë shumë të madhe. Atëherë tregu është – (treg i përjetshëm), nevojat janë, pse nuk gjenden rrugët që të sigurohet oferta?! Dhe themi se nuk kemi burime financiare?! Kjo përbën një  përgjegjësi për politikëbërësit por dhe për biznesmenët,  të cilët duhet të gjejnë rrugët për t’i dhënë vlerë kësaj pasurie. Mos të ngelemi tek thënia: “Edhe mullixhiut i kalon uji nën vete dhe digjet nga etja”.

 

Në libër i kushtohet një vëmendje e veçantë përdorimit të rezervave të ujit për prodhim energjie si dhe marrjes së masave që të ruhet ekonomia dhe popullata nga katastrofat  që shkakton energjia e ujit, kur ajo është e pa kontrolluar, si nëpërmjet përmbytjeve, rrëshqitjes së tokës, prishjes së argjinaturave dhe dëmtimit të investimeve që janë bërë në vite e dekada. Këto përmbytje janë përshkruar në detaje, gjë që përbëjnë argumente dhe dokumente të ndodhjes së këtyre fenomeneve që duhen zgjidhur në mënyrë të qëndrueshme dhe me një shtrirje afatgjatë, sepse kanë të bëjnë me ekonominë dhe me sigurinë e jetës së banorëve.

Duke analizuar në kompleks shfrytëzimin e rezervave ujore për prodhimin e energjisë elektrike akademik Pinguli e shef këtë problem në disa fusha si në atë të mjedisit, të sigurisë dhe të ekonomisë. Pikërisht, duke e parë këtë problem kësisoj nuk e konsideron të arsyeshëm ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës duke dhenë për këtë mendim dhe arsyet dhe argumentet e duhura e të nevojshme.

Duke qenë se objekti i këtij libri është polivalent, jemi të ndërgjegjshëm se në kuadrin e këtij shkrimi nuk mund të diskutohet tërësia e problematikës që trajtohen, mendoj se është vendi që këtu duhet të kontribuojnë edhe specialistë të fushave të ndryshme si ata të ruajtjes së ambientit, klimatologët,  specialistë  të shfrytëzimit të ujërave mbi e nëntokësore, specialistët e ndërtimit të veprave hidroteknike, sociologët, politikanët etj. Libri për vetë tematikën që rrok, ka vlera për një spektër të gjerë politikëbërësish, studiuesish, projektuesish dhe planifikuesish.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *