“Punishtja” është emri i koduar i operacionit që solli sekuestrimin e 9 kg heroinë dhe arrestimin e një 45-vjeçari në Elbasan. Droga vinte nga jashtë në një rrjet të mirorganizuar dhe ndalej në banesën e shtetasit Abdyl Musaagaj dhe pasi përzihej dhe paketohej në sasitë e kërkuara gati për t’u shitur, nisej për në destinacione. Musaagaj është pronar i një lokali në lagjen ku banon dhe pikërisht lokali shërbente si mburojë për trafikun e drogës dhe për kontaktet me klientët.
Agjentët e policisë kanë hetuar për disa muaj për të përmbyllur me sukses operacionin mëngjesin e djeshëm. Në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë si pjesë e rrjetit të trafikut ndërkombëtar dhe shpërndarjes së drogës. Ata janë identifikuar nga agjentët dhe janë shpallur në kërkim.
Operacioni
Prej disa kohësh agjentët kishin arritur të përgjonin një telefonatë për qarkullimin e një sasie të madhe droge që do të ndalej në Elbasan. Në këtë kohë nisi një hetim intensiv i agjentëve të Elbasanit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kur u siguruan se droga kishte mbërritur në destinacion, agjentët kanë organizuar ndërhyrjen duke bërë një kontroll të befasishëm në shtëpinë e 45-vjeçarit. Në një dhomë të banesës iu gjet sasia e drogës, përzierës dhe peshore për ndarjen e drogës së sasi të caktuara. Droga është gjetur në tre pjesë në qese plastike.
Menjëherë u mor masa e arrestit në flagrancë për 45-vjeçarin Abdyl Musaagaj, banues në lagjen “Dyli Haxhire” Elbasan. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 9 kg lëndë narkotike e llojit heroinë, 4 telefona celularë të markave të ndryshme. Një automjet “Benz” me targë TR 0308 L, ngjyrë gri, një peshore dhe një sasi përzierësi.
I pyetur nga agjentët e policisë për të treguar prejardhjen e sasisë së drogës, 45-vjeçari ka heshtur duke kërkuar praninë e një avokati. Ndërkohë nga hetimet e para rezultojnë edhe tre persona të përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur për shkak të hetimeve dhe shpalljes në kërkim të tyre.
Dyshohet se i njëjti person furnizonte me heroinë edhe tregun e qytetit të Elbasanit. Ky është cilësuar edhe operacioni më i suksseshëm i viteve të fundit nga sektori i antidrogës, duke sjellë edhe sekuestrimin e plot 9 kg heroinë të pastër.
Po ky budalla, perse do i hyje ne hise policise? Nuk mund te konkurosh shtetin i vetem, o njeri!