Pranga shqiptarit të ‘Ndragheta’, zbulohet vrasësi i Zyberit

anazapta

Një shqiptar i cilësuar si anëtar i organizatës mafioze italiane “Ndragheta”, Bledar Halili, që thirrej edhe me nofkën “Engjëlli”, u arrestua në Kazerta ditën e djeshme, ndërsa policia e Riminit publikoi identitetin dhe fotografinë e autorit të dyshuar të vrasjes së Nimet Zyberit para një qendre tregtare. Ai është Paulin Nikaj, shofer kamioni dhe me precedentë të mëparshëm për drogë.

 

Anëtari i Ndraghetës

Bledar Halili, 33 vjeç, i njohur edhe si “Engjëlli”, i dyshuar anëtar i organizatës mafioze “Ndrangheta”, u kap dje në një operacion antimafia të koduar “New Bridge”, i nisur prej datës 11 shkurt 2014. Mediat shkruanin se shqiptari është vënë në pranga në një apartament ku fshihej. Kanë qenë pjesëtarët e Shërbimit Qendror Operativ të policisë dhe policia e Rexhio Kalabrias që e kanë arrestuar. Ndaj Halilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike dhe ishte një ndër pjesëtarët e grupit “Benevato”, i shkatërruar gjatë hetimeve të bëra ndaj Nick Tamburellos, italo-amerikanit të deportuar nga SHBA si pjesëtar i grupit mafioz “Gambino”, në Nju Jork. Sipas hetimeve të kryera, 33-vjeçari Halili ishte një prej ndërlidhësve të grupi mafioz, që blinte në Amerikën e Jugut kokainë dhe që më pas transportohej në Itali. Gjatë operacionit të zhvilluar nga policia italiane dhe FBI, janë arrestuar 24 persona, 7 prej të cilëve në SHBA dhe 17 në Itali, për akuzat e narkotrafikut.

 

Vrasësi i Zyberit

Policia italiane e Riminit tha se identifikoi autorin e dyshuar për vrasjen e shqiptarit Nimet Zyberi, në Missano. Ai është një shqiptar emigrant prej shumë vitesh në këtë zonë, i identifikuar si Paulin Nikaj, 35 vjeç. Karabinierët kanë shpërndarë foton e tij dhe kanë paralajmëruar banorët që të kenë kujdes, pasi sipas tyre Nikaj është i armatosur me një pistoletë të kalibrit 7.65 milimetërshe dhe mund të jetë agresiv. Policia tha se është rreth 177 centimetra i gjatë dhe mendohet se drejton një makinë “Citroen C4” me ngjyrë blu dhe me targa DP767VT. Nikaj prej 11 vitesh punonte në një ndërmarrje transporti a Monteçhio di Vallefoglia, ndërsa që prej 17 marsit kur kreu dhe krimin, nuk është paraqitur në punë. Nikaj cilësohet si njeri i rregullt, por në të kaluarën ka pasur disa precedentë për droga të lehta dhe shkelje të qarkullimit rrugor. Pista kryesore është larja e hesapeve për konfliktet e vjetra mes fisit Nikaj që jeton në Itali dhe viktimës. Nimet Zyberi u vra në sy të gruas shtatzënë dhe fëmijës së mitur pasi doli nga qendra tregtare dhe u qëllua me 5 plumba.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *