Pranimet e reja në Universitete / Fituesit e Raundit 1, ja kur mund ta ndryshoni degën e fituar

J L

Pranvera Kola

 

Përfundojnë sot, regjistrimet për fituesit e fazës së fundit të pranuar në universitetet publike dhe ato private nëpërmjet aplikimeve të kryera për kuotat e Raundit të parë. Sikundër ka ndodhur gjatë viteve të shkuara, edhe për pranimet e reja të 2021, fituesit e regjistruar gjatë këtij raundi do të kenë mundësi që të ndryshojnë degën e studimit, duke hyrë sërish në konkurim për një tjetër degë më të preferuar të cilën mund ta fitojnë gjatë alikimeve që do të zhvillohen për kuotat e Raundit të dytë. Por, për të qenë pjesë e garës për këto kuota, kandidatët e regjistruar si fitues duhet që më parë të kryejnë procesin e çrregjistrimit në degën e fituar brenda afateve të përcaktuara.

Në udhëzimin e shpallur me herët nga QSHA dhe RASH, përcaktohet se: “Çdo aplikant fitues pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion pranë fakultetit ku është shpallur fitues dhe ka nënshkruar në regjistër, ka të drejtë të çregjistrohet, veprim të cilin duhet ta kryejë në datat 16 dhe 17 shtator. Për të konfirmuar këtë procedurë, ju duhet të paraqisni një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit përkatës ku jeni regjistruar si fitues, duke zyrtarizuar tërheqjen e dokumenteve të regjistrimit”.

Nëse nuk e kryeni këtë veprim brenda këtyre dy ditëve të përcaktuara, ju nuk keni më të drejtë që të ndryshoni programin e studimit që do të ndiqni përgjatë vitit të ri akademik 2021-2022. Pas paraqitjes së kërkesës çregjistrimi do të kryhet në portalin “e-albania” nga sekretaria mësimore e fakultetit përkatës.

Me mbylljen e procesit të çregjistrimeve do të nisë edhe konkurimi për kuotat e lira të raportuara nga të gjitha strukturat e arsimit të lartë në çdo program studimi. Konkretisht për kuotat e Raundit të dytë kanë të drejtë të aplikojnë duke përzgjedhur deri në 10 programe studimi, të gjithë maturantët dhe kandidatët, të cilët kanë plotësuar formularin A1 dhe A1Z dhe rezultojnë kalues në të gjitha provimet e Maturës Shtetërore, por që plotësojnë këto katër kushte: nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë, kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk janë shpallur fitues, kanë kryer procesin e aplikimit online në raundin e parë dhe nuk kanë arritur të regjistrohen për arsye të ndryshme, si dhe ata që janë çregjistruar pas përfundimit të raundit të parë. Aplikimi edhe në këtë rast do të mund të kryhet online në cilindo mjedis që ka akses interneti duke respektuar të gjitha procedurat e përshkruara në udhëzuesin teknik të publikuar në faqen zyrtare të RASH-it.

Aplikimi për këto kuota të lira të raundit të dytë do të nisë zyrtarisht në datat 19-21 shtator, ku maturantët do të duhet të plotësojnë sërish formularin e preferencave me të cilat do të garojnë për të fituar një të drejtë studimi për vijimin e universitetit. Regjistrimi i preferencave do të bëhet në të njëjtën kohë, si për kandidatët që duan të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në një nga degët e universiteteve publike, ashtu edhe për strukturat private të arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë.

Autoritetet e arsimit sqarojnë se edhe në raundin e dytë, sistemi online do të pranojë për aplikim vetëm kandidatët që janë pajisur me dokumentacionin ligjor që fakton përfundimin e shkollës së mesme, që kanë mesataren e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për çdo program studimi, si dhe që plotësojnë kriteret e tjera shtesë që mund të kenë vendosur vetë universitetet për programet që ofrojnë. Ndërsa kandidatët që do të aplikojnë për t’u pranuar në një nga programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria.

Nëse keni mesatare më të ulët se sa nota 6.5, ju mund të aplikoni vetëm për programet e studimit 2-vjeçare me karakter profesional. Në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, kandidatët, që kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë minimalisht me notë mesatare 6.5. Në degët e gjuhëve të huaja do të mund të konkurojnë vetëm maturantët dhe kandidatët e tjerë që disponojnë një mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 7. Po ashtu, edhe për degët e mësuesisë në garë mund të përfshihen të gjithë maturantët që kanë mesatare të gjimnazit jo më të ulët se sa nota 7.5. Edhe Universiteti i Mjekësisë ka vendosur në lidhje me kriterin e mesatares që duhet për të konkuruar në degët e këtij profili. Konkretisht, për të garuar në degët për programet e teknikës dentare dhe higjienist dentar duhet një mesatare mbi notën 7, për degët logopedi, teknik laboratori, teknik imazherie, mami, fizioterapi, infermieri e përgjithshme duhet notë mbi 7.5, për degën e shëndetit publik duhet mesatare e gjimnazit mbi notën 8, si dhe për degët siç janë: mjekësia, farmacia, dhe stomatologjia në garë mund të përfshihen vetëm kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 8.5 dhe më lart.

Shpallja e fituesve të këtij raundi do të bëhet publike në datën 28 shtator, dhe pas mbylljes së procedurave të ankimimit do të zhvillohet edhe procesi i regjistrimit të fituesve sipas datave të përcaktuara. Ndryshe nga raundi i parë, fituesit e raundit të dytë do të regjistrohen në 5 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 30 shtator-9 tetor.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *